Enver Hoxhaj: Kosova nuk mund të qeveriset me spektakle force dhe as me përpjekje për frikësimin e qytetarëve
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar për ngjarjen e fundit në Skenderaj.
Hoxhaj ka theksuar se Kosova nuk mund të qeveriset me spektakle force, me provokime dhe me përpjekje për frikësim të qytetarëve.
“Shteti nuk është vegël elektorale e askujt dhe Policia e Kosovës nuk duhet të përdoret për skenarë partiakë. Dërgimi i njësive speciale në zemër të Skenderajt për një intervistim që përfundoi me procedurë të rregullt, e nxori zbuluar gjithë propagandën dhe teatrin politik të pushtetit”.
“Kush mbjell urrejtje, tension dhe përçarje për interesa pushteti, duhet ta dijë se një ditë do ta korrë pikërisht atë që ka mbjellë. Qytetarët e Kosovës janë më të mençur se propaganda dhe më të vendosur se çdo përpjekje për destabilizim politik”, ka shkruar Hoxhaj.



