Fadil Vata ishte intelektual dhe patriot i pathyeshëm për lirinë e popullit shqiptar në Kosovë

28 maj 2020 | 08:57

Heroi Fadil Vata edhe në burgjet jugosllave përçonte mesazhin e lirisë, të qëndresës dhe të unifikimit për çlirimin e Kosovës (2)

Shkruan: Izmi Zeka

Fadil Vata sa ishte në burg kishte dhënë një intervistë për një revistë Beogradase.
Po e paraqes në mënyrë autentike se çfarë kishte deklaruar Fadil Vata dhe se si e kishte filluar hyrjen kjo revistë pasi që lexuesi e ka më të lehtë të analizoi dhe studioi këtë figurë komplekse:

Gazeta Arena:
Fadil Vata është i ri, ka 25 vjet. Në burg i ka mbajtur dhjetë vjet. E ka vuajtur gjithë dënimin dhe nga fundi i prillit ka shkuar në shtëpi. Është mjaft inteligjent dhe i edukuar, por mjaft i pezmatuar. Morëm vesh se të burgosurit tjerë shqiptar e quajnë “shoku Vata”. Fituam përshtypjen se kishte mjaft ndikim te të burgosurit tjerë. Ishte në dilemë që të bisedojë me ne.
Arena: Ça po leni në burg?
Fadil Vata: Vitit më të mira të rinisë sime.
Arena: Te të burgosurit risocializimi në burg a bënë efekt?
Fadil Vata: Jo
Arena: Pse?
Fadil Vata: Sepse veten nuk e ndiej fajtor, nuk jam gjykuar sipas drejtësisë, prandaj nuk kam arsye t’i bëjë lutje askujt.
Arena: A jeni ankuar ndonjëherë?
Fadil Vata: Nuk jam ankuar dhe as që do të ankohesha. Sipas sjelljeve të drejtorisë ndaj nesh shihet se ata nuk na besojnë, andaj as unë nuk besoj që ajo do të zgjidhë lutjet dhe kërkesat e mia.
Arena: Në kënd mendoni kur thuani “ne” dhe “ata”?
Fadil Vata: Kur them “ne” mendoj në të burgosurit politikë.
Arena: Si është tretmani i juaj këtu?
Fadil Vata: Jemi të diskriminuar.
Arena: Në cilin kuptim?
Fadil Vata: Ja pra, në vetmi me kanë futur padrejtësisht. Kjo nuk është vetëm kundër rregullit shtëpiak këtu, por edhe kundër konventave ndërkombëtare. Kjo ndërtesë në radhë të parë është e paraparë për ata që shumë herë hynë në burg dhe për ata që kryejnë vepra penale brenda burgut.
Arena: Përse jeni në vetmi?
Fadil Vata: Nuk e di. Që nga dita e parë jam këtu. Dhe pjesa më e madhe e shokëve të mi janë këtu pa asnjë arsye.
Arena: Për një kohë anuk keni qenë bashkë me të burgosurit tjerë në ndonjë pavijon tjetër?
Fadi Vata: Isha, po më kthyen përsëri këtu. Këtu edhe u sëmura rëndë dhe mese një vit isha në Beograd në spitalin e burgut. (CZ-në famëkeqe, shën. iRed)
Arena: A është e vërtetë se pasi që ka kërkuar një shok i juaji që ju të mos e respektoni rregullin shtëpiak të burgut, ju futën në vetmi?
Fadil Vata: Mendoj se drejtoria e burgut e keqpërdor këtë rast. Ai bashkëfshatar imi është hajn dhe vrasës, dhe drejtoria u përpoq që ta nxisë kundër nesh. Kështu u montua rasti, gjoja sikur unë dhe një shok imi, paskemi provuar që ta përvetësojmë për qëllimet e ideve tona.
Arena: A shoqëroheni me shqiptar?
Fadil Vata: Kjo këtu është e pamundshme. Ka ndodhur që për shkak të një përshëndetje mes veti jemi ndëshkuar.
Arena: Çfarë përshëndetje?
Fadi Vata: Për “Mirëmëngjesi” apo “Mirëmbrëma”.
Arena: Mbase për këtë nuk ju rrahin? A ju kanë rrah juve?
Fadil Vata: Jo, por shpesh na e kanë ndërprerë shëtitjen dhe na kanë kthyer në dhomë, vetëm e vetëm se e kam kthyer kokën apo se e kam pyetur ndonjë shokë për shëndetin.
Arena: Si jetoni në qeli?
Fadi Vata: Në qeli jetojmë katër veta. Nga ne kërkohet që të punojmë, të hamë, t’i kryejmë nevojat, të lajmë rrobat… A mundta mendoni ju se si duket ajo jetë. Ndonjëri nga shokët e mi, në kushte të tilla ka kaluar gjithë vitet e burgut.
Arena: Ndonjë bashkëvendës i juaj mendon se të gjithë të burgosurit politik duhet ndarë nga të tjerët. Çka mendoni ju?
Fadil Vata: Edhe unë mendoj ashtu. Ka pasur raste kur të burgosurit kriminelë janë sjellë tepër ashpër ndaj nesh. Na kanë provokuar dhe kanë tentuar që edhe fizikisht të na zhdukin.
Arena: Gjithmonë flisni në vetën e parë shumës. Si i formoni qëndrimet e juaja të përbashkëta, kur nuk keni kontakte me të burgosurit tjerë?
Fadi Vata: Që kur kam ardhur në këtë burg kurrë nuk më kanë lënë në një dhomë. Gjithçka që flas rrjedhin nga mendimet e tyre me të cilët kam ngrënë dhe jetuar së bashku. Nuk po flas për ato që i kam dëgjuar prej të tjerëve kuturu. Por nga përvoja ime dhe e shokëve të mi.
Arena: Përse ndonjë bashkëvendës yti ju thërret “shoku Vataj”?
Fadil Vata: Këtë pyetje nuk duhej ta kishit bërë. Sa më përket mua, unë me gjithkënd jam sjell në mënyrë korrekte dhe, ndoshta kjo është arsyeja që dikush më thërret ashtu.
Arena: Jeni ankuar për kushtet e këtushme të burgut. A është ky shkaku që juve ju dërguan në spitalin e të burgosurve në Beograd?
Fadil Vata: Po është e vërtetë, sepse pa asnjë arsye nga pavijoni ku isha më sollën padrejtësisht në vetmi. Nga kushte e këqija edhe jamsëmurë. Kurrë më parë nuk kam qenë isëmur.
Arena: Për shkak se keni qenë në burg a do t’ju gjykojnë rrethi i juaj në vendlindje?
Fadil Vata: Mendoj, se as mua as shokët e mi, pjesa dërmuese nuk do të na gjykojnë. Ne asgjë nuk kemi punuar kundër popullit.
Arena: A ka ndikuar burgu në ndërrimin e bindjeve tuaja?
Fadil Vata: Aspak.

