Ekspertët dhe studiuesit diskutojnë për ruajtjen e dëshmive të së kaluarës

15 korrik 15:38

Në qytetin e Sarandës u mbajt, Konferenca e IV Mbarëkombëtare e Arkivistikës. Qëllimi i kësaj Konference është për të prezantuar e parë më afër zhvillimin në fushën e arkivistikës, për të shkëmbyer ide e përvoja, për ruajtje cilësore të dokumenteve e materialeve të tjera arkivore që mbeten dëshmia më e madhe e së kaluarës, çelës për të kuptuar të tashmen, por pse jo edhe të ardhmen.

Gjithashtu kjo konferencë mbledh ekspertët dhe studiuesit e arkivave, të cilët diskutojnë çdo vit për problematikat, metodologjinë e studimit, dixhitalizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionit të punës së arkivave në realitet e sotme.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave dr. Ardit Bido, Kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës z. Bedri Zyberaj, Kryetari i Bashkisë Sarandë z. Adrian Gurma, Prefekti i Qarkut Vlorë z. Flamur Mamaj, si dhe Arkivistë të Institucioneve të qytetit Sarandë.

Lidhur me situaatën nga koronavirusi, për të respektuar protokollet e sigurisë, konferenca ishte ndarë në 5 tryeza duke iu referuar temave që do të kumtoheshin. Temat e diskutuara ishin: “E drejta e informimit, të drejtat e njeriut, shfrytëzimi i arkivave”, “Zhvillime teknologjike, shërbimi i arkivave të digjitalizuara”, “Inspektimi dhe trajnimet, puna e arkivistit”, “Historia përmes arkivave”, dhe “Probleme të punës arkivore”.

Krahas konferencës, u prezantua edhe ekspozita me fotografi nga konferenca të kryera ndër vite si edhe nga botimet e DPA-së, “Buletini metodik” dhe “Arkivat Shqiptare” të cilat janë pjesë e fondit të Bibliotekës së DPA-së, transmeton ‘panorama’.

Aktiviteti që tërheq vëmendjen e historianëve e studiuesve nga i gjithë rajoni, u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave së bashku me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe me mbështetjen e Fakultetit të Tiranës, Filiali Sarandë.

Konferenca e IV Mbarëkombëtare është traditë që vazhdon mbas tre të parave të mbajtura në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Prishtinës në hendboll për meshkuj ka konfirmuar se…