Elshani: Gjilani kundërshtar i fortë, por kemi ambicie për Kupë

04 shkurt 2020 | 21:04

Mesfushori Qemail Elshani për “Epokën e re” ka thënë se Drenica ka ambicie të mëdha në garën e Kupës ani pse në çerekfinale përballet me një skuadër të fortë siç është Gjilani.

Skuadra e Drenicës është duke i vazhduar stërvitjet me ritëm të lartë për sezonin pranveror. Kuqezinjtë një pjesë të përgatitjeve i kanë zhvilluar në Durrës, kurse nuk ka munguar edhe zhvillimi i ndeshjeve miqësore. Qemail Elshani për “Epokën e re” ka thënë se përgatitjet po shkojnë mirë dhe se Drenica do të vazhdojë të dhurojë futboll të bukur edhe në sezonin pranveror.

“Përgatitjet kanë shkuar mirë. Kemi zhvilluar stërvitje fizike kondicionale të kombinuara me lojëra me top. Gjithashtu, kemi zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore me motiv ta kapim filozofinë dhe konceptin e lojës. Besoj se Drenica do të vazhdojë të dhurojë futboll të bukur ashtu siç kemi dhuruar edhe më herët, sigurisht duke i shtuar vetes disa ambicie më shumë, por që arritja e tyre nuk është e domosdoshme”, ka thënë Elshani.
Lidhur me synimet në sezonin pranveror, Elshani ka kërkuar kujdes të madh për faktin se diferenca në cilësi në mes të skuadrave është e vogël dhe se me dy humbje një skuadër mund të fundoset dhe me dy fitore të tjera mund të ngrehet. “Forca ndërmjet skuadrave nuk është edhe shumë e madhe. Duhet kujdes maksimal sepse, siç mund të ngrehësh në tabelë me dy fitore radhazi, ashtu edhe mund të biesh me dy humbje”, ka deklaruar ai.

Drenica ndeshjen e parë në pranverë e zhvillon më 8 shkurt kundër Gjilanit në kuadër të çerekfinales së Kupës. Elshani ka folur edhe për këtë ndeshje. Ai ka bërë me dije se Drenica ka ambicie të mëdha, ani pse kundërshtar ka një skuadër shumë cilësore.

“Gjilani ka njërën ndër skuadrat më të forta në ligën tonë. Ekziston një superorganizim nga ana ai. Do ta japim maksimumin që të ecim tutje në Kupë sepse, siç thashë, kemi disa ambicie e një prej tyre është Kupa e Kosovës”, ka thënë Elshani.

Drenica, e cila e mbylli sezonin vjeshtor në vendin e gjashtë me 24 pikë të grumbulluara, kurse gjatë afatit kalimtar të janarit bëri disa ndryshime, përfshirë edhe shtabin teknik, ku në vend të Tahir Lushtakut është emëruar Gani Sejdiu, derisa futbollistët që kanë “aterruar” në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj janë: Alban Shillova, Souleymane Coulibaly, Vildan Kerim, Armin Mujkiq, Flamur Muleci, Edmond Turku, Muharrem Musa si dhe dy lojtarët nga shkolla e futbollit Drenica, Egzon Fazliu dhe Endrit Shala.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për ditën e…