Ekonomia e Kosovës në 2022-n përballë krizës së pandemisë dhe luftës në Ukrainë

01 janar 2023 | 13:17

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, para medieve ka paraqitur zhvillimet në ekonomi dhe në sektorin financiar.

Ai ka thënë se me gjithë vështirësitë me të cilat është ballafaquar, BQK-ja ka arritur edhe këtë vit t’i zbatojë objektivat e saj, duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm, i cili vitet e fundit arriti t’i përballojë me sukses krizat e shkaktuara nga pandemia Covid-19, edhe nga agresioni rus në Ukrainë, por edhe të jetë një nga shtyllat kryesore të mbështetjes për bizneset dhe individët dhe të ekonomisë së vendit.

Sipas Mehmetit, gjatë vitit 2022 ndryshimi i dinamikave globale, si pasojë e luftës në Ukrainë që u shoqërua me rritje të inflacionit, ndryshim të politikave monetare dhe rritje të normave të interesit dhe ngadalësim të rritjes së tregtisë botërore si rezultat i ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit, u reflektua edhe në aktivitetin ekonomik në Kosovë.

Ai ka bërë me dije se sipas vlerësimeve të BQK-së, BPV-ja në vitin 2022 pritet të shënojë rritje të ngadalësuar prej 3 deri në 4 për qind, kryesisht për shkak të tkurrjes së kërkesës së brendshme dhe rritjes së importit, ndërsa eksportet kanë ndikuar pozitivisht.

Po sipas Mehmetit, viti 2022 shënoi një ritëm më të shpejtë të rritjes edhe për remitencat e dërguara nga diaspora në Kosovë, të cilat deri në fund të muajit tetor 2022 arritën në 1 miliard euro, që paraqet rritje vjetore prej 5.5-përqindësh.

Ndërkaq rritja e kërkesës së brendshme në Kosovë gjatë këtij viti u reflektua në një vlerë më të lartë të importit të mallrave, i cili deri në shtator 2022 shënoi vlerën 4.15 miliardë euro apo një rritje vjetore prej 24.6-përqindësh. Në anën tjetër, eksporti i mallrave shënoi vlerën prej 688.0 milionë eurosh, duke shënuar rritje vjetore prej 27.1-përqindësh, kurse eksporti i shërbimeve deri në shtator 2022 shënoi vlerën prej 2.05 miliardë eurosh, duke shënuar rritje vjetore prej 32.8-përqindësh, që ka ndodhur kryesisht si rezultat i rritjes së vizitave të bashkatdhetarëve tanë dhe turistëve në vend.

“Me rritje u karakterizua edhe importi i shërbimeve që deri më shtator 2022 regjistroi vlerën prej 901 milionë eurosh”, ka thënë guvernatori Mehmeti.

Sa iu përket investimeve të huaja direkte, vlera e tyre deri në shtator 2022 arriti në 567 milionë euro në krahasim me vlerën prej 395 milionë eurosh të regjistruar deri në shtator 2021.

“Mesatarja e inflacionit deri në nëntor 2022 shënoi normën prej 11.5-përqindësh në krahasim me mesataren vjetore prej 3.4-përqindësh për vitin 2021, ndërsa norma e inflacionit vetëm për muajin nëntor 2021 ishte 11.5 për qind, gjë që tregon se po ballafaqohemi me një trend në rritje të nivelit të përgjithshëm të çmimeve. Rritja e normës së inflacionit në Kosovë kryesisht reflekton rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare të cilat në Kosovë transmetohen përmes rritjes së çmimeve të mallrave të importuara. Sa i përket sistemit financiar, është shumë e rëndësishme të theksohet se Kosova ka arritur të ndërtojë një sistem financiar të shëndoshë, i cili jo vetëm se u dëshmua i aftë t’i përballojë krizat e shkaktuara nga pandemia dhe agresioni rus në Ukrainë, por edhe të marrë një rol shumë të rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë për ta përballuar krizën me pasoja sa më të vogla që ishte e mundur. Gjithsej mjetet e sistemit financiar më 30 tetor 2022 ishin në vlerë prej 9.43 miliardë eurosh, me një rritje vjetore prej 10.2-përqindësh”, ka treguar Mehmeti.

Sektori bankar, si komponentë kryesore e sistemit financiar në vend, edhe këtë vit po luan rol shumë të rëndësishëm në përkrahjen e ekonomisë së vendit duke vazhduar ritmin e rritjes së kreditimit dhe ta ruajë shkallën e qëndrueshmërisë.

Çfarë e pret ekonominë e Kosovës në vitin 2023?

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se ka shumë mundësi që vendet e Bashkimit Evropian të futen në recesion apo rënie të përgjithshme të aktivitetit ekonomik në vitin 2023 e që, gjithashtu, edhe Kosova do të jetë në rrezik nga recesioni ekonomik.

