Elshani: Investova në futboll e nuk përfitova, mirëpres nismat për rithemelimin e KF Besa

16 shkurt 2024 | 11:20

Ish-kryetari i ish-KF Besa Pejë, Agim Elshani, në një intervistë për “KosovaPress”, ka folur për sukseset në Klubin e Futbollit Besa në periudhën 2003-2007, kur u bë tri herë radhazi kampion. Derisa tregon për frymën e mirë që mbizotëroi në tërë klubin, Elshani flet me dhimbje për shuarjen dhe privatizimin e klubit.

Ish-kryetari Elshani thekson se në futboll ka dhënë kontributin e tij. “Unë në futboll nuk kam qenë për para, përkundrazi unë paratë i kam dhënë për futbollin”, ka thënë fillimisht Elshani.

Klubi i Futbollit Besa nga Peja gjatë viteve 2003-2007 kishte marrë katër tituj, tre të kampionit të Kosovës si dhe një herë fitues i Kupës së Kosovës. E për çelësin e këtij suksesi tregon ish-prijësi i klubit. “Padyshim që suksesi i asaj kohe është më i madhi për KF Besa e cila tani nuk ekziston më. Çelësi ishte te fryma gjithëpërfshirëse që krijuam rreth klubit. Ne të gjithë veteranët e futbollit, gjithë njerëzit që e donin futbollin i afruam dhe i mbajtëm afër më qëllim që klubin ta kthejmë në një klub kampion. Mendoj se një qytet e kishim afër dhe pranë nesh. Kjo ishte thelbësorja, ndërsa arsye tjetër ishte puna profesionale që bënin në klub kur afruam profesionistët më të mirë që të merren me organizimin e klubit, ndërsa që talenti i asaj gjenerate të lojtarëve arriti të vinte në shprehje me organizim të mirë dhe financa të rregullta. Ne kishim ndihmuar futbollin që nga paslufta me themelimin e KF Shqiponja dhe sportin e kulturën e qytetit në përgjithësi, dhe kur na u ofrua mundësia edhe KF Besa që ishte klub i qytetit me të cilin njerëzit ishin të lidhur shumë”, shprehet ai.

Elshani konsideron se punët në KF Besa filluan të shkojnë keq që prej mungesës së tij dhe kolegëve të vet. “Konsideroj që punët rreth klubit të Besës në vitet më pas kur nuk isha unë dhe kolegët e mi, filluan të shkojnë keq. Unë asnjëherë nuk kam folur për këtë që mos të keqkuptohem se nuk kisha ambicie përderisa nuk isha në klub me deklarata ta prish atmosferën. Konsideroj që ishte gabim përjashtimi i njerëzve që ishin afër klubit e që kishin sjellë suksese. Hiq pjesën profesionale që janë marrë me organizim të klubit, pjesa dërrmuese e njerëzve që ndikuan në sukseset e klubit ishin të angazhuar vullnetarisht pa asnjë kompensim apo benefit. Pas vitit 2007 në klub erdhën situata të tjera dhe njerëzit në krye të klubit jo që afronin, por largonin njerëz dhe, si rrjedhojë e kësaj situate, nuk kanë mundur të kenë suksese. Ja një shembull po ju jap, personalisht që nga ajo kohë kur jam larguar nga klubi kurë më askush as për të parë një ndeshje nuk më ka ftuar”, ka shtuar Elshani.

E privatizimi i klubit, sipas Elshanit, është dëmi më i madh që mund t’i jetë bërë sportit pejan. “Së pari po dua të theksoj se unë në futboll nuk kam qenë për para, përkundrazi unë paratë i kam dhënë për futbollin. Ky është dallimi i madh mes meje dhe të tjerëve. Unë s’kam qenë i interesuar as të privatizoj e as të jem i përhershëm në klub. Në një moment të caktuar kam pasur mundësi ta ndihmoj futbollin dhe e kam bërë këtë. Besoj në mënyrën më të mirë. Privatizimi i KF Besa është bërë po them në mënyrë të çuditshme, mos të them ndonjë fjalë tjetër. KF Besa ka qenë me vendim klub i qytetit si bashkim i tri klubeve të atëhershme: Buduçnostit, Besës e Kristalit me një emër në kohën kur shqiptarët u larguan nga stadiumet në vitet ’90. Si klub i tillë i qytetit, KF Besa ka funksionuar gjatë viteve ’90, pastaj pas luftës edhe në kohën kur kam qenë në krye të klubit. Kush i jep të drejtë vetes të mbledhë një numër të caktuar të  njerëzve për ta sjellë vendimin për privatizim nuk e di, por e di se ky proces nuk është dashur të shkojë kështu për një klub të tillë si KF Besa, e që kaloi brenda natës nga klub i qytetit në klub të disa individëve. Kjo gjithmonë do të mbetet enigmë dhe veprimi më i keq që i është bërë sportit pejan”, vijon Elshani.

Si rrjedhojë, pas privatizimit klubi shkoi drejt rënies deri në shuarje. “Unë konsideroj që mënyra se si është bërë transformimi i klubit ka plot mjegull dhe kjo mjegull e ka përcjellë punën edhe pas privatizimit e dështimit deri në shuarje të klubit. Pse dhe si u lejua që të shkonte klubi përherë e më poshtë nuk mund ta kuptoj. Këtë do të duhej ta dinin ata që privatizuan klubin, ata që udhëhoqën klubin dhe organet komunale që e dërguan KF Besa në Brestovik të luante ndeshjet e jo në stadiumin e qytetit”, thekson ai.

Ish-kryetari i KF Besa flet edhe për nismën e re për rikthimin e klubit. “Unë për këtë nismë kam mësuar nga mediet, nuk jam thirrur fare për kësi lloj rithemelimi të klubit të qytetit, se klubi që ka pasur traditën, fatkeqësisht, nuk ekziston. Parimisht përkrah nisma të tilla që mund të jenë për të mirën e futbollit, por personalisht nuk jam ftuar e nuk jam pjesë e këtij zhvillimi”, thotë ai derisa shton se nuk e pengon një gjë e tillë. “Unë nuk kam ambicie për të qenë protagonist në futboll. Unë e dua sportin dhe konkretisht futbollin dhe kurdo që mundem do ta ndihmoj”, ka përfunduar Elshani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agim H Qerimi B.I, N.Sh ‘Atlantik’ shpall te pavlefshem arken…