ERUDICIONI DHE VIZIONI I NJË LIBRI STUDIUES

30 qershor 2023 | 15:59

Mehmet HAJRIZI

Parathënie e librit Mbi çështjen shqiptare (Bashkëbisedim me Arbën Xhaferin), të autorit Musli Krasniqi

1. Autori Musli Krasniqi

Autori i librit Mbi çështjen shqiptare (Bashkëbisedim me Arbën Xhaferin), Musli Krasniqi, është politolog, gazetar e publicist dhe drejtor i Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

2. Libri Mbi çështjen shqiptare

Janë të pakët librat dhe studimet e mirëfillta politike për çështjen e Kosovës në botën shqiptare në përgjithësi dhe në Kosovë në veçanti. Libri Mbi çështjen shqiptare është përmbledhje e bashkëbisedimit që ka bërë autori me veprimtarin, politikanin, personalitetin e shquar dhe studiuesin erudit, Arbën Xhaferi.

3. Tema kryesore e veprës

Tema kryesore e librit është çështja e Kosovës, por edhe temat tjera trajtojnë çështjen kombëtare shqiptare në përgjithësi, me shtrirje në kohë të një harku gati tri vjet dhe në gjithë hapësirën gjeografike shqiptare. Në libër trajtohen edhe zhvillime historike të Serbisë dhe të politikave të saj antishqiptare, si dhe analiza të karakterit global, por gjithnjë në funksion të temës kryesore. Zhvillimet historike në Kosovë që kishin tërhequr vëmendjen dhe angazhimin ndërkombëtar e kanë bërë temën qendrore të librit. Epilogu i dramës së gjatë, rezistencës epike gati një shekull kundër robërisë, ishte çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës, liria e popullit të saj dhe kthimi legjitim kombit shqiptar gati 11.000 kilometra katrorë të pushtuara nga sunduesit serbo-jugosllavë.

4. Lloji i shkrimit

Autori ka bërë shtatë bashkëbisedime të gjata me dijetarin Arbën Xhaferi; të parin në tetor të vitit 2006, të dytin në maj 2007, të tretin në gusht 2007, të katërtin më 17 shkurt 2008, të pestin në tetor 2008, të gjashtin në dhjetor 2008 dhe të fundit në korrik të vitit 2009. Lloji i shkrimit në këtë vepër është analizë dhe filozofi politike e çështjes kombëtare shqiptare të kohës më të re.

5. Forma dhe struktura e librit

Libri është në formë bashkëbisedimi e intervistash të periudhës kohore tetor 2006 – korrik 2009. I strukturuar në shtatë kapituj, 38 nënkapituj (mestituj) dhe 47 pyetje gjithsej, libri, përveç titullit domethënës, ka edhe parathënien. Karakteri i tij është i nivelit të lartë akademik dhe studiues.

Trajtimi i temave shtrihet në kohë dhe në hapësirën shqiptare gjithandej.

6. Përmbajtja e librit

Për çfarë është biseduar me Arbën Xhaferin?

Në kapitullin e parë të librit, Njëkohësisht drejt Tiranës dhe Brukselit, në  tetor të vitit 2006, Arbën Xhaferi duke analizuar kontekstin politik të Serbisë nxjerr përfundimin logjik se binomi Tadiç-Koshtunica s’është më i mirë se sa radikalët e Sheshelit. Ky i vetëquajturi vojvoda Sheshel, në prag të bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe, deklaronte hapur dhe me kokën lart, se po të fillonin ato, asnjë shqiptar nuk do të mbetej në Kosovë. Sikur të ishte komandant suprem i të gjitha forcave ushtarake, policore e paramilitare, këtë zotim solemn të radikalit Sheshel, soldateska serbe pa zgjedhur asnjë mjet hyri në fushatën gjenocidare me planin e parapërgatitur, të quajtur “Patkoi” për të ushtruar terror e masakra mbi popullsinë civile shqiptare dhe duke dëbuar dhunshëm qindra mijë pleq, gra e fëmijë. Për t’i nisur në rrugën pa kthim atyre u digjeshin shtëpitë, iu merreshin dokumentet e identifikimit dhe si mjet lufte kundër tyre, përveç vrasjeve mizore, përdornin edhe përdhunimin çnjerëzor.

