Euro vazhdon zhvlerësimin kundruall lekut

13 gusht 2019 | 16:04

Monedha e përbashkët europiane e ka rinisur sërish javën e nënçmuar përkundrejt lekut vendas.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë gjatë ditës së sotme një euro është këmbyer mesatarisht me 120.82 lekë, rreth 0.32 lekë më pak se sa fundi i javës së kaluar. Në fillim të javës së kaluar euro preku nivelin më të ulët të 11 viteve të fundit, duke u këmbyer me 120.75 lekë.

Por pas një rikuperimi të lehtë në fundin javës që lamë pas euro ka nisur të zhvlerësohet përsëri. Arsye kryesore të nënçmimit të monedhës së përbashkët lidhen me efektet sezonale, ku flukset e emigrantëve dhe turistët rrisin ofertën në valutë.

Gjithashtu monedha e përbashkët shfaq tendenca të zhvlerësimit me afrimin e afateve të fundit për pagesën e TVSH-së (datë 14) dhe të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore (datë 20).

Edhe monedhat e tjera janë treguar të dobëta ndaj lekut. Kështu, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan është këmbyer me 107.8 lekë, rreth 0.31 pikë më pak. Po ashtu edhe monedhat e tjera kanë pësuar rënie, ndër të cilat më të madhen paundi britanik. Një paund është këmbyer me 130.16 lekë, rreth 0.78 pikë më pak se të premten.

Edhe në tregjet ndërkombëtare monedha europiane po tregohet e dobët përkundrejt dollarit. Aktualisht sipas Financial Times një euro po këmbehet me 1.12 dollarë, shumë pranë nivelit më të ulët të 12 muajve të fundit. Në harkun kohor të 12 muajve niveli më i lartë i këmbimit të euros ishte 1.18 dollarë për 1 euro./Monitor.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kylie Jenner ka para që shumica vetëm mund t’i ëndërrojnë,…