
Edhe një sukses dhe paraqitje brilante nga Besiana Mehmedi në koncertin “Nga Dibra në Arbëri”
Besiana Mehmedi dhe miqtë e saj janë ngjitur në skenën e Pallatit të Kulturës në zemrën e vendlindjes së Kryeheroit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, duke sjellë një mbrëmje që do të kujtohet gjatë: një koncert solemn që bashkoi shqiptarë nga të gjitha trojet, në emër të artit, identitetit dhe krenarisë kombëtare.
Komuna e Dibrës pati privilegjin dhe nderin të mirëpresë artistët më të shquar të kombit, në një ngjarje që shënoi me madhështi 620-vjetorin e lindjes së Skënderbeut. Të pranishëm ishin deputetë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, rektori i Universitetit të Tetovës z. Jusuf Zejneli, ambasadori i R. Shqipërisë z. Denion Mejdani, një publik që me aq admirim ndiqte çdo pikë muzikore dhe performancë!
Koncerti u hap nga protagonistja kryesore e mbrëmjes, artistja dhe profesoresha Besiana Mehmedi, me një interpretim të jashtëzakonshëm artistik e emocional në këndim por dhe në një moderim shumë të natyrshëm që vuri komunikim të drejt për drejt me spektatorin që kishin mbushur sallën plot. Ajo interpretoi me mjeshtri këngë për Skënderbeun “Hej ju mare” nga Çesk Zadeja, këngë premierë dedikuar Dibrës dhe Skënderbeut, me tekst nga Shkodran Tolaj dhe muzikë nga Sami Piraj. E veshur në petkun arbëresh ajo interpretoi këngën e dhimbjes “Moj e bukura Arbëri”
Në skenë u ngjitën emra të shquar si aktori Xhevat Limani i cili shkëlqeu në rolin e Skënderbeut, sopranoja Mariana Leka – Mjeshtër i Madh e cila interpretoi me mjeshtri “Agimet shqiptare” dhe “Moj e bukura More”! Pjesë e programit ishin kori i studentëve të Universitetit të Tetovës nën dirigjimin e profesor Arifikmet Xhemailit të cilët interpretuan bukur “Porsi fleta e ejllit të Zotit”, “Për mëmëdhenë”, “O trima luftëtarë” duke u bashkangjitur më pas në pikën kulminante të mbrëmjes dedikuar Skënderbeut- trashëgimtarit më dinjitoz të Gjergj Kastriotit Skënderbeut në luftë për liri! “Legjendat këndoja me mall” u duartrokit fuqishëm nga spektatorët dhe këtu shkëlqyen kori, Xhevat Limani e Besiana Mehmedi!
Programi mori edhe nivel akademik me fjalimin e Muhamet Malës- akademik nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës!
Pjesa solemne e koncertit ishte pikërisht pjesa e dueteve të bukura të cilat publiku i këndoi bashkë me këngëtarët “Rrjedh në këngë e ligjërime”, këngën e kompozitorit dibran “Këngë moj” si dhe “Valsin e lumturisë”
Në fund të programit maestro Zhani Ciko, mbylli mbrëmjen me një interpretim madhështor të himnit të Evropës kënduar nga kori dhe solistet Besiana Mehmedi dhe Mariana Leka duke i dhënë edhe frymën evropiane këtij koncerti!
Në fund të pranishmit i përshëndeti drejtori artistik Shkodran Tolaj i cili ka punuar gjatë kohë për programin, konceptin dhe çdo detaj teknik të kësaj ngjarje të rrallë dhe koncerti të jashtëzakonshëm.
Kjo mbrëmje u kurorëzua me fjalën e profesorit Muhamet Mala, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i cili thelloi mesazhin e Skënderbeut si simbol i për bashkimit dhe krenarisë kombëtare.
Faleminderim i veçantë për drejtorin artistik Shkodran Tolaj, i cili me përkushtim të plotë realizoi një program që i dha Dibrës vendin që i takon – si vatër e kulturës dhe krenarisë shqiptare!