Mbi 200 mjekë e lëshuan Kosovën

01 janar 2023 | 13:11

Emigrimi i qytetarëve të Kosovës dhe fuqisë punëtore edhe në vitin 2022 ka vazhduar të jetë një ndër sfidat kryesore për institucionet dhe shoqërinë, sidomos në sektorin e shëndetësisë.

Vetëm gjatë këtij viti nga Kosova janë larguar 215 mjekë.

Pavarësisht prej kornizës ligjore dhe mekanizmave të ndërtuar për koordinimin dhe implementimin e politikave për migrim, mungojnë masa adekuate institucionale për ta adresuar largimin e qytetarëve jashtë vendit.

Mungesa e kushteve të punës në sektorin publik, pagat e ulëta dhe mospërputhja e kurrikulës arsimore me kërkesat e tregut të punës, kanë sjellë si pasojë “largimin e trurit”, duke shkaktuar emigrim të një numri të madh të mjekëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë, shkruan “Epoka e re”.

Kjo ndikon direkt në zhvillimin ekonomik të vendit dhe ngrit nevojën për aktivizim të menjëhershëm të institucioneve. Mangësitë në sektorin publik të shëndetësisë kanë dëmtuar mirëqenien e qytetarëve në përgjithësi, duke sjell si rezultat largimin e tyre në masë të madhe jashtë vendit për kushte më të mira dhe qasje më të lehtë në shërbime shëndetësore.

Kërkesat e vendeve të zhvilluara për fuqi punëtore kanë rritur emigrimin e rregullt duke lehtësuar integrimin e mjekëve dhe punëtorëve shëndetësorë emigrantë.

Ky trend i migrimit kërkon rritjen e buxhetit për sektorin e shëndetësisë, për të siguruar paga më të larta dhe vende të reja të punës. Në mungesë të masave adekuate institucionale, situata mund të përkeqësohet pa një strategji efikase të menaxhimit, është vlerësuar sipas raportit të ri të Grupit për Ballkan.

Brenda vendeve të BE-së ka lëvizje të mëdha të mjekëve. Aktualisht largimi i punëtorëve shëndetësorë nga Kosova është një problem i vazhdueshëm.

Edhe punëtorët shëndetësorë nga Kosova emigrojnë për të njëjtat arsye që emigrojnë punëtorët shëndetësorë nga vendet e tjera: për shkak të pagave të ulëta dhe për shkak të kërkesës së lartë për këtë profesion në vendet më të zhvilluara. Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, arsyet që më së shpeshti përmenden nga mjekët që largohen nga Kosova kanë të bëjnë me mungesën e vendeve të punës (38 % e të anketuarve), pagat e ulëta (31 %), kushtet e punës (27 %), arsye të tjera (4 %).

Sipas një studimi, 14.43 % e punëtorëve shëndetësorë të anketuar kanë deklaruar se dëshirojnë të emigrojnë, prej tyre 20.81 % e mjekëve të Kosovës kanë deklaruar se dëshirojnë të emigrojnë, 12.81 % e infermierëve dhe 13.59 % e punëtorëve të tjerë shëndetësorë. Edhe pandemia Covid-19 vetëm se ka rritur gatishmërinë për emigrim.

Pagat e ulëta dhe kushtet jo të kënaqshme të punës kërkojnë një përqendrim të veçantë institucional. Këta janë ndër faktorët kryesorë të emigrimit të punëtorëve në sektorin e shëndetësisë dhe, si të tilla, kërkojnë ndërhyrje të shpejtë në politika dhe strategji.

Mungesa e kushteve të nevojshme të punës dhe kapaciteteve të mjaftueshme teknike kërkon rritjen e financimit të përgjithshëm në këtë sektor. Institucionet duhet t’i rritin shpenzimet për shëndetësi për ta arritur mesataren e BE-së dhe kjo rritje në buxhet duhet të shoqërohet medoemos me rritjen e pagave për punëtorët shëndetësorë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë vitit 2022 Kosova nuk ka pasur asnjë njohje të…