Emisari i Trumpit: Kadri, ShBA-ja po kërkon që Kosova ta heqë taksën 100 për qind

07 shkurt 2020 | 15:42

I dërguari i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell përmes një postimi në “Twitter”, i ka thënë kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, se taksa ndaj mallrave serbe duhet të hiqet dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka të drejtë në këtë drejtim.

“Kadri, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që Kosova të heqë tarifat 100 për qind. Ajo dëmton Kosovën dhe pengon bizneset në krijimin e vendeve të punës. Albini ka të drejtë për këtë”, ka shkruar Grenelli.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, të enjten ka shprehur shqetësim për siç ka thënë ai “ngutinë e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe”.

“Taksa ndaj importeve serbe ka qenë vendim dinjitoz i shtetit tonë për t’iu kundërvënë sulmeve të njëpasnjëshme që Serbia ka bërë kundër Kosovës. Shpreh shqetësimin për ngutinë e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës. Një qeveri ka rënë si pasojë e taksës, gjë që ka dobësuar për një kohë Kosovën. Prandaj, nuk duhet të ketë manovrime politike për këtë temë të ndjeshme, e cila rrezikon ta dëmtojë më tej vendin tonë. Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”, kishte shkruar Veseli në rrjetet sociale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i parë, Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur të premten…