Engeli pas vizitës në Beograd vjen në Prishtinë për inaugurimin e ambasadës së ShBA-së

03 korrik 2019 | 16:22

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, njëherësh kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve është duke qëndruar në Beograd, ku është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në një njoftim të ambasadës amerikane në Beograd, është thënë se Engeli ka biseduar me presidentin serb lidhur me bisedimet me Kosovën, arritjen e paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjate në Ballkan dhe vënien e drejtësisë për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.

Pas takimit, presidenti Vuçiq, ka thënë se me Engelin ka diskutuar për rëndësinë e vazhdimit të bisedimeve Kosovë-Serbi.

Po ashtu, ai ka thënë se është diskutuar edhe për rastin e vëllezërve Bytyçi, tre shqiptaro-amerikanë , trupat e të cilëve ishin gjetur 18 vjet më parë në një varrezë masive në Serbi.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit “Atlantiku”, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në muajin korrik të vitit 1999 ata ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish- Jugosllavisë.

Katër ditë para skadimit të dënimit, ata janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Petrovo Selo ku janë vrarë nga afërsia. Trupat janë gjetur në vitin 2001 në një varrezë masive me duar të lidhura me tela, në mesin e shumë trupave të civilëve shqiptarë që ishin dërguar atje në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.

Që nga vitit 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.

Autoritetet amerikanë kanë kërkuar në vazhdimësi nga Beogradi ndriçimin e këtij rasti dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

Një delegacion dypartiak i ligjvënësve amerikanë i ka kërkuar në muajin shkurt të këtij viti në Munih presidentit serb që të ndërmarr veprime për të zgjidhur këtë çështje.

Kongresisti Engel, pas vizitës në Beograd, pritet të qëndrojë edhe në Luginën e Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë dhe më pas në Kosovë ku do të marrë pjesë në manifestimet me rastin e ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe përurimin e ndërtesës së ambasadës amerikane në Prishtinë.

Ai po ashtu do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të një rruge që do të mbajë emrin e tij.

Eliot Engel njihet si njëri nga miqtë e mëdhenj të shqiptarëve dhe mbështetës i fuqishëm i zgjidhjes së çështjes së Kosovës. /VOA/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ambasadorin…