Eurodeputetët kërkojnë nga KE-ja të mos i njohë rezultatet e zgjedhjeve në Serbi

01 shkurt 2024 | 15:58

Anëtarët e Parlamentit Evropian nga Partia Popullore Evropiane (EPP), të Gjelbrit dhe Social Demokratët (S&D), i kanë dërguar një letër presidentes së Komisionit Evropian (KE), komisionarit për zgjerimin dhe përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikat e integrimit dhe sigurisë, në të cilën ata kërkojnë që të nisë një hetim ndërkombëtar për zgjedhjet parlamentare, provinciale dhe lokale në Serbi nën kujdesin e OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian.

Nëpërmjet kësaj letre, ata kanë kërkuar që rezultatet e zgjedhjeve në Serbi të mos njihen derisa të përfundojë një hetim i plotë i pavarur për parregullsitë zgjedhore.

Deputetët kanë kërkuar një hetim me vëmendje të veçantë për zgjedhjet për Kuvendin e qytetit të Beogradit, si dhe që ato rezultate të raportohen në Parlamentin Evropian.

“Ne mbetemi në mbështetje të qytetarëve të Serbisë që po protestojnë për mundësinë e tyre për të ushtruar të drejtat e tyre demokratike, si dhe për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Fatkeqësisht, akuzat e rënda në lidhje me zgjedhjet e fundit nuk janë në përputhje me standardet demokratike dhe minojnë këtë qëllim”, është thënë në letrën e eurodeputetëve, raporton “EWB”.

Ata kanë kujtuar njoftimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell dhe komisionarit për zgjerim, Oliver Varhelyi pas zgjedhjeve, në të cilin ata vetë kanë përmendur e gjetjet e vëzhguesve ndërkombëtarë nga OSBE/ODIHR janë shkak për shqetësim lidhur me procesin zgjedhor.

“Disa misione vëzhguese ndërkombëtare dhe vendore kanë arritur në përfundimin se zgjedhjet në Serbi nuk mund të konsiderohen të lira dhe të ndershme dhe kanë gjetur dëshmi për parregullsi dhe mashtrime të hapura zgjedhore. Misioni vëzhgues i CRTA-s ka shprehur shqetësim edhe për zgjedhjet lokale në qytetin e Beogradit”, është thënë në letër.

Sipas eurodeputetëve “disa nga gjetjet përfshijnë akuza për blerje votash, abuzim me burimet publike, nënshkrime të falsifikuara të mbështetjes në listat zgjedhore, ndikim joproporcional të qeverisë në media, manipulime serioze dhe të planifikuara mirë të listës së votuesve dhe migrim të votuesve, duke përfshirë nga vendet fqinje, si dhe presionin ndaj përfituesve të ndihmës sociale dhe punonjësve të ndërmarrjeve shtetërore për të votuar për partinë në pushtet për të mbajtur vendet e punës dhe përfitimet e tyre”.

Letra është nënshkruar nga deputetët: Thomas Waitz (Të Gjelbrit/EFA), Gwendoline Delbos Corfield (të Gjelbrit/EFA), Lukas Mandl (EPP), Tonino Picula (S&D), Andreas Schieder (S&D) dhe Tineke Strik (të Gjelbrit/EFA).

Më 8 shkurt, Parlamenti Evropian do të votojë për rezolutën për zgjedhjet serbe. Rezoluta është pasuar me debate në seancën plenare në Strasburg, si dhe nga Komiteti i Punëve të Jashtme të PE-së (AFET).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ilnisa Agolli dhe Meriton Mjekiqi po vazhdojnë që të jenë…