Është koha e bashkëpunimit, jo e vijave të kuqe

12 shtator 2019 | 15:10

Kandidati i PDK-së për deputet, Shqiptar Demaçi, ka ftuar të gjitha subjektet politike që ta shikojnë interesin e përgjithshëm dhe të heqin dorë prej interesave të ngushta partiake.

Ai ka thënë se është koha që të ketë mendime të reja dhe të pakontaminuara në politikë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Demaçi ka vlerësuar se partitë politike duhet të bashkëpunojnë për interesa kombëtare e jo t’i vendosin vija të kuqe njëra-tjetrës.

“Për dekontaminimin e ambientit dhe dekontaminimin gjeneral është mirë të fillojmë të mendojmë dhe të kemi ide të pakontaminuara. Është mirë të kemi bashkëpunim. Në këtë fazë është luks i madh të mendohet se si t’i vendosim njëri-tjetrit vija të kuqe. Pra, është koha të mos ketë fare vija të kuqe, por të kemi bashkëpunim të ndërsjellë”, ka thënë Demaçi.

Djali i simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçit, ka deklaruar se subjektet politike duhet të angazhohen maksimalisht për të mirën e qytetarëve.

“Është e rëndësishme që partitë politike të heqin dorë nga interesat e ngushta për hir të interesave të qytetarëve. Nuk është mirë të fokusohemi në vija të kuqe dhe blloqe të mendjes, por të përpiqemi të kemi një bashkëpunim sa më të mirë në mes të partive. Shpresoj se do të kemi një fushatë korrekte dhe demokratike, kur secili do t’i prezantojë idetë e veta dhe të fitojë më i miri”, është shprehur ai.

Demaçi, i cili në listën e PDK-së do ta mbajë numrin 55, ka treguar arsyet e kyçjes në politikë. Ai ka thënë se me tërë kapacitetin profesional dhe njerëzor do të angazhohet për mbrojtjen e ambientit. Sipas tij, kjo drejtpërdrejt ndikon në shëndetin e qytetarëve.

“Siç dihet, ambienti ndikon në shëndetin e njeriut. Si profesionist gjatë punës sime kam parë shumë probleme shëndetësore të lidhura me ambientin, pra shumë shkaqe të sëmundjeve të ndryshme që vijnë si pasojë e ambientit. Prandaj, meqenëse ne merremi me pasoja, tani është koha të përpiqemi që shkaqet e këtyre sëmundjeve t’i minimizojmë dhe mundësisht t’i eliminojmë”, është shprehur ai.

“Epoka e re”: Z. Demaçi, çka ju shtyri t’i hyni politikës?
Demaçi: Përvoja jetësore dhe profesionale më ka mundësuar të kem informacione për shumë çështje të cilat tani më lejojnë të jap diçka nga angazhimi im profesional dhe në përgjithësi për shoqërinë tonë. Siç e ka thënë edhe kolegu im, Migjen Kelmendi, këto ditë, në një intervistë, ne jemi shërbëtorë publikë, pra ne nuk synojmë të bëhemi politikanë të rangut të lartë. Sepse për të qenë politikanë duhet të kesh një bagazh politik në mënyrë që të merresh me politika të mëdha. Ne do të jemi shërbëtorë publikë dhe do të përpiqemi që ta përmirësojmë jetën e qytetarëve në Kosovë.

“Epoka e re”: Pse vendoset t’i bashkoheni PDK-së dhe të bëheni pjesë e listës për deputetë të kësaj partie?
Demaçi: Pas bisedave me ministrin e Shëndetësisë, z. Uran Ismajli, dhe pas të kontakteve me kryetarin e PDK-së, z. Veseli, e gjeta një mbështetje te ta, veçanërisht për problematikën ambientale. Pas kësaj mbështetje vendosa me kënaqësi ta jap angazhimin tim në këtë sferë. Sepse, siç dihet, ambienti ndikon në shëndetin e njeriut. Si profesionit gjatë punës sime kam parë shumë probleme shëndetësore të lidhura me ambientin, pra shumë shkaqe të sëmundjeve të ndryshme vijnë si pasojë e ambientit. Prandaj, meqenëse ne merremi me pasoja, tani është koha të përpiqemi që shkaqet e këtyre sëmundjeve t’i minimizojmë dhe mundësisht t’i eliminojmë. Në këtë drejtim unë me kapacitetet e mia do të përpiqem t’i gjejmë këto shkaqe dhe t’i eliminojmë brenda mundësive.

“Epoka e re”: Sa jeni optimist se do t’ia arrini t’i realizoni këto synime për ambientin?
Demaçi: Ndoshta tani kjo është fushë e re, por mendoj se tani njerëzit do ta shohin mundësinë që ta mbrojnë shëndetin duke u nisur nga ambienti. Në këtë drejtim kam mbështetje të mirë nga kolegët politikanë, por më shumë kam shpresë se për arritjen e këtij synim do të mbështetemi nga qytetarët në angazhimet tona për mirëqenien shëndetësore dhe ambientale të tyre.