Në vijim ai flet për definimin e statusit politik të Kosovës, për  ngjashmëritë ndërmjet procesit të pavarësisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, për Marrëveshjen e Ohrit në Maqedoni për gjendjen e shqiptarëve në këtë shtet, për paragjykimet stereotipe maqedonase, për shtetet etnike në rajonin tonë, për partitë maqedonase dhe koalicionet me partitë shqiptare, për pozitën e shqiptarëve në Kosovën Lindore dhe në Mal të Zi, për të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan, për figurat politike shqiptare, për veten e tij si politikan dhe tërheqjen nga skena politike etj.

Në kapitullin e dytë, Inatet e mëdha të popujve të vegjël, më 2007, Xhaferi analizon rrethanat e pavarësimit të Kosovës dhe kontekstin historik e gjeopolitik ndërkombëtar, reagimet eventuale të serbëve të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, për radikalët dinakë serbë, për zhvillimet në Maqedoni etj.

kapitullin e tretë, Shqiptarët dhe serbët s’merren vesh, më 2007 flitet për raportet midis shqiptarëve dhe serbëve, për argumentet e rrejshme serbe.

Në kapitullin e katërt, Pavarësia, faktorizimi i shqiptarëve, Arbën Xhaferi flet për realitetin e ri të krijuar në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe për objektivat e reja që institucionet dhe shoqëria e Kosovës duhet t’i kenë pa vetes.

Në kapitullin  e pestë, në tetor 2008 trajtohet nisma serbe  për vlerësimin juridik të shpalljes së pavarësisë, karakteri kolonial i çështjes së Kosovës, njohja e shtetit të Kosovës nga Maqedonia dhe Mali i Zi, për idenë e ndarjes së Kosovës, analogjitë e kota me Kosovën të rasteve të ndryshme në botë, faktorët e mosnjohjes nga vendet islamike etj.

Në kapitullin e gjashtë, në dhjetor 2008 flitet për dështimin e projektit rus, ngadhënjimin e së drejtës së një populli për liri dhe mëvetësi, faktorin shqiptar në Ballkan, gjasat e fundit të krizës në Kosovë, për projketin “Ilirida” në Maqedoni, etikën e politikanëve në Kosovë etj.

Në kapitulin e shtatë dhe të fundit, një “Komonvelth” për shqiptarët, në korrik 2009, Xhaferi trajton hapjen e dyerve të institucioneve ndërkombëtare për Kosovën, për marrëzinë serbe, për një  “Komonvelth” për shqiptarët, bashkëpunimin e Kosovës së pavarur në Ballkan, për opsionin e një federate joterritoriale në Maqedoni, sipas idesë së partisë së tij, PDSH dhe një kontrate ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, për opsionin e ndarjes së Maqedonisë etj.

7. Analiza dhe figura

Në libër trajtohen dhe analizohen në thellësi dhe gjerësi konteksti historik, zhvillime dhe ngjarje të viteve të përfshira, por ndonjëherë edhe me retrospektivë të nevojshme nga e kaluara. Një analizë profesionale dhe shkencore i bëhet edhe politikës serbe karshi shqiptarëve të robëruar.

Doktrina serbe me elaborate, programe, deri edhe kulturë kombëtare antishqiptare rezultoi me përndjekje, dëbim, dënime drakonike, shfarosje dhe gjenocid në Kosovë dhe në trevat tjera shqiptare nën Jugosllavinë. Në libër paraqiten faktorët e brendshëm e të jashtëm që çuan në shembjen e Federatës jugosllave, e cila ishte paraparë saktë nga vëzhgues të vëmendshëm të Jugosllavisë së mbarsur me kriza të thella dhe të rënda, si çështjet e pazgjidhura kombëtare, kontradiktat midis klaneve përbërëse, sistemi i kalbur dhe ekonomia në rënie të vazhdueshme. CIA amerikane kishte parashikuar që herët shpërbërjen e Federatës jugosllave.

