
Elshani: Prania e policisë te ura e re mbi Ibër është masë parandaluese, jo alarm
Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në veri të vendit, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin Five në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me prezencën e policisë në afërsi të urës së re mbi lumin Ibër, e cila po asfaltohej.
Ai ka thënë se prania e policisë aty ka qenë ngritje e vigjilencës, pasi ndërtimi i urës është një punë e madhe, duke shtuar se këto janë procedura normale policore.
“Deri më 1 shtator, kur është thënë se do të bëhet promovimi, hapja e urës, ne do të jemi aty dhe mandej e shohim se si vazhdohet tutje”, ka deklaruar Elshani, duke shtuar se këto masa nuk janë marrë për shkak të ndonjë paralajmërimi, por janë thjesht preventive.
“Janë vetëm masa parandaluese, nuk ka diçka tjetër. Por në veri të vendit jemi mësuar me këto gjëra që për dikë duken të jashtëzakonshme, për ne janë të zakonshme – të na gjuajnë ndonjë bombë apo eksploziv. Prandaj marrim masa parandaluese vetëm që të mos na zënë në befasi”, është shprehur ai.
Elshani ka theksuar se nuk ka ndonjë indikacion specifik për rrezik, mirëpo policia është mësuar të marrë gjithmonë masa parandaluese.