‘Elektrosever’-it serb i jepet licenca për operim në veri

24 qershor 2022 | 14:42

Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRrE) ka miratuar të premten licencën për kompaninë serbe “Elektrosever”, për furnizimin e veriut të Kosovës me energji elektrike.

Bordi i ZRrE-së e ma marrë këtë vendim me pesë vota për dhe asnjë kundër.

“Elektrosever”-i është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

Kjo kompani do të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri.

Licencimi i saj është paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e saj është bërë më 21 qershor.

Me këtë marrëveshje është paraparë që konsumatorët në veri ta paguajnë vetë rrymën e shpenzuar.

Nga fundi i luftës, më 1999, deri më 2017, rrymën për ta e kanë paguar qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës.

Nga 2017-ta e këndej – për shkak të ankesave të shumta – përgjegjësia për pagesën ka kaluar te Qeveria e Kosovës.

Veriu, i banuar me shumicë serbe, ka refuzuar pagesën për shkak të mosbindjes qytetare, por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme atje, që kanë operuar me dirigjimin e Serbisë.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-se, Ymer Fejzullahu, ka thënë të premten se qytetarët e katër komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – do të faturohen me çmimet që i ofron kompania furnizuese, “Elektrosever”.

Përndryshe, ZRrE-ja miraton çdo vit tarifat për operatorët e tjerë energjetikë.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka deklaruar më 21 qershor se “Elektrosever”-i nuk do të prodhojë rrymë, por do ta blejë atë, qoftë nga Korporata Energjetike e Kosovës apo nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar – ndërsa inkasimin do ta bëjë vetë.

“Elektrosever”-i, rrjedhimisht, mund të marrë apo blejë rrymë edhe nga kompania serbe, “EPS”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, përkatësisht Sektori Rajonal i…