Në revistën “Arena” të Beogradit e datës 16 shtator 1987, u botua fejtoni mbi të burgosurit politikë nëpër burgjet jugosllave.

Ibrahim Shala, shokë dhe bashkëveprimtarë i Fadilit thekson: “Ndoshta është i vetmi prej të burgosurve politik që ka dhënë intervista nga burgu ku e ka mbrojtur platformën kombëtare dhe nevojën për të realizuar statusin e Kosovës Republikë”.
Lartësia e nivelit kombëtar, dhe ideali i parapërcaktuar nga Fadili për lirinë nuk kishin alternativë edhe pse gjendej në burgjet famëkeqe jugosllave dhe torturat ishin çnjerëzore. Ai publikisht shpreh bindjet e tij siç shihet edhe në këtë intervistë që koha i përligjte edhe ligjet e shtetit famëkeq serb.
Kauza kombëtare nuk kishte alternativë qoftë në burg, qoftë jashtë burgut.
Kjo intervistë tregon qartë qasjen dhe brumosjen e Fadilit në raport me shtetin serb dhe bindjet e tij politike për Kosovën.
Analiza sistemore e intelektualit dhe ideatorit përmbushet me kujdes të veçantë në të studiuarit e jetës së tij dhe shkrimeve të tij, kritikave dhe vlerësimeve që më vonë do të përmbysnin regjimin e egër serb në Kosovë.
Analizat e tij për situatën e kohës, rrethanat për dhe rreth Kosovës ishin rruga e cila duhej të ndiqej jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Pas viteve 1987, kur edhe doli nga burgu ai ishte figura qenësore e lëvizjes kombëtare në Kosovë e cila në themel kishte organizimin nga LPRK.
Ishte zgjedhur sekretar politik në kuadër të Lëvizjes Popullore të Kosovës.Veprimet kuptohen se ishin në kushte të ilegalitet të thellë.
Po të shikohen me kujdes analizat, vlerësimet politike e intelektuale për kohën mund të shohim se ai ishte një politikbërës në kushte të okupimit klasik nga Serbia për luftën dhe idenë e veprimit në koherencë me rrethanat ndërkombëtare për t’u çliruar nga Serbia.
Njihte mirë filozofët, dijetarët e mëdhenjtë të kohërave të ndryshme.
Skicimet,opinionet,bartjen e mesazhit për aktivizim popullor i shfaqte në “Zëri i Kosovës” dhe “Rruga e Lirisë” organe këto të lëvizjes ilegale në Kosovë dhe jashtë saj. Këto dy botime bartnin vijën uniforme dhe rezistencën e shqiptarëveqë nga pas Lufta e Dytë Botërore.
Bashkë me Afrim Zhitin dhe shumë të tjerë vazhduan punën dhe angazhimet kundër shtetit serb. Ishte kohë kur lëvizja ilegale kishte një shpërqendrim të saj për shkak të burgosjeve të shumta të idealistëve të kohës. Andaj Fadili me shokë brenda një kohe të shkurtër arrin të riorganizojë pjesët e shkëputura të lëvizjes për çlirim të atdheut nga pushtuesi serb.
Lëvizja Popullore e Kosovës si organizata ilegale më e qartë dhe me veprime konkrete vazhdonte reformimin e saj duke u përshtatur rrethanave dhe filozofisë shteteformuese. Fadili dhe Afrimi dy figura të kohës që shikuar nga kjo distancë përplotësonin njëri-tjetrin në shumë dimensione duke përafruar grupimet në një pikë që përfundim kishin bashkimin e ideve dhe ruajtjen e politikave që ishin ndërtuar nga shumë pararendës e që kishte një për objektiv çlirimin e Kosovës nga pushtet serb.
Askush ndoshta më mirë nuk do të shkruaj për Fadil Vatën vitin 1996 duke përkujtuar me një shkrim që për mua është maja e shpirtit të një luftëtarit të paepur që shkruan heroi i sotëm Bahri Fazliu. Askush nuk e paraqet më mirë Fadilin, heroin, idealin, peshën, ringjalljen, ngritjen ri ngritjen, nevojën, guximin, mesazhin se sa Bahriu.

