‘EC Ma Ndryshe’: Komuna e Prizrenit nuk respekton dispozitat e Ligjit për qasje në dokumente publike

14 tetor 2019 | 13:30

Qeveria komunale e Prizrenit nuk është duke i respektuar dispozitat ligjore për qasje në dokumente publike në rastin e kërkesës së OJQ-së ‘EC Ma Ndryshe’, lidhur me emërimin përkatësisht zëvendësimin e një anëtari të Komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e projekteve të OJQ-ve për mbështetje financiare publike sipas thirrjes publike nga fushat e turizmit dhe zhvillimit ekonomik në Komunën e Prizrenit për vitin 2019.

“EC Ma Ndryshe nga fundi i muajit korrik ka kërkuar nga Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik vendimin për zëvendësimin e një anëtari të këtij Komisioni, me saktësisht të drejtorit ekzekutiv të EC-it. Drejtoresha e Turizmit fillimisht ka pohuar se përgjigjet ndaj kësaj kërkese do t’i ofrojë pas kthimit nga pushimi, ndërkohë që më pas ka sugjeruar që kërkesa të adresohet në Drejtori. ‘EC Ma Ndryshe’ më 3 shtator 2019 ka adresuar kërkesën për qasje në dokumente publike në DTZHE. Pas kësaj kërkese, drejtoresha e DTZHE-së, Sevil Kazaz përmes një përgjigjeje të ofruar më 6 shtator 2019 ka kërkuar nga EC-i që t’i drejtohet organeve kompetente, të cilët kanë lëshuar vendimin, pa dhënë asnjë sqarim shtesë orientues, siç obligon legjislacioni në fuqi për qasje në dokumente publike”, është thënë në komunikatën e ‘EC Ma Ndryshe’.

Po ashtu, më 12 shtator, kërkesa e njëjtë nga ana e EC-it i është adresuar Zyrës së Kryetarit të Komunës së Prizrenit, ku edhe kjo e fundit nuk ka ofruar përgjigje përkatësisht nuk ka lejuar qasjen në dokumentin publik. “EC Ma Ndryshe përkujton se parimet e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike përkufizojnë se e drejta për qasje në dokumente publike e secilit person, si dhe garantimi dhe përmbushja e kësaj të drejte nga ana e institucioneve publike përbën një prej themeleve të institucioneve demokratike dhe transparente”, është thënë në këtë komunikatë për media.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Loja e mirë e kombëtares shqiptare në sfidën e zhvilluar…