Vazhdoi dështimi i politikës së jashtme edhe në vitin 2022, asnjë njohje

01 janar 2023 | 13:07

Gjatë vitit 2022 Kosova nuk ka pasur asnjë njohje të re. 2022-ta shënon vitin e dytë që Kosova nuk ka pranuar asnjë njohje të re. Kjo nuk po vlerësohet mirë as nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe as nga përfaqësuesit e opozitës të cilët thonë se kjo ka ardhur si shkak që diplomacia e Kosovës nuk ka qenë aktive në lobim dhe në bërjen e politikës së jashtme.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë raportimit të fundit për vitin 2022 në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ka thënë se nuk kanë asnjë njohje të re në tavolinë, por ka pohuar se ka lëvizje të shumta me shtete të ndryshme me të cilat nuk ka pasur asnjë lloj bashkëpunimi me republikën e Kosovës duke mos përmendur emra, shkruan “Epoka e re”.

“Sa iu përket njohjeve të reja, natyrisht që në aspektin teknik nuk kemi asnjë njohje të re në tavolinë, por kemi lëvizje të shumta me shtete të ndryshme me të cilat nuk ka pasur asnjë lloj bashkëpunimi me Republikën e Kosovës. Ka pasur një fushatë nga ana e Serbisë për çnjohje, por nuk kemi asnjë informacion që kjo fushatë të ketë pasur sukses në ndonjërin nga shtetet të cilat janë adresuar nga Serbia”, ka theksuar ajo.

Ndërkaq presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj në Konferencën e gjashtë të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, ka arsyetuar mungesën e njohjeve të reja, duke ia lënë fajin Serbisë. “Serbia vazhdoi veprimet aktive kundër pozitës sonë ndërkombëtare nëpërmjet kampanjës korruptive të bllokimit të njohjeve të reja dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare. Këto veprime të Serbisë i kemi luftuar në bashkëpunimin me shtetet aleate dhe kemi ndërmarrë hapa konkretë drejt krijimit të kanaleve të komunikimit me shtete jonjohëse dhe këtë vit, siç e dini, kemi paraqitur edhe kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe, po ashtu, aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Megjithatë, si politikë e jashtme duhet t’i shumëfishojmë edhe më tutje përpjekjet tona të përbashkëta për ta ndalur ndikimin e Serbisë te shtetet e tjera, sidomos duke e shfrytëzuar partneritetin tonë të afërt me shtetet mike që kemi në secilin kontinent”, ka thënë Osmani.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme do të duhej të ishte më aktive në politikën e jashtme. Sipas tij, Kosova do të duhej të kishte prioritet njohjen nga pesë vendet anëtare të BE-së. “Tani procesi është më i vështirë, pasi bëhet fjalë për shtete që kanë varësi nga shtetet që janë kundërshtare të pavarësisë së Kosovës. Kemi pasur lobim kundër njohjeve nga diplomacia serbe dhe kjo ka ndikuar në pengim të njohjeve të reja. Ka pasur hapësirë të bëhet edhe më shumë, sidomos nga Ministria e Punëve të Jashtme, që ta ketë më aktiv lobimin, të angazhojë kompani lobuese”, ka thënë Gashi.

Profesori Valon Murati ka thënë se politika e jashtme e shteteve të vogla si Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme, e balancuar, e fokusuar dhe e koordinuar me ata që i konsideron aleatë strategjikë. Ai thotë se kjo qeveri është konfuze sa i përket politikës së jashtme. “Përshtypja ime është që politika e jashtme e kësaj qeverie është konfuze dhe pa ndonjë busull të qartë. Ka një tension me aleatët kryesorë, sidomos me ShBA-në dhe BE-në, që lidhet kryesisht me qasjen rreth dialogut, dhe ka një izolim të pakuptueshëm në raport me shtetin shqiptar dhe mungesë të dukshme e koordinim të politikës së jashtme në kohën e ngritjes së peshës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka thënë Murati.

Avni Spahiu, i cili ka shërbyer ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara dhe në Turqi, thotë se MPJD duhet të aktivizohet dhe të sigurojë njohje të reja për Kosovën, që do ta fuqizonin subjektivitetin e saj ndërkombëtar. “Në të kaluarën Ministria e Jashtme ka pasur një program konkret se si t’u qasemi kërkesave për njohje të vendit, por mendoj se ka një stagnim në angazhimin e duhur të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Për fat të keq, po shihet një neglizhencë”, ka pohuar Spahiu.

Sipas tij, fokusi duhet të jetë në pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin ende Kosovën.
Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Kosova gjatë vitit 2022 ka mbetur pa politikë të jashtme reale.

“Në sinkron me presidenten, kryeministrin dhe ministren përkatëse, shteti ynë ka abstenuar nga politika e jashtme, duke e humbur shansin për t’i shfrytëzuar rrethanat e krijuara në fillim të vitit, për ta avancuar agjendën tonë shtetërore. I kemi bërë thirrje me kohë qeverisë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Partneritet me NATO-n. Për të parën ka pasur iniciativë të vonuar, e cila sot s’dihet se ku është, ndërsa për të dytën as edhe iniciativë. Aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, ekskluzivisht, ka qenë dhe do të dëshmohet i tillë, vetëm sa për sy e faqe dhe pa asnjë koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Në anën tjetër, gjatë këtij viti kur bota po rirreshtohej në vlera e parime, Kosovës nuk i ka ardhur asnjë njohje e re. As anëtarësim në organizata ndërkombëtare, asnjë avancim në marrëdhënie bilaterale”, ka thënë Krasniqi.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se një pushtet i paaftë brenda është i paaftë edhe jashtë. Sipas tij, ka dy vjet që Kosova nuk ka marrë as edhe një njohje, nuk ka bërë as edhe një anëtarësim, nuk ka bërë as edhe një shenjë të vetme në avancimin e çështjes së Kosovës nëpër botë.

“Mbi të gjitha, sot Kosova është bërë temë e deklarimeve zhgënjyese nga aleatët tanë që na qëndruan në përpjekjen tonë kolektive edhe për liri, edhe për pavarësi, edhe për demokraci. Kjo nuk është Kosova që e kemi menduar ndonjëherë”, ka thënë Abdixhiku.

Që nga shpallja e pavarësisë 117 shtete e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur. Izraeli është vendi i fundit që ka njohur pavarësinë e Kosovës dy vjet më parë pas marrëveshjes në mes të Kosovës e Serbisë në Uashington.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka deklaruar në vitin 2022,…