Emigrantët nga Kosova, futeshin në “sitë” si të infiltruar

24 shkurt 2022 | 16:38

Para viteve 90-të, për arsye të represionit jugosllav dhe iluzioneve patriotike për Shqipërinë dhe Enver Hoxhën, një numër i konsiderueshëm shqiptarësh të Kosovës kalonin kufirin ilegalisht. Në fillim ata ndjenin një emocion të pa përshkruar. Por brenda pak orësh përballeshin me operativët e Sigurimit të Shtetit, të cilët i merrnin në hetim intensiv, me dyshimin se ishin të infiltruar të UDB-së.

Në zhargonin e komunist ata konsideroheshin si “emigrantë jugosllavë”. Ky ishte një term fyes për kosovarët, të cilët i kundërshtonin oficerët e Sigurimit, se nuk ishin jugosllavë, por shqiptarë. Këta i përgjigjeshin “se atë e di partia”. Pas kontrollit operativ, seancave hetimore për arsyet e arratisjes, ata shpërndaheshin në qendra të caktuara. Më pas në varësi të planit të hartuar nga oficerët e Sigurimit, vendoseshin në qytete periferike, nën kontrollin e punëtorëve operativë dhe informatorëve.

Me urdhër të Komitetit Qendror në Shqipëri u krijua organizata e emigracionit jugosllav, me kryetar Jolo Markoviq. Këshilli organizativ i saj nxirrte edhe një gazetë në gjuhën serbo-kroate, ku trajtoheshin ngjarjet në Jugosllavi, Bashkimin Sovjetik dhe të gjithë kampin socialist. Ky këshill bashkëpunonte me Komitetin Qendror të PPSh-së dhe me Sigurimin e Shtetit. Madje, ky i fundit kishte Drejtorinë e Tretë, e cila drejtohej nga Shaban Braha dhe oficerë të tjerë (shpesh nga Kosova), që merrej posaçërisht me emigrantët kosovarë.

Pjesa dërrmuese e tyre sapo vinte në Shqipëri pësonte një zhgënjim të madh. E vërteta ishte krejtësisht ndryshe nga propaganda që zhvillohej në Kosovë nëpërmjet agjitatorëve, radios dhe shtypit shqiptar, që futej ilegalisht në Jugosllavi. Prandaj, nuk zgjaste shumë dhe një pjesë e tyre arrestohej ose internohej me akuza të sajuara nga Sigurimi. Kampet e Llakatundit, Selenicës dhe Semanit, ishin krahas burgjeve të Burrelit, Spaçit dhe Ballshit, disa nga pikat e internimit të kosovarëve.

Në vitin 1970 një kuadër i lartë i Komitetit Qendror, Piro Bita, në një mbledhje me sekretarët e parë të komiteteve të partisë në rrethe deklaroi se “kosovarët vërtetë janë vëllezërit tanë, por njëkohësisht janë edhe armiqtë tanë”. Kjo bëri që në qendrat e punës dhe dikastere të fillonte një propagandë antikosovare, duke thënë se: “kosovarët që vijnë nga Kosova jetojnë në një shtet revizionist dhe janë të molepsur me këto ide, ndërsa ata kosovarë që kanë ardhur këtu pas 1948 janë të dyshimtë, prandaj ju nuk duhet të takoheni me ta”. Këto fjalë të përhapura nëpërmjet komunistëve dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit ranë si një shpatë e Demokleut mbi kokat e kosovarëve. Ata, tani shiheshin si spiunë dhe të infektuar me pikëpamje revizioniste. Kjo bëri që në vitet 1970-1979 të filloi një valë arrestimesh. Më tepër se 70 kosovarë u burgosëm me akuza të sajuara. Në gjyq, për t`i përçarë dhe diskretituar përpara opinionit publik ata i vinin përballë njëri-tjetrit si dëshmitarë. Prandaj, tek shumë prej tyre u krijua bindja se, arrestimi dhe burgosja e kosovarëve bëhej me urdhër të Beogradit.

Në një relacion që mban datë 13 korrik 1973 të Drejtorisë së Tretë të Sigurimit të Shtetit, që merrej posaçërisht me kosovarët, drejtuar zëvendëskryeministrit Adil Çarçani jepet një informacion i detajuar mbi emigrantët kosovarë. Sipas këtij relacioni të shërbimit sekret, nga viti 1948 deri në vitin 1972 nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi, kishin kaluar kufirin në mënyrë ilegale 2050 shqiptarë.

Arsyet kryesore të arratisjes së tyre nga Jugosllavia drejt Shqipërisë ishin ato politike, ekonomike dhe shkollimi. Në mesin e tyre, theksohet në këtë relacion, dominonte elementi pozitiv. Por nuk kishin munguar edhe elementë provokatorë, të dërguar me detyra të posaçme nga zbulimi jugosllav, si dhe mjaft irredentistë me qëndrime e veprime për problemin e Kosovës, që binin në kundërshtim me vijën e ndjekur nga PPSh-ja dhe shteti shqiptar. Sigurimi i Shtetit ishte përpjekur sipas mënyrës së tij të bënte një lloj seleksionimi të të arratisurve. Ai i ndante ata në elementë pozitivë, të cilëve u krijonte mundësi punësimi e shkollimi dhe negativë.

