
Emiratet e Bashkuara Arabe “dënojnë me forcë” sulmin iranian ndaj Katarit
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dënuar gjithashtu sulmin e Iranit ndaj bazës ajrore Al Udeid në Katar.
“Emiratet e Bashkuara Arabe dënojnë me fjalët më të ashpra shënjestrimin e Bazës Ajrore Al Udeid në Shtetin e Katarit nga Garda Revolucionare Iraniane, duke e konsideruar atë një shkelje të hapur të sovranitetit dhe hapësirës ajrore të Katarit, dhe një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së OKB-së. Emiratet e Bashkuara Arabe pohojnë refuzimin kategorik të çdo sulmi që kërcënon sigurinë e Shtetit të Katarit dhe rajonit”, thuhet në një deklaratë të raportuar nga WAM, agjencia shtetërore e lajmeve.
Më herët edhe Katari reagoi fort duke thënë se u shkel sovraniteti i vendit dhe se ata tashmë kanë të drejtë të kundërpërgjigjen. Vetë SHBA, baza e të cilës ishte nën sulm, por pa pasoja, nuk ka reaguar ende për sulmin e Iranit.
Siç raportoi New York Times, Irani u koordinua me Katarin para sulmit, dhe amerikanët ishin në dijeni disa orë para se të ndodhte.