Po e paraqes ashtu siç ishte botuar në tërësi për shkak se rrallë në historinë tonë gjejmë një shkrim që përveç metaforës duke përkujtuar heroin ai bartë mesazhin për jetën, pathyeshmërinë dhe luftën që i duhej atdheut të tij.
Lexoni dhe pak keni nevojë së lexuari kur të shohim se kush ishte Fadil Vata sipas Bahri Fazliut heroit të sotëm të lirisë së Kosovës.

KURRË I NËNSHTRUAR
(Në përkujtim të Fadil Vatës)

Për tokë, për gjuhë, për nder
ne kurrë s’jemi ngopur nga vdekjet

Thonë s’u nënshtrua kurrë. Luftoi në çdo çast të jetës së tij. Thonë se e kanë parë duke luftuar edhe tani me shokët e tij, heronjtë. Thonë…
Po, dheu nuk i mban heronjtë, kur të gjallët nuk e mbajnë dheun. Luftojnë të vdekurit e pavdekshëm për t’i ngjallur të gjallët e vdekur. Është lufta më e madhe, më e shenjtë, më e çuditshme që ka parë bota.

S’iu nënshtrua burgut, s’iu nënshtrua sëmundjes, s’iu nënshtrua Serbisë.
Atë që vdes duke mos pranuar nënshtrimin, vdekja e bënë të pamposhtur.

Populli i robëruar duhet të vajtohet në rast se i mungojnë heronjtë e jo nëse për çdo ditë jep heronj. Madhështia e heronjve s’e lejon të nënshtrohet kurrë një popull.

Thonë vdiq me buzëqeshje në gojë. Po. Ai që ka besim në popullin e vet, s’mund të vdes ndryshe. Ai që tërë jetën jeton i pazgjidhshëm me popullin, e kupton se jeta e tij vazhdon me jetën e popullit. E një popull që rrit bij si Fadili, nuk vdes kurrë.

“Lufta jonë të mbështetet në forcat tona” – sfidon Fadili qenien tonë sot.
Është e tmerrshme për një popull kur flaka e qëndresës peshon mbi dëshmorët.
I vrari nga dora e gjatë gjakatare, sfidon fodullët e sotëm të rregulluar në pëllëmbët e xhelatëve.

Thonë…
Po, po Fadilin nuk po e mban varri. Nuk ka gjumë ai përderisa të mos zgjojë nga gjumi të gjallët. Fuqishëm jehon zëri i tij: zgjohuni, ju, o të pushtuar!

Gazeta “Çlirimi”, prill 1996.

Lavdi jetës dhe veprës së Heroit të Kombit Fadil Vata!

