Eja prapë të shtunave

26 maj 13:42

Qëndrim Morina

 

(In memoriam)

 

E dashur vjehërr, eja prapë të shtunave,

se u ngrysëm…

 

U sos vaji ynë,

siç soset vaji i kandilit.

U thanë lotët tanë,

siç thahen lulet pa ujë n’pikë t’zhegut…

 

Eja prapë të shtunave,

ngjit shkallët gjer në katin e shtatë,

le të dalin pikla djerse,

gjersa vjen të na shohësh,

çikën, fëmijët, mua…

 

Atë natë që rrotulloheshe,

për këndej a andej…

S’e shihnim qiellin blu,

e shihnim në kapakët e tu të lodhur,

që dridhej i plotë në sytë e tu…

 

Kurrkush, që nga ka ardhur jeta,

s’shpëtoi nga leqe,

megjithatë,

s’do të harroj hakërrimin tënd,

teksa po largoheshe,

çove dorën lart,

të bërë grusht,

me gjysmë zëri,

më the: guri jam!

 

Krejt e dimë,

Çika, fëmijët, unë,

që më s’do të vish,

megjithatë,

Ne të presim të shtunave…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. dr. Haqif MULLIQI DRAMATURGJI Bota në të cilën veprojnë…