Një galeri e tërë figurash portretizohen, duke vënë në pah personalitetin dhe rolin e tyre në përcaktimin e fatit të popujve. Analizohen sidomos politikat e mbrapshta, por edhe kriminale pushtuese. Nuk mungon as gjuha polemizuese, kundërshtuese dhe fshikulluese.

Duke folur për udhëheqjen serbe të vitit 2006, (binomi Tadiç-Koshtunica, siç e quan ai) Arbën Xhaferi konstaton saktë:“Tanimë shihet qartë se kjo koniunkturë politike e rrëzoi ish-prijësin e tyre Milosheviq, jo për shkak të një politike të gabuar që shkaktoi luftë dhe tragjedi, por për shkak se ai nuk realizoi projektin e shndërrimit të Jugosllavisë në Serbi të Madhe.” Është e vërtetë që edhe pas Rankoviqit famëkeq, politika antishqiptare serbe e ka vazhduar rankoviqizmin kriminal, sikur që vazhdon edhe sot milosheviqizmi pa Milosheviqin. Udhëheqja aktuale serbe me në krye Vuqiqin, i kanë vënë vetes mision t’ia kthejnë Serbisë Kosovën, “zemrën dhe djepin e saj”, por pa shqiptarët. Antishqiptarizmi shovinist serb me idetë, planet, elaboratet dhe angazhimet politike, fetare dhe akademike është ngritur në një doktrinë të tërë, të ngulitur madje edhe në kulturën kombëtare, e cila do kohë për t’u shuar dhe harruar. Nuk është për t’u besuar shumë që karota europiane e integrimit do ta shërojë këtë patologji kolektive serbe. Për më tepër që koha e tregoi se lidhjet me Rusinë edhe ashtu tradicionale, u forcuan edhe më shumë viteve të fundit, duke rrezikuar orientimin europian të Serbisë.

Vuqiq nuk është burrë shteti, por një politikan efemer që mendon vetëm për mandatet dhe jo për të ardhmen afatgjatë të brezave serbë. Ai nuk është në gjendje t’i hapë horizonte kombit të vet, por shkon pas masës, në vend të ishte në ballë të saj. Bie fjala ai nuk mund ta njohë Kosovën, e ta heqë këtë barrë nga supet e Serbisë, sepse ende nuk qenka përqindja e lartë e qytetarëve që pajtohen me këtë. Vuqiq nuk është De Gol, karshi Kosovës.

Trajtimi dhe angazhimi unik kombëtar i sigurisë të shqiptarëve, anëtarësimi i Kosovës në NATO, në Kombet e Bashkuara, në Bashkimin Europian e në organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe fuqizimi i aftësisë mbrojtëse të saj, janë garancia e paqes dhe e pamundësimit të synimeve intervencioniste serbe.  

Aktualisht nëpërmjet të të ashtuquajturit asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë, Vuqiq synon, siç thoshte Xhaferi “ta imponojë idenë e territorializimit të ‘çështjes’ serbe në Kosovë.”

Zgjidhjet me kuptim dubioz i kanë kushtuar Kosovës në të kaluarën dhe mund t’i kushtojnë edhe në të ardhmen. Tashti në tryezë ka një draft marrëveshjeje që ka ndryshuar nga deklarimet jo të largëta për njohjen në qendër të marrëveshjes finale. Kemi përsëri faza, si në Rambuje, por të papërcaktuara dhe të paafatizuara, madje as me mjetet garantuese. Në rastin më të mirë është deklarata e kancelarit gjerman Scholz, se Serbia nuk do të mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën, por kjo është deklaratë me pikëpyetje, mbasi nuk dihet  kur do të hyjë Serbia në BE, ose më mirë a do të hyjë fare, përderisa diktohet nga vëllai i madh në orientimet e saj. Kjo do të thotë që nuk kemi qartësinë dhe afatizimin rigoroz të njohjes, nga e cila varet shumë gjendja në Kosovë. Njohja nuk është thjeshtë një akt formal diplomatik, por përmbyllje e një epoke konfliktesh serbo-shqiptare dhe heqje dorë e Serbisë nga doktrina antishqiptare e Serbisë së vjetër e të re.

