Është dekoruar me medalje presidenciale të meritave Bedri Sadiku (Post Mortem)
Më datën 30 mars 2026, derisa ishte në detyrë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar shumë persona me dekorata presidenciale. Ndër të dekoruarit ishte edhe doajeni i gazetarisë, publicisti tashmë i ndjerë, Bedri Sadiku. Në emër të familjes, dekoratën e ka pranuar djali i tij, gazetari Kushtrim Sadiku. Sadiku ka falënderuar presidenten Vjosa Osmani për vlerësimin që i ka bërë babait të tij.
Falënderimi i plotë i Kushtrim Sadikut:
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekoroi Bedri Sadikun me medaljen presidenciale të meritave.
Miq të nderuar, gjatë këtyre ditëve Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu, ka dekoruar gazetarin dhe publicistin e ndjerë Bedri Sadiku (Post Mortem) me medaljen presidenciale të meritave, me dedikim të veçantë për kontribut të jashtëzakonshëm në gazetari dhe profesionalizëm të dëshmuar. Në emër të familjes Sadiku, kisha nderin që dekoratën ta pranoj në Presidencë nga këshilltari ushtarak i Presidentes, gjeneral Sefer Isufi, të cilin e falënderoj për respektin dhe dedikimin për babanë tim, të cilin ai e ka njohur edhe personalisht.
Medalja presidenciale e meritave për babanë Bedri Sadiku, përpos që është një nder për gjithë familjen tonë, në Preshevë, Prishtinë, Gjilan, Tiranë dhe Shkup, është edhe respekt për plejaden e gazetarëve, të cilët funksionuan si misionarë për dekada me radhë dhe kontribuan me gjithë qenien e tyre për lirinë tonë. Vepra e babait Bedri Sadiku, i cili ishte një prind i përkushtuar, një bashkëshort i dedikuar dhe një gazetar shembullor e patriot i madh, për mua, për mbarë familjen Sadiku dhe për gjeneratat e reja të gazetarëve, është inspirim drejt respektit, profesionalizmit dhe sukseseve. Do të doja që këtë nderim presidencial, babai Bedri Sadiku ta përjetonte vetë, por ja që fati nuk e deshi që ai ta gëzonte këtë ditë.
Në emër të familjes Sadiku, sidomos të bashkëshortes së Bedriut, mamin tim Luljete Sadikun, falënderoj edhe një herë Presidenten Vjosa Osmani për vlerësimin dhe respektin e dëshmuar. Këtë respekt duhet ta gëzojë e gjithë gjenerata e babait, e cila u flijua me gjithë qenien për të jetuar të lirë, kudo qofshin shqiptarët, në Kosovë, në Shqipëri, Maqedoni, Luginë e Mal të Zi.
Gazetari me prejardhje nga Presheva, Bedri Sadiku, më herët ishte nderuar edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, me medaljen presidenciale me titull “Naim Frashëri” për kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e kulturës dhe medias. Për punën e tij si gazetar, Sadiku ishte nderuar edhe me çmimin “Idriz Seferi” nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri. Njëkohësisht, Sadiku ishte vlerësuar për kontributin e tij edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
(Në vazhdim po e ndaj me ju videon e pranimit të medaljes presidenciale të datës 30 mars 2026).