Ajo që bie në sy nga ky punim i shkruar në pasusin e gjashtë ku shkruan “Populli i robëruar duhet të vajtohet në rast se i mungojnë heronjtë e jo nëse për çdo ditë jep heronj”. Është fjali e shkurtër por një art realist i kohës dhe i nevojës për ta mbyllur misionin heroi për heroin.
Fadili apo djaloshi me libra në dorë ishte sinonimi i dijes shqiptare që i kishte tejkaluar veprat shkencore, historike e letrare të triometrisë botërore.
Fadili apo heroi i djalërisë shqiptare në njërën dorë historinë e kohës dhe në tjetrën luftën la amanet rrugën për liri.
Deri në frymën e fundit të vdekjes nga një sëmundje e pamëshirshme Fadili do të mbahet mend edhe për një fjalim që për nga konteksti ishte i paarritshëm për kohën. Ai mbajti një fjalim në Zvicër në kuadër të angazhimeve të lëvizjes ilegale në Kosovë disa kohë para se të ndërronte jetën.

Se sa ekzistonte lidhshmëria në mes shokëve po e paraqes një pjesë të shkëputur nga ditari i bashkëveprimtarit Sabri Kiçmar. Letra ka datën 25 prill 1990.

Bochum (RFGJ), 25 prill 1990
Ka vdekur Fadili. Fadil Vata. Shoku im i dashur. Nuk mund ta besoj! Fadili është shumë i ri për të vdekur. Ai është shumë i nevojshëm për të vdekur. Ai është i pazëvendësueshëm për të vdekur. Nuk mund ta pranoj! Lëvizja nuk mund të mbetet pa njërin nga drejtuesit më të devotshëm të saj. Ne, shokët e tij, nuk mund të mbetemi pa fjalën e tij të peshuar. Populli nuk mund të mbetet pa birin e saj të denjë. Po! E vërteta e hidhur, në të shumtën e rasteve, është e vërtetë. Ka vdekur Fadili ynë, me të cilin bisedonim për këtë, ose atë detyrë, për këtë, ose atë aksion. Ka vdekur në moshën më të mirë: atëherë kur mund të jepte më së shumit për luftën për liri si udhëheqës dhe organizator.
Posa e marr këtë lajm të hidhur, vetvetiu më kujtohet takimi i parë me Fadilin. Pastaj mendja më shkon te Aliu, Afrimi, Fahriu dhe takimi i fundit me të, biseda e fundit telefonike. M’u kujtua ai Fadili i buzëqeshur, i veshur thjeshtë dhe pastër, me gazeta nën sjetull, tek vinte për t’u takuar në bazat tona të shumta: te xha Shabani në Mirofc, te xha Neza në Divjakë, te Kujtimi në Obiliq. M’u kujtua Fadili serioz në diskutime për çështje të rëndësishme të luftës. Serioziteti dhe këmbëngulja për të shpjeguar deri në fund, për t’i shkoqitur problemet. Durimi i pafund i tij.
Kur vdes luftëtari, dijetari, organizatori diçka humbet nga shpirti i atdheut, humbet pesha që kishte Kosova në të gjallët e tij.

Po citoj disa veprimtarë dhe bashkëveprimtarë të kohës dhe të tjerë për veprën heroike të Fadilit:
Beqir Elshani e bën një përshkrim të vizitës në familjen Vata, ato ditë të rënda të vizitave nga anekënd Kosova për ngushëllime në vitit 1990.
Ato ditë në Therandë arriti redaktori i gazetës “Shkëndija” dhe veprimtari kombëtar, prof. Beqir Berisha. Ai kishte ardhur për t’i shprehur ngushëllime familjes Vata në Lumbardh (Sallagrazhdë). Prandaj unë e shoqërova dhe së bashku udhëtuam për Lumbardh. Sapo autobusi kaloi lumin e vrullshëm të pranverës, që vinte nga bjeshkët e larta të Sharrit krenar me dëborë, shokut tim i tregova se hymë në Lumbardh. Udha në drejtim të shtëpisë së babait të Fadilit, NebihVata, kishte plotë njerëz që prisnin miqtë për ngushëllime. Në krye të udhës, skaj shtëpisë, qëndronte një tryezë e vogël me portretin e dëshmorit – Fadil Vata. Në fletoren e kujtimeve të dëshmorit, më parë shënoi Beqir Berisha, pastaj shënova edhe unë për të dytën herë. Ndërkohë që ne nderonim me ngritjen e grushtit revolucionar militantin e lirisë, Fadil Vatën, një kolonë e gjatë burrash pritnin hyrjen tonë në drejtim të odës. I tërë katundi ishte bërë odë për pritjen e miqve për ngushëllime. Lumbardhi ishte bërë kryeqendra e përkohshme e Kosovës kreshnike, sepse vinin shqiptarë nga të gjitha anët e Kosovës, përveç Shqipërisë mëmë, me të cilën na ndante kufiri i dhunshëm me makinerinë e rëndë ushtarake.