“Epoka e re”: Meqenëse si profesionist vini nga një fushë e caktuar, ku çdo ditë përballeni me qytetarët, në cilat problematika të qytetarëve duhet të fokusohen kësaj radhe subjektet politike?
Demaçi: Temat e mëdha mbeten tema kornizë, mirëpo qytetarëve iu intereson të kenë rrymë, të kenë ujë, ushqim, vende pune dhe gjera të tjera. Pensionistëve iu intereson që të ketë pension të dinjitetshëm dhe të rregullt, dhe të gjitha shtresave të tjera iu intereson të kenë kushte sa më të mira për jetesë. Besoj se orientimet e partive politike duhet të jenë në shërbim të përmirësimit të kushteve të jetës së qytetarëve dhe kushteve ambientale.

“Epoka e re”: Çka ju bën më të veçantë në këtë listë?
Demaçi: Secili njeri e ka një bagazh të vetin jetësor dhe profesional. Në PDK, po ashtu, ka edhe mjekë të tjerë, mjekë të profileve të ngjashme. Kam parë aty dy onkologë, psikiatër, me të cilët mund të kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Kosovës. Unë jam më i moshuar se ta në aspektin e përvojës jetësore. Po ashtu, e njoh bukur mirë Prishtinën, sepse kam lindur dhe jam rritur këtu, e njoh se si frymon Prishtina dhe si ka ndryshuar gjatë kohës. Pra, mendoj se mund të japë kontribut me ide për mbrojtjen ambientale dhe mbrojtjen shëndetësore.

“Epoka e re”: Meqenëse vini nga fusha e shëndetësisë, një sektor që vazhdimisht kritikohet nga qytetarët, në këtë mandat PDK-ja pretendon se ka bërë gjera të mira. Sa është punuar në shëndetësi gjatë këtij mandati?
Demaçi: Shëndetësia është një oqean i madh. Sado që investon në të ajo nuk mjafton. Mendoj se ministri Ismajli, me stafin e vet, është përpjekur maksimalisht të bëjë një përmirësim në furnizime të mjeteve shpenzuese, njëkohësisht të aparaturës së re. Natyrisht se ngelin shumë punë të tjera të cilat besoj se në mandatin e ardhshëm mund dhe duhet të realizohen. Veçanërisht duhet të ndodhë dërgimi i mjekëve të rinj, që të përmirësohen në shkathtësitë e tyre mjekësore dhe kirurgjike.

“Epoka e re”: Pra, mendoni se qeveria e ardhshme duhet ta ketë prioritet shëndetësinë?
Demaçi: Natyrisht se shëndetësia është një prej shtyllave të shtetit. Pas ushtrisë, policisë, arsimit, shëndetësia është prej shtyllave kryesore që e mban shtetin. Një shëndetësi e fuqishme prodhon shëndetet më të mirë për popullatën dhe një mirëqene më të mirë për gjithë qytetarët e Kosovës.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet e juaja më 6 tetor? Si mendoni se do të dalë PDK-ja?
Demaçi: Mendoj se PDK-ja po bën një organizim të mirë për fushatën. Besoj se kjo përpjekje do të jetë e suksesshme dhe më 6 tetor do të kemi një rezultat të mirë.

“Epoka e re”: Jeni bërë pjesë e një partie së cilës pothuajse të gjitha partitë e tjera i kanë vendosur vija të kuqe. Si e keni parë këtë qëndrim të këtyre partive?
Demaçi: Për dekontaminimin e ambientit dhe dekontaminimin gjeneral është mirë të fillojmë të mendojmë dhe të kemi mendime dhe ide të pakontaminuara. Është mirë të bashkëpunojmë. Jemi në një fazë që është luks i madh të mendohet se si t’i vendosim njëri-tjetrit vija të kuqe. Pra, është koha që të mos ketë fare vija të kuqe, por të kemi bashkëpunim të ndërsjellë mes partive politike. Sepse, në fund të fundit, partitë politike janë instrumente politike të cilat synojnë ta përmirësojnë jetën e qytetarëve. Secili instrument politik e ka rëndësinë e vet, prandaj të gjitha partitë duhet të bashkëpunojnë në mes vete për qytetarët e Kosovës.

“Epoka e re”: Pra, mendoni se është koha që partitë të heqin dorë nga interesat e ngushta?
Demaçi: Është e rëndësishme që partitë politike të heqin dorë nga interesat e ngushta për hir të interesave të qytetarëve. Nuk është mirë të fokusohemi në vija të kuqe dhe blloqe të mendjes, por të përpiqemi të kemi bashkëpunim sa më të mirë mes partive. Shpresoj se do të kemi një fushatë korrekte dhe demokratike, ku secili do t’i prezantojë idetë e veta dhe të fitojë më i miri. Besoj se fituesi i këtyre zgjedhjeve pastaj do të mendojë për të gjithë qytetarët, në mënyrë që secili qytetar ta ndiejë dorën e shtetit.

Muhamet KOCI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se ai nuk mendon…