Edi Rama arrin marrëveshje 6 miliardë dollarëshe me ShBA-në për gazin amerikan
Shqipëria po bëhet pjesë e një projekti të madh ndërkombëtar në fushën e energjisë që përfshinë partnerë amerikanë dhe grek. Bëhet fjalë për një marrëveshje prej 6 miliardë dollarësh që është nënshkruar këtë në mes të kompanisë shqiptare “ALBGAZ, Venture Global”, një kompani që aktivitetin e saj e ka të përqendruar tek gazi natyror i lëngshëm i prodhuar në Amerikë dhe “Aktor LNG” një kompani greke me përvojë në këtë sektor.
Një marrëveshje 20-vjeçare në fushën që synon furnizimin e Evropës jugore me gaz të lëngshëm nga ShBA-ja. Konkretisht bëhet fjalë për krijimin e infrastrukturës së nevojshme në Vlorë për importin e gazit i cili do të importohet nga ShBA-ja me anije dhe përmes procesit të rigazifikimit të kthehet në gaz të lëngshëm.
Qeveria ka parashikuar po ashtu që të rivitalizojë qendrën e energjisë në Vlorë (aty ku do të vendoset impianti), shndërrimin e termocentralit ekzistues si dhe rritjen e kapacitetit të ri gjenerues prej afërsisht 250 MW. Po ashtu është parashikuar ndërtimi i tubacionit Fier-Vlorë, duke e lidhur këtë qendër me rrjetin kombëtar dhe rajonal të transmetimit të gazit.
Qendra e Energjisë e Vlorës gjithashtu mund ta pozicionojë vendin tonë si një portë strategjike për energjinë në Ballkanin Perëndimor. Duke lidhur importet e gazit të lëngshëm me tregjet rajonale.
Marrëveshja është firmosur në prani edhe të ambasadores Amerikane në Greqi e cila është pritur nga kryeministri Edi Rama me përqafim.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, përmes një postimi në “X”, ajo ka bërë me dije se me këtë projekt po çon përpara agjendën e presidentit Donald Trump.
“Isha i nderuar të udhëtoja në Tiranë për të çuar përpara agjendën energjetike të presidentit Donald Trump dhe t’i bashkohesha kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje historike mes Shqipërisë, ‘Venture Global’ dhe ‘Aktor LNG’ për një marrëveshje 20-vjeçare amerikane të gazit natyror të lëngshëm (LNG).Ky angazhim prej 6 miliardë dollarësh forcon sigurinë energjetike, dhe sigurinë kombëtare, në të gjithë rajonin. Jemi krenarë të ndërtojmë mbi punën e shkëlqyer të Doug Burgum, Chris Wright dhe këshillit kombëtar për dominimin energjetik. Kur SHBA-ja, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku, ky rajon bëhet më i lidhur, më i sigurt dhe më i begatë”, ka shkruar ambasadorja amerikane.
Ndërsa, kryeministri Edi Rama në konferencën për mediat e ka cilësuar si një marrëveshje historike dhe një nga projektet që forcon partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Një element kyç i këtij rrugëtimi është partneriteti me SHBA, që mbështetet në zotimin e përbashkët ndaj sigurisë energjetike. Vlora do të kthehet në një pikë kritike për energjinë në Evropën juglindore”, ka thënë Rama.
E pranishme në këtë ngjarje ka qenë edhe e ngarkuara me punë e ShBA-së, Nancy VanHorn. /Report tv



