Erdhi në pushtet duke thënë s’pranoj gjë nga Serbia e u dorëzua për 1 000 teste

22 prill 2020 | 09:40

Kryetari i Komunës së Drenasit nga Partia Demokratike e Kosovës, Ramiz Lladrovci, ka komentuar 1 000 testet për Covid-19 dhënë Kosovës nga Serbia. Sipas Lladrovcit, pranimi i këtyre testeve nga qeveria aktuale është gabim jashtëzakonisht i madh dhe i pafalshëm ngaqë Kosova nuk ka pasur nevojë për ato.

“Dua ta mbaj atë që e kam thënë, se 100 ditë nuk do të bëj komente politike. Por, pranimi i mostrave nga Serbia, që kanë vlerë prej 14 mijë eurosh, është gabim jashtëzakonisht i madh dhe i pafalshëm i kryeministrit në detyrë, zotit Albin Kurti”, tha ai.

Lladrovci tha se kryeministri në detyrë me një vepër të tillë e ka rritur imazhin e Serbisë ndaj gjithë botës. Ai tha se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka pranuar gabimet e saj që i ka bërë deri më sot dhe mban përgjegjësi, por ky gabim është e papranueshme për Lëvizjen Vetëvendosje e cila kishte ardhur në pushtet me premtim se nuk do të marrë asgjë nga Serbia.

“Edhe të ishin ashtu nuk duhej të merreshin sepse imazhin e keq të Serbisë e kanë çuar në nivel të lartë, ku portalet e gazetat në botë kanë shkruar për këtë. E kanë gabim edhe ata që po mundohen me mbrojt. Ne, pra partia jonë, po e pranon që ka bërë gabime dhe japim përgjegjësi për këtë, por dikush që ka ardhur në pushtet duke thënë se nuk pranoj asgjë nga Serbia, e të dorëzohet lehtë, është e pa falshme. Mali i Zi nuk ka pranuar ndihma edhe më të rëndësishme se 100 mostra. Ne nuk kemi qenë në zor për 1 000 mostra”, tha Lladrovci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rihapja e ekonomisë amerikane është e ndërlikuar nga disa pikëpyetje…