Ekrem Bardha, shqiptaro-amerikani që loboi aq shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës

29 korrik 14:44

Shkruan: Ferdinand Samarxhi
Fitues i Antenës së Artë/Mjeshtër i Madh

– Shqiptari që takoi gjashtë presidentë amerikanë, sekretarë shteti, senatorë, kongresmenë, ambasadorë…

-U arratisë nga Shqipëria, por kurrë dheun, vendin e vet, nuk e tradhtoi. Kosova ishte zemra e tij.

Në vend të prologut…

Në Panteonin e artë të kombit, luftëra, epope, njerëz, lanë të skalitur, data, vende, ngjarje, figura që në udhëtimin e gjatë ndriçuan si yje në gjerdanin e tij të historisë.

Që nga fillimet e gjenezës, që edhe pse kohët me mjegullnajën dhe thellësitë e shekujve kërkojnë t’i zvenitin, ato më shumë ndriçojnë, me inkandeshente rrezatojnë historinë tonë. Që në zanafillë shkëlqen Panteoni ynë.

Kur ju të arrini në tokën e molosëve të sipërm atje do të gjendet tempulli më i lartë. Ai është tempulli Thesprot. Eskili, Prometeu i lidhur në vitin 538.

Prej këtu ku nis e njihet historia. Panteoni ynë gjithnjë do të shkëlqejë, me perandorë me origjinë ilire, me Pirron, Teutën, me shtatë papë iliro shqiptarë, me heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, me Ali Pashë Tepelenën, me Bushatllinjtë e Shkodrës, me vëllezërit Frashëri, ideologët e platformës të çlirimit kombëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me plakun e urtë e të mençur Ismail Qemalin që do ta ngrehte në Vlorë flamurin, me dom Nikoll Kaçorrin, Aqif Pashë Elbasanin, Isa Boletinin e Luigj Gurakuqin. Gjithmonë posedues Panteoni ynë dhe në vazhdën e tij.

Nënë Tereza, lavdia e kombit, kardinal princ botëror i Kishës, Ernest Troshani, sakrilegj i provincës hyjnore e matanë detit në anën tjetër të kontinentit, Fan S. Noli, Faik Konica, Fishta etj.

…Dhe në ditët e sotme do të skaliteshin në këtë Panteon lufta heroike e UÇK-së, komandanti legjendar Adem Jashari, udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, komandanti trim Ramush Haradinaj, diaspora amerikane, lobi i saj me shqiptaro-amerikanët që punuan me zemër dhe zjarr për vatanin, për lirinë e Kosovës. Sa më shumë viziton Panteonin më e gjallë bëhet historia, më të madhërishëm bëhen njerëzit që punuan për ta ndriçuar dhe lartësuar gjithnjë e më shumë.

…Në skalion të këtij Panteoni qëndron figurshëm dhe një prej shqiptaro-amerikanëve që loboi fort, që zemra i rrahu shumë për vendin e tij, Kosovën, për fatet e popullit të tij. Ky është Ekrem Bardha, njeriu që edhe pse u arratis nga Shqipëria, kurrë vendin e vet nuk e tradhtoi, por më shumë e deshi dhe pse vendi i tij ishte nën thundrën e kuqe të komunizmit.

…Tek po hynim në Kosovë, vëreja që burrin që kisha në krah dhe pse e kishte për të tretën herë që hynte në tokën martire të Kosovës, sytë po i lageshin, bulbëza të ndritshme pika-pika po binin një e nga një mbi mollëzat e faqeve të tij. Me këtë skenografi të syve të lotuar të tij mu drejtua: “Gazetar, Ferdinand, akoma më duket ëndërr që po hyjmë në Kosovën e lirë, në tokën martire”.

…Po udhëtonim drejt Prishtinës ku presidenti Thaçi me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe të 242-vjetorit të pavarësisë së ShBA-së kishte ftuar për ta falënderuar njeriun që bëri aq shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, lobuesin e zjarrtë dhe bashkëthemeluesin e lobit shqiptaro-amerikan, Ekrem Bardhën dhe më vajzën e tij, Donika Bardha.

