Erdogan bisedon me Lukashenkan për luftën në Ukrainë

01 mars 09:11

Zyra e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se ai ka diskutuar pushtimin rus në Ukrainë me liderin bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, i cili njihet si aleat i afërt i Moskës.

Në bisedën telefonike të 1 marsit, diskutimet janë fokusuar në negociatat për armëpushim, të cilat janë mbajtur mes zyrtarëve ukrainas dhe atyre rusë të hënën, 28 shkurt.

Ndonëse në bisedime nuk është arritur marrëveshje, negociatorët kanë thënë se takime të reja do të zhvillohen në ditët në vijim.

Erdogan ka thënë më një ditë më parë se Turqia, si vend anëtar i NATO-s, do të vazhdojë të luajë rol në dhënien fund të luftës që ka hyrë në ditën e gjashtë, që Ankaraja do të vazhdojë të mbajë lidhje me Moskën dhe Kievin, dhe se shteti i tij do të zbatojë traktatin ndërkombëtar që i kufizon qasjen anijeve luftarake ruse në ngushticat turke në Detin e Zi.

Më 28 shkurt Erdogan ka thënë se pushtimi rus i Ukrainës “është i papranueshëm” dhe se Turqia do të respektojë angazhimet që ka ndaj Aleancës, ndonëse nuk do të shpërfillë “interesat rajonale” në rajon.

Presidenti turk ka thënë se shteti i tij nuk do t’ia kthejë shpinën asnjërit shtet.

Ankaraja ka lidhje të ngushta me Rusinë në sektorët e energjisë dhe mbrojtjes, mirëpo Ukrainës i ka shitur dronë dhe ka nënshkruar marrëveshje për bashkëprodhim.

Lukashenka ka mbështetur sulmin e presidentit rus, Vladimir Putin ndaj Ukrainës dhe ka thënë se trupat bjelloruse do të marrin pjesë në fushatën ushtarake ruse – nëse është e nevojshme.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. /rel

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Valë e madhe emigrantësh nga Ukraina në Evropë. Qeveria italiane…