Emilja Rexhepi flet në emër të Kurtit: I kemi 61 vota për formimin e institucioneve
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, Kosova pritet të hyjë në fazën e formimit të institucioneve të reja.
Me hapjen e procedurave në Kuvend, vëmendja pritet të përqendrohet te zgjedhja e kryetarit të Parlamentit, krijimi i Qeverisë dhe sigurimi i shumicës së nevojshme për zgjedhjen e presidentit të vendit. Lidhur me këto zhvillime për “Front Online” ka folur kryetarja e Nova Demokratska Stranka (NDS), Emilja Rexhepi ku tha se pret certifikimin e rezultateve zyrtare të zgjedhjeve për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja të Kosovës. Ajo ka bërë të ditur se fillimisht do të votohet për kryetarin e Kuvendit dhe më pas për formimin e Qeverisë.
Sipas Rexhepit, Lëvizja Vetëvendosje si partia më e madhe me 53 deputetë, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë jo-serbe, sigurojnë 61 vota.
“Presim rezultatet zyrtare në mënyrë që të hapet rruga për krijimin e institucioneve. Së pari do të votojmë për kryetarin e Parlamentit, pastaj për Qeverinë në krye me Kurtin, pasi konsideroj se VV-ja, si partia më e madhe shqiptare me 53 deputetë, së bashku me ne deputetët jo-shumicë jo-serbë, ka 61 vota dhe në këtë rast mendoj se nuk është e domosdoshme të jenë edhe partitë e tjera politike”, u shpreh ajo.
Ajo ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me forcat e tjera politike në fazën e zgjedhjes së presidentit.
“Për të zgjedhur presidentin e shtetit është e nevojshme të jenë 80 deputetë në sallë ose 80 vota, në mënyrë që të fillojë procedura e votimit, dhe këtu nevojitet mbështetja e deputetëve të tjerë, nëse nuk ka ndonjë koalicion para votimit”, ka thënë ajo.