3 korrik. Pritje emocionuese. Dy burra përmallen dhe shtrëngohen fort. Udhëheqësi politik i UÇK-së, presidenti i sotëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe shqiptaro-amerikani Ekrem Bardha, me vajzën e tij, Donikën, që të pamundurën bënë për Kosovën, që ajo sot të ishte e lirë.

Fjalët janë të pakta, prekëse, kujtimet e takimeve e të luftës, janë të shumta. Rrjedhin natyrshëm ashtu siç ndodhen, siç u përjetuan. Të dy burrat me devocion flasin për përpjekjet, për takimet, për gjenocidin e egër që ndodhi, për luftën, për emigrimin e shqiptarëve.

Bashkëbiseduesit theksuan se lufta heroike e UÇK-së ngriti popullin që t’i rrëmbente armët dhe t’i dilte zot dhe t’i bënte ballë luftës së egër të Serbisë.

Pritja solemne me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe 242-vjetorit të pavarësisë së ShBA-së

Ashtu siç ishte dhe lufta që bëri diaspora shqiptaro-amerikane, lobi i saj që arriti ta ndërgjegjësojë shtetin amerikan, presidentët, senatorët, kongresmenët, ambasadorët për thyerjen e mitit të statusit të veçantë të shtetit të favorizuar që gëzonte Republika Jugosllave në ShBA me gjenocidin e egër që po ushtrohej ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Luftë e vështirë, fakte kokëforte, gjenocid i paparë. Bisedime kokë me kokë me miq të mëdhenj amerikanë, derisa u arrit në marrjen e vendimit për sulm.

Një kujtim me udhëheqësin dje politik të UÇK-së, sot president i shtetit më të ri të hartës së botës, Kosovës. Nga e djathta z. Ekrem Bardha, presidenti Hashim Thaçi, Donika Bardha dhe Ferdinand Samarxhi

Kosova është dhe do të jetë gjithë jetën mirënjohëse diasporës amerikane, lobit të saj, në veçanti juve zoti Bardha si një ndër themeluesit, udhëheqësit kryesor të saj, patriotizmit dhe shqiptarizmit tuaj, vajzës suaj, Donikës dhe gjithë familjes suaj.

4 korriku, dita e 242-vjetorit të pavarësisë së ShBA-së. Ditë feste e shënuar dhe ngjarje e madhe dhe për Kosovën, për ShBA-në, shtetin që zë vendin e artë në Panteonin e historisë së Kosovës.

Një pritje me veneracion. Takim kuptimplotë. Dje udhëheqësi politik i UÇK-së, sot president i shtetit më të ri në hartën e botës, Hashim Thaçi, nis festën me pritjen e shqiptaro-amerikanit, Ekrem Bardha dhe vajzës së tij, Donikës.

Presidenti Hashim Thaçi vlerëson me dekoratën më të lartë të shtetit të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, z. Ekrem Bardha, themelues i Lobit Shqiptaro-Amerikan

Pikërisht sot, në ditën e festës së shtetit tuaj, ShBA-së, ndihem i motivuar që të mos harroj kurrë, vlerësoj dhe ta quaj të pamohueshme garancinë për bashkërritjen e fitores me luftën e madhe që bëri ShBA-ja, presidenti Bill Clinton, NATO-ja për shkatërrimin e regjimit militar të egër serb, që Kosova sot është e lirë. Po kështu ndihem aq i motivuar edhe për luftën e madhe të palodhur që bëri diaspora shqiptaro-amerikane, lobi saj në krye me ju, që luftoi pareshtur që në ditët e para të bindur edhe kur nuk besohej së Kosova do të çlirohej. Një punë e jashtëzakonshme, atdhetare e patriotike që Kosova kurrë nuk do ta harrojë. Dekorata e sotme më e lartë e shtetit të ri të Kosovës e akorduar për ju dhe vajzën tuaj, Donikën, me motivacion për kontributin tuaj për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, me të cilën janë nderuar dhe presidenti Bush dhe Clinton, është një mirënjohje dhe dashuri e veçantë për ju që luftuat për Kosovën dhe sot ju jeni jo vetëm një faktor lidhjeje dhe bashkëpunimi midis Kosovës dhe ShBA-së që bëri aq shumë për ne, por vazhdoni të loboni ende për rritjen e prestigjit të shtetit të ri të Kosovës. Duke falënderuar presidentin Thaçi për mirënjohjen e punës dhe luftës së tyre dhe duke i uruar ecje të mëtejshme shtetit të ri të Kosovës, bashkëbiseduesit u përqafuan duke uruar njëri-tjetrin për 242-vjetorin e pavarësisë së ShBA-së dhe 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Natyrshëm jeta, puna dhe lufta e zotit Bardha është një faqe e artë në historinë e Panteonit tonë që flet dhe motivon shumë.

