Hojet pa bletë
Shkruan: Berat Armagedoni
Kam lindur më 1984. Romani i Orvellit “1984” s’ka të bëjë asgjë me jetën time reale e as unë s’kam të bëj asgjë me jetën e tij imagjinare dhe letrare, por vendi im me të ka shumë përshtatshmëri. Që 77 vjet Orvelli ka treguar se pushteti absolut mund ta shkatërrojë lirinë e njeriut dhe vendin. Në vendin tonë sundon partia dhe udhëheqësi i saj luan “qoke” me njerëz sa herë t’i teket. Tymin atij s’ia prish askush sepse s’guxon. Edhe punëve të tij të mbrapshta, servilët dhe oborrtarët, puna e mbarë u thonë! Edhe në disa institucione publike sundon i pari e vartësit shtrijnë qafën para si para gijotinës. S’po bëj krahasime të tjera mes Oseanias së Orvellit dhe Kosovës së Kurtit. Po shkruaj për tjetër gjë. Për bibliotekat dhe për lexuesit. Për kohën kur isha student. Në vitin akademik 2002/03 u bëra student i Universitetit të Prishtinës. Në javën e parë të ligjëratave gjeta një banesë me qira (banoja në shtëpinë që sot është restorant dhe quhet ‘Shpia e vjetër’) dhe një vendstrehim për lexim. Pasi u pajisa me librezë të anëtarësisë së bibliotekës, kur ndonjë ditë zgjohesha pas orës 8.00, ndalesha te Galeria Kombëtare e Arteve dhe prisja në radhë për të hyrë brenda Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Gjumi më kushtonte me pritje. Vargu i studentëve, i gjatë 150 metra. Pas nja një orë pritje, më vinte radha të hyja brenda saj. Kur binte shi, hyja i lagur. Kur bënte vapë, hyja i djersitur. Kur frynte shumë e binte borë, hyja i mërdhirë. Rendi brenda saj, që e mbanin rojet me përkushtim, më i mirë se rendi kushtetues i Kosovës. Sallat, edhe pse të mbushura përplot studentë, të qeta. Bufeja e saj, e madhja (e studentëve) dhe e vogla (e punonjësve), me grumbuj njerëzish. Për rehatinë e studentëve atëkohë kujdesej një profesor i letërsisë shqipe që ishte edhe drejtor biblioteke. Sali Bashota. Nuk donte t’ua prishte studentëve askush as “tymin” e duhanit. (Duhan pinim në bufe). Atëkohë atriumet e Bibliotekës Kombëtare ishin vende për staf, studentë dhe vizitorë. Ndonjëherë, në ndonjë përvjetor biblioteke, edhe për ndonjë ekspozitë të saj. Nuk shërbenin siç shërbejnë që dhjetë vjet, si salla për konferenca, festivale, koncerte e për disa gjëra koti të OJQ-ve e të institucioneve. Duke i shndërruar atriumet e saj për aktivitete të tilla, studentët filluan t’i braktisin bibliotekën, leximin dhe librin. Ankesat e studentëve, me shkrim dhe me gojë, ishin të shpeshta për zhurmën që shkaktonin organizatorët, por udhëheqësve të saj nga njëra birë e veshit u hynin fjalët e tyre e nga bira e veshit tjetër u dilnin fjalët e tyre. Ata që bënin ankesa me shkrim për zhurmën dhe që kërkonin qetësi, nuk merrnin përgjigje kurrë. Pas vitit 2017, vit pas viti pasrendës, shumë studentë ikën nga Biblioteka Kombëtare. Nuk e konsideronin më shtëpi dije, leximi dhe edukimi. Nisën ta konsiderojnë “Çmendinë”. E nga Çmendina nuk ikin vetëm ata që kanë mend në krye, por edhe ata që s’kanë. Keni lexuar shpeshherë se njerëzit me probleme psikike kanë ikur nga Spitali i Shtimes, nga Klinika Psikiatrike e Qendrës Klinike Universitare. Këtë “rebelim” që e kanë bërë ata njerëz nëpër spitale, s’e kanë bërë kurrë studentët për shtëpinë e vet të “uzurpuar” nga Organizatat JoQeveritare dhe jo vetëm. Asnjë organizatë studentore kurrë s’ka kërkuar qetësi për studentët. Duke qenë lexues në bibliotekë