E jona

23 dhjetor 2022 | 22:50

Denion Ndrenika, Nju Xhersi, korrespondent i “Report TV” në SHBA

10 vjet pasi ndërroi jetë, Petro Markos fjalëndritur iu botua libri “Intervistë me vetveten”.
Kam një keqardhje jo të pakët që e kam lexuar pjesërisht, por aq sa ka thelbin, ia mora. Kam besim qe po.
Dhe, thelbi është se Himara në malet akrokeraune njehsohet me shqiptarizmën.
Në qindra e qindra motmote.
E nisa me mendjeçmuarin Petro Marko pasi ndalem jo rrallë te biseda e tij me dhërmiqotët që mbledhur si për rrëfim, ia pohonin në sy se nga e kishin prejardhjen teksa i pyeste për të mësuar vërtetësisht në ishin shqiptarë (a larg qoftë), grekë.
Nuk është faj të jesh grek, mirëpo Shën Kozmai thoshte sipas shumë të lexuarit të ortodoksisë mikut tim të fëmijërisë Ektrit Manushi, porosiste që të mos shanin njerëzia shoshoqin me atë fjalë, pra “grekë”.
Mua nuk më kanë bërë gjë. Madje, kam krushqi e miqësi me grekë. Mirëpo, nuk lihet dot mënjanë e pabzà çka i kanë bërë popullit që i përkas.
Na kanë masakruar. Çamërinë dhe viset tona etnike në Maqedoninë Perëndimore që është pushtuar nga greku, pra në Follorinë, Konicë, Kostur e gjetiu.
Mos duket se i ika Petro Markos. Jo, vetëm sa shtova ca fjalë për të vijuar me qëllimin e vizitës së Micotaqisit të ri në Himarë.
Jo rastësisht u bë në 22 dhjetor. Në këtë datë të motit 1943 në mos më pastë lënë kujtesa, grekët e quajtën të bashkuar Himarën me Greqinë pasi Italia fashiste u telendis rrugëve si qeni pas kockës.
Ky ishte qëllimlig me vizitën dhe me datën. Çfarë fushate mund të bëjë Micotaqisi në një vendin e huaj ku bashkardhetarë të tij sikur nuk ka. Na del qartë nga “Intervistë me vetveten”. Aty dalin mbiemrat e banorëve dhe vetë ata tek ia thanë se vinin nga viset shqiptare.
Ja, unë e kam Ndrenika. Pra edhe Ndre, edhe Nikë. Mbiemër i bashkuar. Si Koleka, edhe Kolë, edhe Lekë. Mos jemi grekë meqë përkatësinë fetare e kemi ortodokse dhe u zhvendosëm ndonja 600 vjet më parë në Vuno?
Ne Ndrenikët kemi kishën e familjes, kishën e Shën Kollit. Grekë jemi?
Është e vërtetë që flitet një formë greqishteje, mirëpo nja 200 vjet ishte italishtja më e përhapur. Ishim italianë asokohe?!
Rënia e forcës venedigase dhe pavarësim Ii Greqisë padyshim që e bënë më të nevojshëm dhe të lehtë rrugëtimin tregtar dhe lëvizjet e popullatës. Ishte më lehtë të shkojë me mushka, gomerë dhe kuaj nëpër 55 fshatrat e venomit të Himarës deri në Artë e Prevezë të Çamërisë, se sa me varka nga deti në Itali.
Pa të kujtojmë që emigracioni i Bregdetit ishte më shumë në Itali, Francë dhe Amerikë krahasuar me ca pak në Greqi.
Një marrëveshje e kahershme diku nga 1500 i bëri bashkë bregdetasit me arbëreshët dhe garantuan papatin që le të sillte misionarë për rikthimin e katolicizmit në këmbim të mbrojtjes nga islamizimi, meqenëse Fanari (kryeqendra ortodokse në Stamboll nga fuqia perandorake osmane për të mbrojtur veten, heshtte ndaj dobësisë së ortodoksëve në viset e largëta).
Për këtë mund të shihni priftërinjtë ortodoksë sot e kësaj dite në viset arbërore, që ushtrojnë ritet tona, ndonëse me një varësi papale. Që, rrjedh nga ajo marrëveshja e himarjotëve dhe arbëreshëve me papatin.
Himara, Bregdeti ishte dera e ikjes për në Itali pasi Gjergj Gjon Pali i Kastriotëve, pra Skënderbeu, shkoi në amëshim.
Himara, Bregdeti ishte edhe dera e përpjekjeve që bëri biri i Gjergjit për të ardhur në luftë kundër osmanëve.
Mos vallë janë grekë?! Grekët e pritën, e përcollën, e mbështetën?!
E vërtetë është gjithashtu se Bregdeti ka qenë kryemëvedi, i panënshtruar.
Historia lexohet ndryshe nga çdokush.
Mirëpo kjo na ka edhe ne pjesë që nujk duhet të heshtim. Që nga antikiteti. Ka pasur ndonjë ngulim helen (si të pretendueshëm se janë paraardhës të grekëve) në Bregdet, në Himarë?
Tash, ta rilidh me Micotaqisin. Për ata pak njerëz që ndihen grekë edhe nëse AND-ja u tregon gjak shqiptar, ka të drejtë t’i shohë, përqafë e kujdeset. Mirëpo jo të na flasë për vetëvendime. Në tokën tonë jo! Në Bregdetin, Himarën tonë jo!
E tash “tung e bofshi”, se merak nuk kam se greqizohemi, pasi historia na dëshmon se nëse do të kishim qenë apo të kishte qenë tokë e huaj, pse do të vuanin sot e kësaj dite fqinjët e tejshëm jugorë që jetojnë poshtë Çamërisë për të na bindur se nuk është e jona?!
Nëse nuk u greqizuam qindra e qindra motmote, megjithë vështirësitë, skamjen, përpjekjet greke për të na zvetënuar, ndryshuar emra, pushtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pensionet e harramura, teknologjinë përparuese që është një mundësi më shumë për atë greqizim, përse të kemi frikë?
Domosdo që jo, sepse Bregdeti, Himara është e jona!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionia në fuqi, Besa Famgas e ka fituar ndeshjen e…