Ndërkaq në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët nuk kanë garancinë madje as të betonimit të të drejtave të fituara demokratike dhe kombëtare, përderisa maqedonasit, siç thotë Xhaferi, “mendojnë se Marrëveshja e Ohrit është e imponuar dhe si e tillë duhet, në mos të anulohet, por gjithsesi të minimizohet.” Kjo të kujton nismën serbe të  Dragosllav Markoviqit me shokë, që pas miratimit të Kushtetutës së re të Jugosllavisë në shkurt të vitit 1974, në dhjetor të atij viti, të pakënaqur e të bërë pishman çfarë u kishin dhënë shqiptarëve, hartuan projektin “Libri i Kaltër” për revidimin e kushtetutës dhe suprimimin e autonomive.

Arbën Xhaferi kishte paraqitur idenë e shteteve etnike në rajonin tonë, por aktualisht bashkësia ndërkombëtare është kategorikisht kundër saj për arsye parimore, por kryesisht për “efektin domino” që do të nxiste konflikte të reja në Gadishullin tonë të trazuar historikisht.

Në një bashkëbisedim të autorit,  Arbën Xhaferi në maj të vitit 2007 deklaron me të drejtë se “Plani i Ahtisarit është një kompromis i skajshëm” dhe se “diplomacia e ringjallur ruse do të përpiqet të pengojë idenë e pavarësisë së Kosovës, të shënojë fitore diplomatike kundër SHBA-ve, UE-së dhe NATO-s.“

Në bisedimet e Vjenës dhe Pakon e Ahtisarit, si fazë e parë e ideve të Qosiqit për ndarjen e Kosovës, u formuan komunat me shumicë serbe, faza e dytë do të ishte entiteti autonom serb me këto komuna dhe faza e fundit aneksimi i tij, ose shfrytëzimi si levë e bllokimit të funksionalitetit të shtetit të Kosovës.  Arbër Xhaferi paralajmëron: “Zhvillimet në Serbi mund të kenë pasoja në Kosovë, po qe se ato do të shoqërohen me gabime në kampin e politikës së përgjithshme shqiptare.” 

Duke folur për pazarllëqet e së kaluarës mbi kurrizin e shqiptarëve në emër të pacifikimit të Ballkanit, Xhaferi më 17 shkurt 2008, bën porosinë e radhës: “Shqiptarët vetë duhet të kuptojnë se tash e tutje janë faktorë dhe këtë energji duhet ta përdorin në drejtime konstruktive duke ruajtur në këtë mënyrë aleancën me shtetet më të përparuara të botës.“

Aktualisht Serbët me inskenimin e problemeve në veri të Kosovës, duan ta bindin bashkësinë ndërkombëtare se për zgjidhjen e tyre organet e Kosovës nuk kanë mundësi as vullnet, prandaj serbët duhet të vetëqeverisen. Thelbi nuk është gjendja e serbëve atje, por territori. Ky ka qenë aspirimi tradicional i Serbisë në Kosovë.

Fill pas mbarimit të luftës në Kosovë presidenti i atëhershëm i SHBA, Bill Klinton erdhi në Kosovë për të dhënë mesazhin historik: “Ne e fituam luftën, ju fitoni paqen!” Ndërkaq Arbën Xhaferi në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës parashikon me saktësi, se shteti i ri shqiptar po hynte  në një fazë të re politike, të luftës me vetveten, në kuptimin e përballjes me armikun e brendshëm, siç janë korrupsioni, nepotizmi, abuzimet e ndryshme të detyrës, mosrespektimi i ligjeve etj. E pra, pamundësimi i intervencionizmit nga jashtë e lufta kundër këtij armiku gërryes nga brenda dhe ndërtimi i shtetit sipas standardeve demokratike ndërkombëtare ishin tri shtyllat e së ardhmes së Kosovës së re.

