‘E kam shtetin n’dorë, ta bi këtu Vuçiqin’: Kështu u kërcënua aktorja preshevare nga drejtori Kujtim Sadriu

18 tetor 2023 | 19:00

Para dy muajve aktorja e vetme shqiptare në Luginën e Preshevës, Egzona Salihu u largua nga puna. Aktorja e njohur, kishte hedhur akuza në drejtim të drejtorit të Shtëpisë së Kulturës në Preshevë, Kujtim Sadriut. Periskopi ka siguruar një audio-inçizim mes z.Sadriu dhe znj.Salihu, ku ai i thotë aktores se ‘e ka shtetin (serb v.j.) në dorë”, ‘ta bi Vuçiqin këtu”.

Aktorja shqiptare, Egzona Salihu, kishte pranuar të punësohet formalisht si ndriçuese në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, e të marrë rrogë të ndriçueses, vetëm që t’i mundësohet aktrimi atje, meqë Serbia nuk ia njihte diplomën e Universitetit të Prishtinës.

Ajo ishte e vetmja aktore grua në këtë shtëpi kulture, por, nga e mërkura e 16 gushtit edhe kjo formë e angazhimit iu bë e pamundur – tash jo nga Serbia, por nga vetë zyrtarët shqiptarë në Preshevë.

Përmes një postimi në Facebook, Salihu kishte shprehur revoltën e saj hapur, derisa ka zbuluar se kishte kohë që ishte ballafaquar me “shantazhe, maltretime e kërcënime”.

Periskopi ka siguruar një audio-incizim të një përplasje që kishte pasur aktorja me drejtorin Sadriu.

Në këtë audio-incizim Kujtim Sadriu dëgjohet teksa thotë se e “ka shtetin në dorë “.

Tutje gjatë debatit që ai ka pasur me aktoren Salihu shprehet se ” unë ta bij Vuçiqin qetu …”

Debatin mes Egzona Salihut dhe drejtorit Kujtim Sadriu e gjeni më poshtë:

Kujtim Sadriu: Uneështetin e kam në dorë edhe unë i fshilloj, i urdhnoj edhe i bi.

Egzona Salihu: Cilin shtet?

Kujtim Sadriu: Krejt i kam në dorë, prej qetu, në Beograd e (nuk kuptohet)

Egzona Salihu: Në Beograd po, teatri i shk*ive nuk mundet me ardhë këtu.

Kujtim Sadriu: Qysh? More unë ta bi Vuciqin qetu

Egzona Sadriu: S’mund e bjen Vuciqin qetu, në Festival të shqiptarëve jo.

Kush është Kujtim Sadriu, pse u largua nga puna Egzona Salihu dhe pse u përfshi në këtë çështje këshilltarja e kryeministrit Kurti, Ardita Sinani?

Kujtim Sadriu ka qenë ish-kandidat për deputet në zgjedhjet nacionale në Serbi. Ai ishte në listën e Partisë Liberale Demokratike të Çedomir Jovanoviq në vitin 2014.

Sadriu ka lidhje familjare me Prindon Sadriun, bashkëshortin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, madje në profilin e tij në Facebook mund të gjenden foto të përbashkëta.

Kujtim Sadriu u emërua drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Preshevë. Duke e mbajtur këtë pozitë, ai dy muaj më parë pati një përplasje me aktoren Egzona Salihun, pasi kjo e fundit e akuzoi Sadriun se e largoi nga puna në Shtëpinë e Kulturës me arsyetimin se “nuk u respektua orari i punës”. Aktorja Salihu ka thënë se arsyeja e vërtetë kanë qenë “inatet politike”.

Po me kanë larguar me arsyetimin e mos respektimit të orarit. Datat të cilat janë përdorur në atë vendim kam arsyetim po këto janë përdorur vetëm për ta kryer qëllimin e tij që ka qenë gjithmonë largimi im nga puna. Arsyeja e vërtet e largimit ka qenë inate personale politike sepse unë përballem me probleme dhe padrejtësi me shume se një vit që nga emërimi i këtij drejtori“, ishte shprehur Salihu.

Ajo kishte thënë se do t’i ndjekë hapat ligjor për këtë vendim të drejtorit Sadriu.

Kujtim Sadriu në reagimin e tij në Facebook, por edhe ne intervista kishte thënë se arsyeja e vetme e largimit është mosrespektimi i orarit.

Ndërprerja e kontratës nuk ka të bëjë absolutisht me politikë. Nga puna është larguar për arsye të mos respektimit të kodit të punës dhe sjelljeve që ka pasur. Vlen të theksohet se Egzona Salihu është e punësuar nga pushteti i Shqiprim Arifit, tre vjet më parë“, kishte thënë Sadriu.

Reagim për këtë rast kishte pasur edhe nga këshilltarja politike e kryeministrit Albin Kurti, Ardita Sinani.

Ajo ishte shprehur se vendimi është nënshkruar nga një drejtor “që vetëm për kulturë nuk njihet”.

Me keqardhje u njoftova sot se Shtëpia e Kulturës merr vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, aktores së vetme të Teatrit të Preshevës, Egzona Salihut. Me arsyetimin se Egzona nuk ka respektuar disiplinën e punës! Vendim ky i nënshkruar nga një drejtor që vetëm për kulturë nuk njihet. As të teatrit, as të komunikimit e të asnjë lloji tjetër”, kishte thënë Sinani.

Ndaj saj kishte replikuar zotëri Sadriu duke thënë se këshilltarja e kryeministrit Kurti, Ardita Sinanin po bënë politikë kundër Luginës së Preshevës dhe po iu del “në mbrojtje parazitëve”.

Është shumë e keqe kur e shoh këshilltaren e kryeministrit Kurti, Ardita Sinani, e cila nuk ka njohuri rreth kulturës dhe kodit të punës, dhe reagon njëanshëm. Në vend se të përkrahë dhe të motivojë njerëzit që të rrinë në punë, ajo i përkrahë parazitët. E shfrytëzon pozitën e saj për të bërë politikë me qeverinë e Kosovës, kundër Luginës së Preshevës, duke iu dalë në mbrojtje parazitëve”, ishte shprehur Sadriu.

Ndërsa, deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e kishte quajtur të ulët e të mjerë vendimin e marrë.

“Sa keq. Sa ulët. Sa mjerë. E njëjta Egzonë që për shkak të mosnjohjes së diplomës nga Republika e Kosovës ka pranuar e përzgjedhur të ushtrojë profesionin e vet qoftë edhe duke u paguar si ‘ndriçuese’ e jo aktore, vetëm e vetëm të qëndrojë në vendlindje. Si heroinë e vërtetë. Pa u joshur nga mundësitë jashtë vendlindjes, por duke qëndruar këtu në mesin tonë”, kishte thënë Kamberi.

“Diplomën nuk ia njohu Serbia – kontributin në vendlindje nuk po ia njohin sherifët lokalë. Egzona sot është dëshmia e radhës që koha për të ngritur zërin bashkërisht po perëndon. Sot Egzona, nesër dikush tjetër. Mjaftë më”, kishte thënë Kamberi në reagimin e tij./PERISKOPI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, së bashku me bashkëpartiakë dhe…