“Vitin 2023 po e ndaj në dy pjesë. Deri në qershor-korrik e shoh si një sfidë shumë të madhe. Siç janë duke shkuar trendët dhe sipas disa raporteve që kam arritur t’i lexoj, parashihet mundësia shumë e madhe që disa shtete të Bashkimit Evropian të hyjnë në recesion. Nëse tregu evropian hyn në recesion, ai automatikisht reflekton edhe në Kosovë. Tregu evropian nuk ka pasur recesion nga viti 2008. Nëse i shpëtojmë kësaj, atëherë pjesa e dytë e vitit është më optimiste. Më bën optimist se çmimet e derivateve kanë filluar të bien. Vendet e Bashkimit Evropian kanë siguruar burime alternative të energjisë dhe nuk janë të varura nga gazi rus. Po ashtu, në tregun evropian çmimi i gazit nuk ka pësuar ngritje dhe ka filluar të bjerë. Shpenzimet e transportit ndërkombëtar kanë filluar të bien. Këto janë indikacionet që më çojnë në pjesën e dytë… Nëse nuk hyn tregu evropian në recesion, pjesa e dytë do të jetë më optimiste”, ka theksuar Rafuna.

Të evitohet shndërrimi i Kosovës në shtet social, të shndërrohet në shtet zhvillimor

Njohësi i ekonomisë, Safet Gerxhaliu, thotë se qytetarët e Kosovës kanë problem që nuk i pranojnë krizat si kriza, edhe pse kjo, sipas tij, i prek më së shumti ata dhe ekonominë e shtetit.

“Në Kosovë problemi më i madh është që nuk po pranohet kriza si krizë dhe derisa të gjitha vendet e rajonit marrin masa për ta sensibilizuar efektin negativ të krizës, në Kosovë promovohen inflatorë të ndryshëm ekonomikë që i paraqesin si negativë, që defenitivisht krizën sot e përjeton qytetari i Kosovës. Krizën është duke e përjetuar sektori privat dhe në këtë drejtim vërtet efektet e krizës do të jenë shumë të mëdha dhe është një humbje urgjente e ekonomisë së një shteti”, ka thënë Gërxhaliu. Ai ka theksuar se gjatë vitit 2022 shqetësues ishte edhe ngritja e çmimit të energjisë, peletit dhe drunjve, si dhe produkteve të tjera konsumuese.

Kritikat e tij Gërxhaliu i ka ngritur për qeverinë e vendit, pasi nuk po punohet për uljen e pasojave negative të krizës dhe pakkush po i qan njerëzit që gjenden në varfëri ekstreme. “Shtetet e tjera kanë përdorur strategji dhe mekanizma për të qenë më afër qytetarëve, që t’i ulin pasojat negative të krizës. Por në Kosovë promovohet rritja ekonomike, promovohet rritja e të hyrave, promovohet punësimi, promovohen ilustrimet, ndërsa njerëzit e shtresës së mesme dhe qytetarët e varfër që janë nuk varfëri ekstreme pakkush po i qan”, ka theksuar ai.

Gërxhaliu ka thënë se Qeverisë së Kosovës i mungon një dialog me qytetarët, duke theksuar se qeveria aktuale duhet ta evitojë shndërrimin e Kosovës në shtet social dhe të punojë për ta shndërruar vendin në shtet zhvillimor.

ATK-ja inkasoi 721 milionë euro në 2022-n

Vitin 2022 do ta karakterizojë tejkalimin e të gjitha parashikimeve në mbledhjen e të hyrave për buxhetin e shtetit të cilat shënojnë 721.6 milionë euro, që i bie se, përveç realizimit të planit për këtë vit, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka arritur të inkasojë mbi 10 milionë euro më shumë se plani i rishikuar.
Rritje dhe tejkalim të të hyrave ka edhe nëse krahasojmë këtë vit me vitin 2021, ku shifrat shkojnë në 124 milionë euro.

Mbledhja e të hyrave nuk është i vetmi indikator që ATK-ja ka shënuar progres në vitin që lamë pas, progres ka edhe në trajtimin e borxheve tatimore, te të cilat është arritur të kemi 152.2 milionë euro borxhe të mbledhura. Veç kësaj, vitin që lamë pas janë ndërmarrë një numër i konsiderueshëm i aksioneve për konfiskim të borxheve ndaj tatimpaguesve të cilët nuk i kanë respektuar afatet dhe kushtet për t’i kryer obligimet tatimore.

Fokusi i ATK-së në vitin 2022 ka qenë më theks të veçantë në përmirësimin e përmbushjes tatimore në sektorët të cilët, sipas analizës së riskut, kanë paraqitur hendek tatimor. ATK-ja gjatë vitit 2022 u vlerësua lart për performancën e saj nga të gjitha institucionet ndërkombëtare të cilat bëjnë monitorimin e punës së ATK-së, sikurse raportet e vlerësimit nga FMN-ja, raporti i KE-së, OECD-së, USAID-i, si dhe vlerësimet nga Ambasada e Britanisë së Madhe dhe institucionet e tjera. /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emigrimi i qytetarëve të Kosovës dhe fuqisë punëtore edhe në…