Eurodeputeti gjerman: Politika e Borrellit në dialogun Kosovë, Serbia ka dështuar

12 gusht 2023 | 14:08

Eurodeputeti gjerman nga Partia e Gjelbër, Reinhard Butikofer, ka kritikuar qasjen e pabalancuar të Bashkimit Evropian në raport me Kosovën dhe Serbinë duke kërkuar nga Parlamenti Evropian të mbajë përgjegjës Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Jose Borrell, për një politikë krejtësisht të dështuar shumë të njëanshme dhe të padrejtë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media ka rikonfirmuar se letra e disa ligjvënësve të lartë për Politikë të Jashtme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe shtete të tjera anëtare të BE-së, lidhur me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe situatën politike e të sigurisë në Veriun e Kosovës, ka arritur tashmë në adresën e Borrell, dhe se i njëjti do t’i përgjigjet letrës së përbashkët nga kanalet e duhura të komunikimit.

Dhjetra ligjvënës nga shtetet anëtare të BE-së, senatorë amerikanë dhe ekspertë të Politikës së Jashtme nga vendet aleate, kanë kërkuar nga BE-ja, SHBA-të dhe Britania e Madhe një qasje më të ashpër dhe më të vendosur ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndërsa kanë tërhequr vërejtjen se në adresimin e krizës në Veriun e tensionuar të Kosovës, politika e përbashkët perëndimore duhet të udhëhiqet nga “gabimet e së kaluarës”.

Megjithatë sipas Stanos, qasja e Unionit në këtë fazë është e balancuar, meqë sipas tij nëse të 27 shtetet anëtare të BE-së në koordinim edhe me komunitetin ndërkombëtar, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shohin se Serbia nuk po kontribuon në de-përshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës në mënyrë të duhur do të vendosin masa ndëshkuese edhe ndaj Beogradit zyrtar.

Por, me deklaratën e Stanos nuk është pajtuar eurodeputeti gjerman duke theksuar se Borrell përqafon një qeveri autoritare si ajo në Serbi ndërsa atë të Kosovës po e kritikon e sanksionon.

“Çfarëdo marrëzie nonsensi që thotë Stano, ai është zëri i zotit të tij dhe Josep Borrell duhet të mbahet përgjegjës nga Parlamenti Evropian për një politikë krejtësisht të dështuar, shumë të njëanshme dhe të padrejtë: qeverinë autoritare serbe ai përqafon ndërsa Kosovën ai kritikon dhe sanksionon”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Twitter.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, Rinia Demokratike e Kosovës…