Edhe deputeti i LDK-së që kishte dilemë, do ta votojë qeverinë Hoti

28 prill 2020 | 08:02

Deputeti i LDK-së, Ardian Shala, i cili ishte në dilemë se a do ta votonte apo jo qeverinë e re, me mandatar për kryeministër Avdullah Hotin, është pajtuar ta përkrahë në Kuvend formimin e qeverisë nga partia e tij, bashkë me AAK-në dhe Nismën.

Këtë e kanë konfirmuar për ‘Reporteri.net’ burime brenda Degës së LDK-së në Suharekë, prej nga vjen deputeti Shala. Vendimi i Shalës për të mos kundërshtuar vendimet e Këshillit Drejtues të partisë së tij, që LDK-ja ta krijojë qeverinë e re, ka ardhur pas një mbledhje që ai ka mbajtur dje me degën e kësaj partie në Suharekë, prej nga edhe vjen deputeti në fjalë.

Shala për votën e tij për qeverinë LDK-AAK-NISMA ka marrë mbështetjen e Degës së LDK-së në Suharekë. “Unë edhe herën e parë e kam respektuar vendimin e Këshillit të Përgjithshëm për koalicion me LV-në. Nuk jam për me blloku e me kundërshtu LDK-në. Do ta shohim me kohë e do të vendos, pasi është kryeministri i LDK-së”, tha ai sot.

“Është situata konfuze. Nuk mundem tani me u përcaktu. Do ta analizoj situatën dhe përbërjen e qeverisë. Jam i papërcaktuar ende”, ka shtuar Shala në bisedën për Reporteri.net para se të konsultohet me degën e tij.

Nga deputet e LDK-së që duket se vazhdojnë ta kundërshtojnë përpjekjen e partisë së tyre për krijimin e qeverisë së re, gjatë kësaj jave tashme kundër mbeten vetëm Haxhi Avdyli, Fatmir Rexhepi dhe Vjosa Osmani. Kjo e fundit, kryeparlamentare e Kuvendit të Kosovës, e cila u zgjodh sipas marrëveshjes LDK-LV e cila funksionoi vetëm rreth 50 ditë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ditët e fundit në mediat ndërkombëtare janë shpërndarë disa lajme…