që 23 vjet, kam parë shumëçka brenda saj e jashtë saj. I kam parë, i kam dëgjuar, i kam përjetuar pakënaqësitë e studentëve dhe ato, nëpërmjet shkrimeve, i kam deleguar tek eprorët dhe i kam publikuar edhe në medie kur s’kanë marrë vesh. Dëmin më të madh studentëve, librit dhe leximit, prej që Biblioteka Kombëtare ekziston, nuk e ka bërë asnjë drejtor tjetër. E ka bërë ish-drejtori, Fazli Gajraku, i cili hapësirat e ndryshme të bibliotekës i ka përshtatur për kërkesat e ndryshme të individëve, partive, OJQ-ve, bizneseve, institucioneve. Në vend se t’ua mbyllë derën atyre e t’ua hapë studentëve, e ka bërë të kundërtën. Atriumet, në kohën e tij, më shumë kanë pasur aktivistë partiakë e liderë partiakë e krerë e anëtarë organizatash sesa studentë. Ka dhënë leje edhe për ekspozitë për diktatorin korean Kim Jong. Për t’i përzënë studentët jashtë nuk ka përdorur dhunë. Ka përdorur zhurmë. Meqë ai nuk e rruante për studentë, shpeshherë, mbase çdo ditë, i mëshoja tastierës me gisht. I shprehja ankesat e studentëve publikisht. Ai vinte në punë çdo ditë, studentët iknin prej bibliotekës çdo orë. Ai ikte prej misionit të bibliotekës, studentët iknin prej leximit, se në asnjë skutë të bibliotekës nuk gjenin qetësi. Sot Biblioteka Kombëtare nuk i ka më të gjitha ato salla të leximit që i kishte. Disa i patën bërë deponi, disa po i bëjnë “sallatë”. Askush nuk bën një plan për studentë. Për kthimin e tyre në bibliotekë. Sekush sot bën përpjekje të bëjë një plan për vizitorë dhe për organizim konferencash, tribunash, fjalimesh e më the e të thash. Sot Biblioteka Kombëtare e Kosovës s’i ka as shtatë për qind të studentëve që i kishte para dhjetë vjetësh. Po e ndërron misionin dhe vizionin. Nëse dikush jep arsyetimin se interesimi për librin dhe Bibliotekën Kombëtare ka rënë, të njëjtin e pyes pse s’ka rënë në bibliotekat e tjera?! I vizitova këtë javë disa prej bibliotekave në të cilat, kur isha student e kur nuk gjeja vend për lexim në Bibliotekën Kombëtare, lexoja në sallat e tyre. Plot studentë sallat e tyre. Kushte të mira. Freskët verës, nxehtë dimrit. Edhe pse biblioteka të vogla, edhe pse zyrtarë të vegjël, funksionimi i atyre bibliotekave do të duhej t’u shërbente për të mirë zyrtarëve të mëdhenj të Bibliotekës Kombëtare. Çfarë duhet bërë sot për t’i kthyer studentët pranë (Vatrës së Dijes) Bibliotekës Kombëtare? Ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve, të kujtdo qofshin, qofshin edhe të Albin “babës”, në atriumet e saj, plotësimin e kushteve të domosdoshme për studentë. Sigurisht udhëheqësit e Bibliotekës Kombëtare i kanë vizituar bibliotekat simotra në vendet e Evropës dhe kanë parë çfarë kushte të mira ofrojnë për studentë. Sigurisht kanë parë se, në radhë të parë, përkujdesen për qetësi. Kanë vënë re, sigurisht, se u shërbejnë studentëve, anëtarëve, jo individëve, partive, OJQ-ve, institucioneve lokale dhe qendrore; aktiviteteve që s’kanë asnjë lidhje e ndërlidhje me librin, kulturën, lexuesit dhe leximin. Unë s’i kam parë fizikisht ato biblioteka evropiane, por kam parë në fotografi se zot në to janë lexuesit, anëtarët. Prandaj, Biblioteka Kombëtare duhet të kthehet jo nga Kibla, por nga Evropa. Nga studentët, jo nga partitë, OJQ-të e individët. Mjafton dikush ta lexojë misionin e saj në Ligjin për Biblioteka dhe ta zbatojë me përpikëri. Kaq mjafton që hojet e saj të mbushen me studentë.



