Enver Hasani denoncon Avni Pukën, thotë se përdori të njëjtën tezë për doktoraturë në Prishtinë dhe Romë
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani, i është drejtuar me një e-mail senatorëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Këshillit Drejtues dhe anëtarëve të Fakultetit Juridik, duke ngritur pretendime për parregullsi të rënda akademike lidhur me doktoraturat e dekanit të këtij fakulteti, Avni Puka.
Hasani pretendon se Puka ka përdorur në Universitetin “La Sapienza” të Romës të njëjtën tezë të doktoratës që e kishte mbrojtur më parë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, me qëllim të fitimit të dy titujve të veçantë akademikë.
Hasani thotë se ka shqyrtuar personalisht, faqe për faqe, të dy disertacionet dhe se, sipas krahasimit të tij, nuk bëhet fjalë për dy hulumtime të pavarura shkencore, por për të njëjtën tezë doktorature, të përkthyer nga shqipja në italisht.
“Pas një shqyrtimi të hollësishëm, të kryer personalisht, faqe për faqe, kam konstatuar se nuk bëhet fjalë për dy hulumtime të pavarura shkencore, por, në thelb, për të njëjtën tezë doktorature, të përkthyer nga shqipja në italisht dhe të përdorur për fitimin e dy titujve të veçantë akademikë”, ka shkruar Hasani.
Ai e cilëson rastin si “një ndër skandalet më të rënda akademike” që kanë përfshirë Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin “La Sapienza” të Romës.
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare thekson se pretendimet e tij nuk kanë të bëjnë thjesht me ripërdorimin e pjesëve të një punimi shkencor, por me përdorimin e pretenduar të së njëjtës tezë për marrjen e dy titujve të doktorit të shkencave.
Hasani ka bërë dallimin mes kësaj situate dhe programeve të ligjshme të bashkëpunimit ndëruniversitar, si doktoraturat e përbashkëta dhe ato me bashkëmentorim, të cilat, sipas tij, zhvillohen mbi bazën e marrëveshjeve dhe procedurave të përcaktuara paraprakisht.
Ai pretendon gjithashtu se Universiteti i Prishtinës ka rregullativa që ndalojnë mbrojtjen e njëkohshme ose të njëpasnjëshme të së njëjtës doktoraturë në një institucion tjetër.
Në e-mail, Hasani ka ngritur edhe çështjen e CV-së së Pukës, duke pretenduar se dekani e kishte fshirë nga ajo të dhënën për doktoratën në Universitetin “La Sapienza”, një ditë pasi ai kishte denoncuar publikisht dyshimet për doktoraturën e tij.
“Që nga dita e nesërme pasi unë kam denoncuar se ai ka bërë fals doktoraturën, ka fshirë nga CV-ja e tij të dhënën që ka doktoruar në Fakultetin Juridik të Universitetit ‘La Sapienza’”, ka shkruar Hasani.
Ai pretendon se Puka deri më sot nuk e ka bërë nostrifikimin e diplomës nga universiteti italian, duke shtuar se kjo, sipas vlerësimit të tij, lidhet me pasojat e mundshme ligjore dhe akademike të rastit.
Hasani u ka bërë thirrje senatorëve, anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe stafit të Fakultetit Juridik që t’i shqyrtojnë personalisht të dy disertacionet, të cilat thotë se ua ka bashkëngjitur e-mailit, në mënyrë që të vlerësojnë bazueshmërinë e pretendimeve të tij.
Ai ka bërë të ditur se për këtë çështje u është drejtuar edhe institucioneve kompetente në Itali, përfshirë Universitetin “La Sapienza” dhe Ministrinë italiane të Universiteteve dhe Kërkimit, duke kërkuar sqarime për ligjshmërinë e procedurave dhe kompetencat për shqyrtimin e parregullsive të mundshme.
Ndërkaq, profesori ka përmendur edhe një kërkesë që, sipas informacioneve të tij, Prokuroria e Kosovës ua ka drejtuar autoriteteve italiane disa muaj më parë, duke thënë se mbetet të shihet se çfarë informacionesh dhe dokumentesh do të sigurohen prej tyre.
Në përfundim të e-mailit, Hasani ka theksuar se integriteti akademik është interes publik dhe përgjegjësi institucionale, duke kritikuar heshtjen përballë dyshimeve që, sipas tij, mbështeten në dokumente të verifikueshme.
Puka i kishte cilësuar shpifje, thashetheme e fyerje deklaratat e Hasanit, duke mohuar pretendimet për plagjiaturë dhe mashtrim në lidhje me doktoraturën në Romë.
Ai kishte thënë se akuza e Hasanit përbënte “shpifje të rëndë, përhapje të thashethemeve e gënjeshtrave në publik”, me qëllim që, sipas tij, t’i dëmtohej imazhi, reputacioni dhe autoriteti personal e profesional.



