Emisari britanik i thotë Kurtit se është i gatshëm ta ndihmojë në dialogun me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të enjten në takim emisarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.
Siç ka njoftuar zyra e kryeministrit, Kurti dhe Peach kanë diskutuar për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, Kurti e ka falënderuar emisarin për ndihmën dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë dhe shpalljes së pavarësisë.
“Mbretëria e Bashkuar është partner i Kosovës i domosdoshëm për zhvillim dhe siguri, tha kryeministri duke mirëpritur emërimin e emisarit Peach si veprim i duhur që do t’u kontribuojë proceseve politike në Ballkanin Perëndimor. E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe roli i Mbretërisë së Bashkuar në përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO është qendror, e si hap i ardhshëm e i domosdoshëm është anëtarësimi i Kosovës në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, proces i cili sjell stabilitet për rajonin, theksoi kryeministri”, ka njoftuar zyra e kryeministrit
Në anën tjetër, emisari Peach ka vlerësuar lart marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për ta thelluar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në procesin e dialogut në Bruksel. Dialogu duhet të jetë parimor dhe të respektojë barazinë e palëve dhe ku përfitues përfundimtarë janë qytetarët e jo politikanët, tha kryeministri Kurti. Ai ritheksoi që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, tërë kohën dhe kudo, të ngelen të pacenuara. Marrë për bazë përvojën e gjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, emisari Peach shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e tij për të ndihmuar në procesin e dialogut”, ka njoftuar zyra e kryeministrit Kurti.