Në tetor të vitit 2008, Arbën Xhaferi analizon idenë serbe për arbitrim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si veprim taktik të radhës për ta mbajtur hapur çështjen e Kosovës. Në fakt ai e fut edhe këtë veprim në kuadrin kuazi legalist e kuazi juridik, ku ishin edhe vendime të brendshme dhe rezoluta, si amendamentimi i kushtetutës, ku Kosova sanksionohet si pjesë e Serbisë, me të cilat kjo e “ngujon vetveten”, duke thënë pastaj se heqja dorë nga Kosova përbën shkelje të kushtetutës. Pas një lufte kapitulluese, me të cilën paraardhësi Milosheviq e “humbi” Kosovën, pasardhësit e tij do ta kthenin atë me një a dy amendamente kushtetuese!

Megjithatë ideja serbe për ta dërguar aktin e pavarësisë së Kosovës në GJND, u kthye si bumerang në Beograd, duke e vlerësuar legjitimitetin ndërkombëtar të shpalljes së pavarësisë. GJND i dha në dorë Kosovës një mjet të fortë për drejtësinë e vulosur të saj, të cilën nuk e ka shfrytëzuar kurrë aq sa duhet.

Por Arbën Xhaferi papritmas përfundon: “Jam i bindur se politikanët serbë, të ngujuar në kullën e iluzioneve të tyre, intimisht presin që dikush t’i lirojë nga makthi i Kosovës. Së këndejmi ata shpresojnë se Gjykata mund të vendosë në favor të Kosovës dhe ngjashëm si Milosheviqi që e detyroi NATO-n të ndërhyjë, ashtu edhe tadiqët e sotëm kërkojnë një zgjidhje vice mayor, që do t’i amnistojë ata nga faji, nga tradhtia.”

Po të ishte kështu, atëherë duhet kërkuar shkaqet e brendshme dhe të jashtme që i bënë të mundur Serbisë të kalojë nga defansiva në një ofensivë diplomatike, politike dhe negociatore kundër Kosovës së pavarur dhe sovrane.

Dhe jo vetëm kundër saj, por edhe kundër fqinjëve të tjerë, si Bosnja e Hecegovina, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut. Hegjemoninë e saj të dështuar në ish-Jugosllavi, Serbia synon ta ushtrojë tani në Ballkanin Perëndimor, si dorë e zgjatur e Rusisë, paradoksalisht në kohën kur ndodhet në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Arbër Xhaferi që herët ka vërejtur me të drejtë synimet strategjike të ekspansionizmit serb në Kosovë dhe veprimet e organizuara, duke vënë vazhdimisht shkopinj në rrotat e saj lëvizëse; duke e konsideruar pavarësinë e saj si zgjidhje të përkohshme; duke keqpërdorur e instrumentalizuar serbë të Kosovës si elementë trazues, jo luajalë me padëgjueshmëri qytetare,  elementë rebelues që nuk njohin as respektojnë autoritetin qendror, sepse mohojnë vetë integritetin territorial të shtetit; duke u përpjekur sistematikisht për ta bllokuar shtetin e Kosovës që të mos mund ta kontrollojë tërë territorin, pra të defunksionalizohet si shtet i dështuar; duke parashikuar shfrytëzimin e rajoneve ku banojnë serbët si plasdarme eventuale të konflikteve ripushtuese etj. Në anën tjetër, Serbia në fushën diplomatike përpiqet ta dëmtojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe t’i paraqesë shqiptarët si antiperëndimorë, fundamentalistë e të huaj për qytetërimin europian, kriminelë, terroristë e trafikantë etj, etj.

Sido që të jetë, historia do të dëshmojë se Kosova dhe pavarësia e sovraniteti i saj nuk do të jenë të përkohshme siç i do Serbia, por përpjekjet e saj antishqiptare do të jenë të dështuara. Prandaj sa më parë ta kuptojë Serbia dialektikën e zhvillimit historik shqiptar, aq më mirë për të dy popujt që të jetojnë në paqe e fqinjësi të mirë, por secili zot në vendin e vet.

Në librin e autorit Musli Krasniqi, Arbën Xhaferi përmend, analizon dhe portretizon një galeri të tërë figurash politike me nota të larmishme dhe shpesh kontradiktore.

