Ekstradohet nga Gjermania për në Kosovë i kërkuari me letër rreshtim ndërkombëtar
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe në bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datën 21 maj 2026 ka bërë ekstradimin e shtetasit malazez nga Gjermania për në Kosovë.
I dyshuari ishte arrestuar nga autoritete gjermane, pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar, lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale ‘vrasje e rëndë’ dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë.
Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe në bashkëpunim të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre gjermane.
I dyshuari, pas ekstradimit iu është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë për vazhdim me procedurat tjera ligjore.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.