Vajza e z. Ekrem Bardha, Donika dekorohet me medaljen më të lartë të shtetit për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës

Zoti Bardha, jemi të interesuar të bashkëbisedojmë me ju, për të shfletuar faqe të reja të historisë se panteonit tonë të artë. U larguat nga Shqipëria, nga Kolonja, në moshën 20-vjeçare. U arratiset pa ditur se a do të ishit gjallë matanë kufirit. Ç’ju shtyri të kishit ende dhimbje për Shqipërinë, të mos tradhtonit kurrë atë?
Ekrem Bardha: Vendosa të arratisem. Samiu, vëllai im i madh, ndodhej i burgosur, ndërsa Niaziu, vëllai tjetër dhe katër dajallarët, ishin arratisur. Ndodhesha në repartin e punës, ku si i deklasuar nuk shihesha me sy të mirë. Mbasi mora leje nga reparti i punës u nisa me shpejtësi në Radanj dhe tashmë kisha marrë vendimin e prerë ose do të arratiseshim së bashku me nënën dhe vëllezërit, ose fati ynë nuk dihej si do të shkonte. Nëna nuk më jepte përgjigje, por e kuptoja që arsyeja e vetme ishte Samiu i burgosur, si mund ta linim atë. Për një moment m’u duk sikur nëna u lëkund kur i përmenda se, përveç Samiut, ajo kishte edhe tre djem të tjerë, të cilët nuk duhet t’i humbte. Më në fund ajo pranoi dhe unë kurrë nuk mund ta harroj atë çast. Por, zemra e saj do të mbetej në birucat e burgut të Korçës, ku ndodhej Samiu, djali i saj.
U nisem para mesnatës, nëna, unë dhe dy vëllezërit më të vegjël, Myfitiu e Agimi. Në një moment nëna ndali dhe më thotë se unë mund të vazhdoja me vëllezërit, mbasi ajo nuk mundte më. Por të ikja vetëm me vëllezërit dhe ta lija nënën nuk kishte kuptim, kështu i thashë që o të gjithë bashkë ose asnjë. E mora nënën mbi shpinë dhe duke tërhequr dhe vëllezërit e vegjël kaluam dhe dy-tre qind metrat e fundit. Ishim në tokën greke. Na shoqëruan në Janinë ku na mbajtën të izoluar rreth 2 muaj. Qëllimi i tyre ishte t’i rekrutonin të arratisurit dhe t’i bënin bashkëpunëtorë me Asfalinë greke. E kisha vendosur që kurrë nuk do t’u shërbeja grekëve. Mbasi e kuptuan që nuk mund të na bindnin atëherë, mbas 2 muaj na transferuan në kampin e Llavros. Ndodhi një e papritur e madhe mbasi takuam Kajain, vëllanë e nënës dhe mbas shumë përpjekjesh ne e lamë kampin e Llavrios dhe shkuam familjarisht në Gjermani, ku takuam vëllanë, Niaziun. Pas disa muajsh Niaziu na lajmëroi që ishte aprovuar kërkesa për bashkim familjar dhe me anije u nisëm për në ShBA.