Brahim Thaqi:
Jeta e tij nuk është e zakonshme, sepse veprimet e tij për jetën janë të jashtëzakonshme.
Leximin e studimin e gjejmë në fjalimet dhe platformën e tij politike.
Angazhimin e sinqertë e shohim në rrëfimin e përmallshëm të shokëve të tij.
Rezistencën e kuptojmë në vitet e burgut dhe torturat në të.
Rezultatin e punës së tij e mësojmë, në rrugëtimin ushtarak të atyre që ranë për liri.
Madhështor e unik e bën epitafi mbi varrin e tij – “E përkujton Populli”.
Populli nuk vdes. Edhe historia e tij natyrisht jeton me Heroin Fadil Vata.

Kadri Gërvalla:
Fadil Vata, atdhetar e intelektual me vetëdije të lartë kombëtare, u vu në vijën e veprimit aktiv në luftë për liri dhe çlirim të trojeve etnike. Luftëtar i paepur për liri, i sinqertë, i mençur, kurrë nuk u ndal deri në vdekje dhe ka vdekur, për të jetuar gjithmonë.
Idealizmi dhe idealistët si Fadil Vata, i kanë dhënë frymën e heroizmit dhe të sakrificës epokave të ndryshme në historinë njerëzore e në veçanti historisë sonë kombëtare.

Beqir Cikaqi:
Mëngjesi, qytetin e Therandës me 25 prill gjeti të zbukuruar e stolisur me flamuj kombëtar. Edhe qytetarët dukeshin më ndryshe! Mbase kishin arsye, sepse në mesin e tyre, përkatësisht në qendër të Therandës, vije biri i tyre Heroi kombëtar Fadil Vata. Edhe pse fizikisht ka munguar heroi për më tepër se dy dekada, vepra, frymëzimi ideali i tij nuk ka munguar për asnjë moment.

Hashim Thaçi:
U bënë tri dekada nga vdekja e Fadil Vatës, njërit prej veprimtarëve më të shquar të lëvizjes sonë kombëtare. Fadili ishte intelektual dhe patriot i pathyeshëm në burgje dhe në jetë. Pas daljes nga burgu e deri në ditët e fundit të jetës, Fadil Vata ishte shtyllë e lëvizjes patriotike, frymëzues dhe i vendosur për t’i forcuar strukturat politike, që pas disa viteve themeluam Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Vdekja e tij në kulmin e energjive ishte humbje për lëvizjen kombëtare.

Kadri Veseli, 25 prill 2019:
Sot ishim në vendlindjen e tij për të nderuar Fadil Vatën, veprimtarin e hershëm të lëvizjes sonë kombëtare për lirinë e Kosovës.Vitet po kalojnë, por kujtimi për heronjtë e lirisë mbetet gjithmonë i freskët në mendjet dhe zemrat tona.

Enver Hoxhaj:
Fadil Vata ishte ndër aktivistët e parë për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe veprimtar i pathyeshëm për lirinë e popullit shqiptar në Kosovë.
Hapat e tij janë në gurthemelin e luftës së UÇK-së për lirinë që gëzojmë sot. Prandaj, nuk duhet harruar sakrificën sublime të Fadilit, në kohën kur numri i zërave rezistues ishte i paktë”
Në përmbyllje të këtij shkrim do theksoja se shumë shkrime, dokumente, vështrime ende janë mbetur në duar të bashkëveprimtarëve të Fadilit e të cilat do të ishte mirë që të publikohen në mënyrë që gjeneratat e sotme dhe të ardhshme të mësojnë nga e kaluara jonë dhe përpjekja deri në sakrificë për të çliruar Kosovën.
Të mësojnë se si erdhi liria e cila mori me vete shumë intelektual atdhetarë, njerëz të organizimit luftarak e që sot janë të skalitur në shtatore.
Fadil Vata, pena e shkruar apo përballja me historinë e mbetur peng do të ishte portretizimi më i saktë. / Fund /

Linku i shkrimit të pjesës së parë: https://www.epokaere.com/heroi-fadil-vata-edhe-ne-burgjet-jugosllave-perconte-mesazhin-e-lirise-te-qendreses-dhe-te-unifikimit-per-clirimin-e-kosoves/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një video të publikuar…