8. Gjuha dhe stili i librit

Ndonëse e karakterit politik dhe shkencor, gjuha e përdorur në libër karakterizohet nga stili i lehtë dhe rrëfimi e mbarështimi i rregullt i mendimeve dhe ideve.  Rrëfimi i rrjedhshëm dhe fuqia shprehëse e gjuhës e mbajnë të zgjuar kureshtjen e lexuesit.

9. Vlerësim i veprës

Lënda e librit të Musli Krasniqit përbënte kontribut studiues, sqarues dhe largpamës për zhvillimet e kohës, por përbën edhe për aktualitetin e sotëm politik, shtetndërtues dhe prosperues të kombit shqiptar në përgjithësi. E veçanta e librit është kompetenca profesionale shkencore dhe origjinaliteti i mendimit e ideve të paraqitura. Arbën Xhaferi rrëfen, analizon dhe i argumenton tezat e tij, sjell fakte, të dhëna dhe informacion të pasur.

Aty gjejmë analiza dhe interpretime intelektuale të politikanit me përvojë dhe studiuesit të thellë,  gjejmë guximin intelektual e parimor dhe shpirtin patriotik të Arbën Xhaferit.

Lexuesi ka përshtypjen se po lexon jo disa bashkëbisedime, por një libër unik me identitetin shkencor, me gjuhën akademike, me analizën e  mprehtë dhe me  përfundimet e argumentuara.  

10. Rëndësia e veprës

Diskursi politik i Xhaferit përmban sinqeritetin dhe objektivitetin, saktësinë dhe parashikimin vizionar të zhvillimeve historike e politike.

Duke qenë njohës brilant i politikës pushtuese në jugosllavi, i intrigave dhe kurtheve bizantine të robëruesve të popullit shqiptar, Arbën Xhaferi udhëzon me mençuri për përballjen me to dhe me sfida të tjera në rrugën që duhet ndjekur drejt fitores së luftës së drejtë dhe legjitime.

Arbën Xhaferi ishte vrojtues dhe vlerësues i mirë i ngjarjeve, dukurive e zhvillimeve të cilat i trajton me erudicion dhe qartësi.

Libri përbën kontribut të rëndësishëm për mendimin politik në funksion të çështjes kombëtare.

Autori i librit, Musli Krasniqi, me pyetjet e tij koncize, të mençura dhe profesionale, e ka orientuar dhe e ka konceptuar e mbarështuar me metoda e teknika shkencore, gjithë përmbajtjen e librit. Nga vetë pyetjet ai dëshmon për njohuritë që ka për temat që shtron në tryezë. Autori përbën shëmbëlltyrë se si duhet të nxirren nga i intervistuari informata, analiza dhe rezultatin e punës që bën intervistuesi. Ai më shumë nxjerr mësime se që mëson vetë. Nuk është e lehtë të bësh pyetje, pa e ditur edhe përgjigjen. Vetëm profesionisti si ai dhe bashkëbiseduesi serioz ka këtë nivel përgatitor.

Me dinamikën e intervistave, apo bashkëbisedimit, me pyetjet e goditura dhe me konceptimin e librit, duke siguruar vijueshmërinë e rrjedhjes së rrëfimit, autori siguron njësinë e intervistave si një të vetme, ndonëse të ndara, në një strukturë të rregullt të librit.

Libri i Musli  Krasniqit përbën orientim dhe referencë, jo vetëm për studiuesit por edhe për veprimtari praktike shtetërore. Ai ka karakter njohës, edukues, frymëzues dhe udhëzues, të cilat do t’u duheshin personaliteteve të larta të shtetit e deri te lexuesi i rëndomtë.

Mesazh i rëndësishëm nga libri del që çështjet e mëdha të karakterit kombëtar, duhet studiuar mirë dhe bashkë, para se të merret çfarëdo vendimi përcaktues për fatin e tyre.

Prishtinë, më 25 shkurt 2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në vendngjarje ka arritur autoambulanca për t’i ofruar ndihmë mjekësore.…