Takim i përzemërt i lobistit të madh të çështjes shqiptare, z. Ekrem Bardha me presidentin amerikan, George Bush

Si i përjetuat ju vitet 1957-1968 që nga hyrja juaj në ShBA?
Ekrem Bardha: Janë vite pune të papara të palodhshme në një shtet të lirë e demokratik, ku ligji, drejtësia shpreh të gjitha te drejtat e njeriut, puna paguhej e çdo gjë që e fitoje me djersën tënde ishte dhe bëhej pronë dhe pasuri e njerëzve. Ne shqiptarët e donim punën, e çmonim dhe e vlerësonim atë pavarësisht vendit tonë ku nuk respektoheshin të drejtat dhe liritë themelore të jetës, si garantimi i jetës, i punës dhe pjesëmarrja në të gjitha veprimtaritë politike-shoqërore, kulturore e sociale. Në këto vite, ndjenja e patriotizmit që me buronte si shqiptar, më bëri të aktivizohem me shumë për çështjen e kombit tim, të bëja sa më shumë për të dhe të ndihmoja me çka ishte me e mundur.

Patriotë të shumtë të kombit tonë luftuan dhe punuan për çështjen tonë, por ju ishit i pari dhe i vetmi që arritët t’i takoni gjashtë presidentë të Amerikës. I pari ishte Richard Nixon. Si u bë e mundur takimi juaj personalisht me të, çfarë biseduat dhe çfarë i kërkuat ju atij?
Ekrem Bardha: Në atë periudhë junta e gjeneralëve grekë e sapoardhur në pushtet me grushtshtet, kishte filluar të bëhej një kërcënim i madh për Shqipërinë, ku nën thirrjet nacionaliste dhe shoviniste, kishte rishfaqur idenë e vjetër greke për aneksimin e Shqipërisë së Jugut për të ashtuquajturin Vorio Epir. Mbasi i takova dhe i shpjegova shqetësimin kongresistit Broomfield, i thashë se komuniteti shqiptar në Detroit është shumë i shqetësuar për rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga Junta greke. Çfarë mund të bësh për këtë çështje jetike për atdheun tim? Ai më propozoi një takim me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Nixon, të cilit mund t’ia thosha drejtpërdrejt këtë shqetësim. Unë shtanga nga ky propozim i mikut tim.

Ekrem Bardha sensibilizon senatorët amerikanë: Këtu bie Kosova

Takimi u zhvillua në hotel “Hilton”. Në takim isha unë, kongresisti Broomfield dhe presidenti Nixon. Kisha një emocion të papërshkruar, sepse unë pak vite kisha në Amerikë dhe po takoja njeriun më të fuqishëm të botës, presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Madje dhe anglishten nuk e kisha aq mirë. Duke iu drejtuar presidentit Nixon, i thashë se kolonelët grekë kanë shfaqur hapur pretendimet e tyre për aneksimin e jugut të Shqipërisë, të cilin ata e konsiderojnë territorin e tyre, si të ashtuquajturin Vorio Epir. E pyeta çfarë mund të bëni zoti president që ta pengoni këtë veprim të juntës greke? Presidenti Nixon më tha: ‘Kjo gjë nuk do të ndodhë! Unë nuk do të lejoj që pretendimet greke për territore të Shqipërisë të realizohen’. ‘Qeverisë greke nuk do t’i jepet trajtim me përparësi, as nga pikëpamja territoriale, as në drejtim tjetër. Unë interesohem pa asnjë dallim për të gjithë amerikanët, pavarësisht origjinës së tyre kombëtare. Gjithashtu, kam interes të posaçëm për të gjithë popujt që jetojnë nën dhunën komuniste’, më tha presidenti Nixon. Në një atmosferë shumë miqësore dhe konfidenciale, presidenti Nixon shkroi me dorën e tij këtë mesazh që unë e ruaj si një nga gjërat më të çmuara nga takimet e mia me presidentët e ShBA-së. Presidenti amerikan angazhohej të mos lejonte aneksimin e jugut të Shqipërisë nga kolonelët grekë. Unë i jam shumë mirënjohës kongresistit Broomfield i cili bëri të mundur realizimin e këtij takimi. Ky rast tregoi se Amerika ka qenë një mbështetëse e madhe e shqiptarëve dhe Shqipërisë edhe pse në atë kohë ishte nën sundimin komunist. (Vijon)

Letër origjinale e shkruar me dorë nga presidenti i 37-të amerikan, Richard Nixon, Greqia nuk do të aneksojë tokat e Shqipërisë së Jugut, Vorio-Epirin, dhënë si dokument z. Ekrem Bardhës

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë, meshën e së dielës ia…