
Edi Rama kërkon shkarkimin e nënkryetarëve të bashkive: Janë të lodhur dhe të konsumuar
Pas drejtorëve të bashkive dhe kryetarëve të njësive administrative, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka kërkuar edhe shkarkimin e nënkryetarëve të bashkive në të gjithë vendin.
Gjatë një takimi me kryebashkiakët në Durrës, kreu i qeverisë deklaroi se nënkryetarët janë të konsumuar dhe duhet një rifreskim i tyre, duke theksuar se ata nuk po performojnë siç duhet. “Nënkryetarët i shoh të rraskapitur. Ju qeshni, por edhe dy vjet keni (i drejtohet kryetarëve). I shoh shumë të lodhur, Pjerin, nënkryetarët. Bëni mirë t’i shkarkoni të gjithë dhe të bëni një rifreskim të madh. Nënkryetarët që merren me çështjet urbane dhe rurale duhet të jenë më energjikë. Departamentet e bujqësisë duhet të jenë shumë më të artikuluara,” u shpreh Rama.
Deklaratat e Ramës vjen pak orë pasi ai vendosi ultimatum deri ditën e hënë që të shkarkohen drejtuesit e të gjithë Njësive Administrative në vend./Euronews Albania