Ekonomia në kohën e pandemisë është politizuar në Kosovë

07 dhjetor 2020 | 11:09

Kuvendi i Kosovës ka miratuar të premten që lamë pas Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Miratimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike erdhi pas pajtimit të qeverisë Hoti me kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) lidhur me këtë projektligj. Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike nuk është përkrahur nga partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.

Një ndër propozimet e reja në kuadër të projektligjit është themelimi i një granti prej 200 milionë eurosh për ndihmë direkte financiare bizneseve të cilat kanë vështirësi të funksionimit si rezultat i ndikimit të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19.

Këto mjete do t’u shpërndahen të gjitha bizneseve sipas kritereve dhe kushteve të caktuara nga ana e një komisioni të posaçëm, i cili do të themelohet ekskluzivisht për këtë çështje nga Qeveria e Kosovës. Sipas këtij projektligji, të gjithë punëtorët që kanë humbur vendin e punës për shkak të ndikimit të pandemisë do të paguhen nga Qeveria e Kosovës me nga 300 euro për periudhën tetor-dhjetor 2020.

Edhe kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Sipas projektligjit, deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së 10-përqindëshit nga kontributpaguesi, Qeveria e Kosovës do ta kompensojë atë brenda pesë vjetëve të ardhshme. Projektligji ka paraparë që lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore në Kosovë, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit, të lirohet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSh).

Lidhur me kalimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re” ka folur njohësi i zhvillimeve ekonomike në vend, njëherësh sekretar i përgjithshëm në Forumin Investiv të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor në Trieste, Safet Gërxhaliu.

Ai ka thënë se ekonomia në kohë pandemie është politizuar në Kosovë, duke theksuar se është pritur pothuajse dhjetë muaj për të harmonizuar një ligj për rimëkëmbje ekonomike.

Gërxhaliu ka pohuar se në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike ka shkelje të të drejtave të njeriut. Sipas tij, ka një qasje shumë më tepër ndarëse ose selektive sesa që do të duhej të ishte.

“Miratimi i këtij ligji në Kuvend është një hap pozitiv, por nuk duhet pritur shumë. Sapo të fillojë ndarja e mjeteve do të kemi më tepër një efekt psikologjik sesa ekonomik, pasi qytetarët po mendojnë se është duke i mbështetur shteti por, në fakt, shteti vetëm po ua transferon shumën e mjeteve që ata kanë paguar nga të ardhurat e tyre”, është shprehur ai.

Gërxhaliu ka theksuar se ky ligj është një goditje për sektorin privat, në veçanti kur kemi parasysh faktin e informalitetit enorm të pranishëm në Kosovë.

“Epoka e re”: Z. Gërxhaliu, cilat janë pritjet tuaja pas miratimit të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike?
Gërxhaliu: Duke pasur parasysh faktin se është pritur pothuajse dhjetë muaj për të harmonizuar një ligj të tillë, edhe pse Kosova ndodhej në kohë pandemie, zvarritja që iu bë këtij projektligji nga deputetët e Kosovës dëshmon më së miri mjerimin se në çfarë gjendje është Kosova. Ky ligj është vonuar jashtëzakonisht shumë. Nëse një ligj i tillë përdoret si shkas për të shantazhuar dhe për t’u pozicionuar diku, atëherë mund të themi se me të vërtetë është një ligj i turpit. Në kuadër të këtij ligji ka edhe shkelje të të drejtave të njeriut. Ka një qasje shumë më tepër ndarëse ose selektive sesa që do të duhej të ishte. Ky ligj është një goditje për sektorin privat, në veçanti kur e kemi parasysh faktin e informalitetit enorm të pranishëm në Kosovë. Prandaj, pritjet nga ky ligj duhet të jenë të matura. Miratimi i këtij ligji në Kuvend është një hap pozitiv, por nuk duhet pritur shumë. Sapo të fillojë ndarja e mjeteve, do të kemi më tepër një efekt psikologjik sesa ekonomik, pasi qytetarët po mendojnë se është duke i mbështetur shteti por, në fakt, shteti vetëm po ua transferon shumën e mjeteve që ata kanë paguar nga të ardhurat e tyre. Këto para do të ndikojnë për rritjen e konsumit, i cili do të reflektojë në rritjen e inflacionit dhe eksportim të parasë së gatshme nga Kosova. Prandaj, Kosova në të vërtetë është në një situatë të mjerueshme kur luftohet për pushtet dhe jo për shtet, ku luftohet për pozicione dhe jo për ndihmë për qytetarët dhe bizneset private. Ajo çfarë është më shqetësuese, derisa vendet e rajonit do të kenë nevojë për rimëkëmbje në dy apo tri vitet e ardhshme, Kosovës do t’i duhet të paktën dyfishi i asaj kohe. Shto këtu faktin se të gjitha shtetet e rajonit kanë bërë më shumë për qytetarët dhe për bizneset. Në Kosovë ekonomia në kohë pandemie është politizuar dhe është ngulfatur ardhmëria e kësaj ekonomie.

“Epoka e re”: Çfarë shpenzimesh buxhetore duhet të shkurtohen në mënyrë që të kemi një rimëkëmbje më të shpejtë ekonomike?
Gërxhaliu: Duhet të kuptohet se e tëra çfarë kërkohet është të kemi sundim të rendit dhe ligjit. Duhet të kemi transparencë dhe deorientim nga asfalti dhe nga projektet kapitale, ku kemi shumë më tepër përfitime nga grupe të interesit dhe më së paku bëhet për bizneset dhe qytetarët. Në këtë drejtim duhet vërtet të kemi disiplinë financiare e cila me të vërtetë Kosovës i ka munguar, kur dihet se presionet politike janë aq të mëdha për financa. Kjo çështje do të mbetet sfiduese.

“Epoka e re”: Pritet që Kosova të ketë zgjedhje të nivelit lokal në vitin 2021, çfarë ndikimi do të ketë në aksin e rimëkëmbjes ekonomike?
Gërxhaliu: Këto zgjedhje me të vërtetë do të jetë barrë e rëndë për buxhetin e shtetit dhe do të duhej që të ketë presion që të shkurtohen shpenzimet buxhetore në këtë kohë. Kosova është në sfida të shumta dhe nëse dikujt i ka mbetur një grimë moral politik, atëherë duhet të mendohet për bizneset private, ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha, si dhe të mendohet më shumë për qytetarët e Kosovës.

“Epoka e re”: Kosova s’ka shënuar përparim sa iu përket investimeve të huaja. A duhet të jemi më fleksibilë pas pandemisë në këtë drejtim?
Gërxhaliu: Investimet e huaja në Kosovë nuk duhet të shikohen vetëm nga dimensioni ekonomik, por duhet të analizohen edhe në dimensione të tjera. Përderisa vendet e rajonit janë duke shënuar rekorde, ne kemi ngulfatur biznesin në Kosovë. Kemi raste të shumta kur përfitojnë grante dhe subvencione personat e lidhur me politikën. Prandaj nuk mund të mendojmë për donatorë dhe investime të huaja kur veprohet kështu. Kemi pak storie suksesi në Kosovë. Disa nga investitorët e huaj fillimisht po shikojnë se cila parti politike është në pushtet dhe tek pastaj po qasen në analiza ekonomike.

(Albulena S. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
 Trajneri i Lazios, Simone Inzaghi, është pyetur nga gazetarët rreth…