Një pjesë e kosovarëve që zhgënjeheshin kërkonin riatdhesimin në Jugosllavi. Kjo nuk ishte aq e lehtë sa shpjegonte Sigurimi i Shtetit. Për këtë arsye, shpesh ata arrestoheshin. Por kishte edhe raste riatdhesimi. Kjo i interesonte edhe vetë Sigurimit, për të larguar elementët e padëshirueshëm ose për të infiltruar informatorë në Jugosllavi.

Në vitin 1973, Drejtoria e Tretë e Sigurimit të Shtetit raportonte se brenda territorit shqiptar jetonin 630 emigrantë kosovarë. Qytetet ku ata ishin vendosur ishin: Tirana 109, Durrësi 127, Lushnja 59, Fieri 80, Vlorë 12, Sarandë 2, Tepelenë 1, Përmet 1, Berat 36, Korçë 10, Pogradec 1, Elbasan 77, Peshkopi 6, Kukës 5, Tropojë 3, Pukë 3, Shkodër 29, Lezhë 25, Rrëshen 6, Burrel 1, Krujë 47.

Për të gjithë këta emigrantë ishte treguar kujdes i veçantë në drejtim të edukimit, strehimit dhe punësimit të tyre në ndërmarrje të ndryshme. Megjithatë, kjo Drejtori e pranon se, ishin konstatuar boshllëqe të mëdha, të cilat ndikonin negativisht në stabilizimin e tyre në Shqipëri. Mungesa e strehimit kishte bërë që 41 kosovarë të kërkonin transferimin në qytete të tjera. Madje, tek shumë prej tyre ekzistonte mendimi se, organet e pushtetit nuk interesoheshin fare për hallet e tyre. Kjo, sipas zëvendësministrit të Brendshëm Rexhep Kolli, nxitej nga elementët armiq dhe vizitorët që vinin nga trojet shqiptare të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Ai thekson se, edhe jugosllavët përpiqeshin të shkaktonin pakënaqësi në mesin e tyre, duke i shtyrë të kërkonin riatdhesim. Prandaj Ministria e Brendshme kërkonte nga qeveria që, të merreshin masa për sistemimin dhe zgjidhjen e problemeve të kosovarëve. Kështu, do të eleminoheshin shtigjet e keqkuptimeve dhe propagandës kundër regjimit komunist, se ai nuk interesohej për kosovarët që ndodheshin në Shqipëri, jo më për ata jashtë kufirit.

Ky relacion i Ministrisë së Brendshme dhe drejtuesit të Sigurimit Rexhep Kolli gjeti miratim edhe nga Këshilli i Ministrave, i cili me 10 gusht 1973 i dërgoi të gjitha Komiteteve Ekzekutive në rrethe një qarkore, sipas së cilës, ata duhej të merrnin në konsideratë problemet e kosovarëve të vendosur nëpër qytete. Megjithatë, emigrantët kosovarë, ashtu siç u veprua me çamët e ardhur në vitin 1944, u konsideruan qytetarë të dorës së dytë. Gjithmonë ata shiheshin me mosbesim nga institucionet shtetërore dhe si agjentë të shteteve fqinjë. Emërimi i tyre në segmente të caktuara të administratës, ndërmarrjeve dhe PPSh-së, ishte diçka e rrallë.

Në aspektin teorik lidhur me çështjen e Kosovës dhe popullsisë shqiptare ekzistonte heshtje e plotë. Kjo konstatohej në shtypin e përditshëm, librat studimorë dhe letrarë, ku tema rreth Kosovës zinte vend të papërfillshëm. Një qëndrim i tillë ndikonte jashtëzakonisht tek kosovarët, të cilët kishin kaluar kufirin ilegalisht, me shpresën se në vendin amë do të gjenin mbështetje të plotë.

Pozita e tyre në Shqipëri do të vështirësohej jashtëzakonisht shumë në vitet 1970-1974 kur po diskutohej hartimi i Kushtetutës së re jugosllave dhe udhëheqja komuniste kosovare së bashku me popullin po kërkonin avancimin e të drejtave kushtetuese. Ngritja e statusit të Kosovës nga Krahinë Autonome në Republikë, ishte një nga kërkesat themelore. Por kjo binte ndesh me interesin e Enver Hoxhës. Në vizitën që zhvillojë në Tropojë në maj të vitit 1970, ai përgëzoi intelektualët kosovarë që nga dita në ditë po merrnin pushtetin politik në Kosovë, por nënvizoi se në asnjë mënyrë nuk duhej të kërkonin që Kosova të shpallej republikë. Kjo bëhej me arsyetimin se, në Ballkan duhej të kishte vetëm një republikë shqiptare. Për kosovarët në Jugosllavi dhe ata që ndodheshin në Shqipëri u bë e qartë se jo vetëm Serbia nuk e donte Kosovën Republikë, por edhe Enver Hoxha. Pikërisht në këtë periudhë ky i fundit kishte filluar normalizimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë. Ai kishte lejuar që disa kosovarë të lejoheshin për të vizituar Shqipërinë. Por e gjitha kjo u shoqërua me një valë arrestimesh të emigrantëve kosovarë, me qëllim “për t`i dalë të keqes përpara”, ose për t`i bërë qefin Beogradit, sepse, të gjithë të arratisurit nga Jugosllavia siç thekson një dëshmitar i kohës konsideroheshin si armiq konsegent të saj.

/abcnews.al/ Hasan Bello.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Britney Spears u zotua të padisë ish-kompaninë e saj të…