EUREKA: Parlamenti konstituohet në fundjavë

24 korrik 2025 | 16:16

Shkruan: Astrit Gashi

Në fundjavën e fundit të afatit kushtetues, pas më shumë se 50 tentativave të dështuara, Kuvendi i Kosovës pritet më në fund të konstituohet. Jo sepse u ndriçua ndërgjegjja kolektive. Jo sepse u arrit ndonjë marrëveshje për të mirën e përbashkët. Por sepse ora kushtetuese po troket fort si kambanë alarmi për humbjen automatike të mandatit.

Kjo që po ndodh nuk është akt politik. Nuk është kompromis. Është thjesht instinkt mbijetese përballë rrezikut të përjashtimit nga privilegjet. Është një sprint i pështirë drejt karriges, jo një akt përgjegjësie ndaj qytetarit.
Në çdo demokraci normale, parlamenti konstituohet në javet e para pas zgjedhjeve. Në Kosovë, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kemi hyrë në ditën e 165-të të një bllokade që s’ka të bëjë as me rendin, as me ligjin, por me karakterin. Mungesën e tij. Në vend të një institucioni të sovranit, kemi parë një teatër përçarjesh, pazare të errëta dhe heshtje të organizuar.

Burime të shumta kanë konfirmuar se arsyeja pse Kuvendi pritet të votojë këtë fundjavë është frika se mos u digjen mandatet. Disa deputetë janë alarmuar nga rreziku se emrat e tyre mund të zëvendësohen automatikisht nga listat e partive.

Ky nuk është një konstituim i vërtetë. Është një kapitullim kolektiv i një klase politike që s’përfaqëson më qytetarin, por vetëm veten. Asnjë ideal, asnjë bindje, asnjë projekt nuk është vënë në tavolinë. Vetëm pazare, llogari, mikrofonë dhe frikë nga rënia. Ky Kuvend po lind jo për të ndërtuar shtetin por për të ruajtë mandatin..

Në këtë Kuvend nuk ka përfaqësim por ka vetëm mashtrim. Nuk ka debat por ka heshtje të koordinuar. Nuk ka institucione por ka marioneta që luajnë teatër për popullin, por i përgjigjen interesave që veprojnë jashtë Kuvendit.

Ky konstituim nuk është një fitore e demokracisë. Është simptomë. Është fotografia më e qartë e një elite që ka degraduar çdo sens përfaqësimi. Ai nuk simbolizon stabilitet, por krizën e moralit publik.

Në një shoqëri ku qytetari përballet me papunësi, me largim masiv nga vendi, me drejtësi të vonuar dhe me arsim të rrënuar, deputetët kaluan pesë muaj duke bërë llogari për mikrofonin e parë. Një absurditet i shtrenjtë, i paguar me taksat e popullit, për t’i ruajtur privilegjet një pakice pa legjitimitet moral.
Në fund të kësaj drame të ulët politike, me sarkazmën që e meriton momenti, mund të thuhet me zë të lartë;

Urime Kosovë! Parlamenti më në fund po konstituohet. Jo për ty, por për ata që u intereson vetëm rroga, tenderi dhe influenca.

Kosova sot jeton në epokën Gjestiane, ku vlera shtypet nga antivlera, ku dinjiteti është tallje dhe guximi për ndryshim shihet si kërcënim. Në këtë epokë, burrat e urtë janë heshtur, ndërsa mediokriteti ka marrë mikrofonin. Nuk ka më debat për të ardhmen ka vetëm një luftë të pamëshirshme për të ruajtur të shkuarën. Për të ruajtur privilegjet e pamerituara të një elite që e ka kthyer shtetin në vegël private.
Por qytetari nuk është më naiv. Ai e di së parlamenti që konstituohet pa vlerë, do të rrëzohet pa nder. Dhe kjo ditë do të vijë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga raportet për bashkëpunim…