Elezaj flet për gjendjen e pandemisë në Klinë

12 prill 2020 | 10:33

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka thënë se situata me koronavirusin po vazhdon të jetë e qetë, përkundër që në këtë qytet janë dy të prekur me këtë pandemi. Ai ka thënë se dy pacientët e kësaj komune të prekur me këtë pandemi janë infermieria e Klinikës Infektive të QKUK-së dhe një i ardhur nga Mali i Zi, ku ky i fundit është dërguar në Qendrën e Studentëve, të shndërruar si karantinë. “Tani më jemi vetëm një muaj kur është konfirmuar pacienti i parë me Covid-19 dhe që nga ajo ditë fatmirësisht nuk kemi pasur raste të reja, përveç para tri ditësh një rast i konfirmuar te një paciente e cila ka rezultuar të jetë banore e Klinës dhe e njëjta punon në QKUK. Para disa ditësh kemi pasur një rast ku një qytetar ka punuar në Mal të Zi dhe ka ardhur në Kosovë, mirëpo ai është dërguar direkt në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ku ka rezultuar edhe ai të jetë pozitiv, që i njëjti nuk ka pasur kontakt me të tjerët”, ka treguar Elezaj.

Teksa ka folur për këtë pandemi, Elezaj mendon se kanë kaluar fazën emergjente. Thotë se po punojnë me mjete buxhetore të komunës.“Mendoj se e kemi kaluar fazën emergjente ku na është dashur më shumë mjete mbrojtëse, mirëpo kemi marrë masa të mjaftueshme që ne si Komunë e Klinës me mjete vetjake buxhetore kemi siguruar mjete mbrojtëse të mjaftueshme për stafin e QKMF-së dhe po e menaxhojmë situatën mirë edhe me ndihma për familjet në nevojë”, ka thënë ai.

I pari i Klinës ka bërë apel te qytetarët që t’i respektojnë rekomandimet e institucioneve. “Nuk kemi nevojë për panik, për kërkesa të tjera dhe po besoj se jemi mësuar në këto kushte modeste ta  zhvillojmë jetën. Të rrimë sa më shumë në shtëpi”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga e hëna masat e ndërmarra për parandalimin e koronavirusit…