Fadil Vatës burgu serb nuk ia ndryshoi qëndrimet

25 prill 2023 | 14:50

Intervistë e heroit Fadil Vata dhënë gazetës serbe “Borba” në vitin 1987

-“Borba” e përshkruante heroin Vata inteligjent, të edukuar dhe të zemëruar

 Heroi i Kosovës, Fadil Vata, në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës serbe “Borba” në vitin 1987, kishte deklaruar se burgu në të cilin qëndroi gjashtë vjet duke u torturuar nuk ia ka ndryshuar qëndrimet për vazhdimin e aktiviteteve për çlirimin e Kosovës. “Epoka e re” sjell këtë intervistë me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së heroit Vata

Gazeta serbe “Borba” në vitin 1987 kishte zhvilluar disa intervista me të burgosurit politikë shqiptarë të Kosovës, në mesin e të cilëve ishte edhe heroi i Kosovës, Fadil Vata, i cili kishte vuajtur një dënim me burgim prej gjashtë vjetësh. “Borba” në atë kohë kështu e kishte nisur intervistën e zhvilluar me disa të burgosur politikë shqiptarë, por “Epoka e re” ka shkoqitur vetëm intervistën me heroin Vata. “Bazuar në intervistat e të burgosurve politikë të kombësisë shqiptare, fitohet përshtypja se shoqëria, veçanërisht prokuroria dhe gjyqësori, veçanërisht Kosova, duhet, ndoshta, edhe një herë t’i rishikojë efektet e politikave penale ndaj këtij grupi të të dënuarve politikë. Në burgun e Pozharevcit një ditë më parë kemi publikuar, se janë duke e vuajtur dënimin 48 të burgosur politikë të kombësisë shqiptare, përfshirë edhe tri femra. Tash numri i tyre është pakësuar, sepse disa prej tyre janë liruar”, pati shkruar “Borba” në vitin 1987.

Më tutje, kjo gazetë përshkruan se si e kanë intervistuar heroin Vata. “Ne intervistuam të burgosurin politik shqiptar i quajtur Fadil Vata, i cili gjendej në repartin e mbikëqyrjes së rreptë, me të cilin gjendeshin edhe dhjetë të burgosur shqiptarë. Nga drejtoria e burgut jemi informuar se ata gjenden nën mbikëqyrjen e rreptë, sepse kanë refuzuar të punojnë, por edhe kanë ushtruar ndikim të keq te të burgosurit e tjerë politikë shqiptarë. Fadil Vataj është djalë i ri. Është 25-vjeçar. Në burg është që nga mosha 19-vjeçare. Ka vuajtur dënimin e plotë dhe në fund të muajit prill ka shkuar në shtëpi. Duket shumë inteligjent, i edukuar, por edhe i zemëruar. Kemi dëgjuar se të burgosurit e tjerë politikë shqiptarë me respekt i adresohen ‘shoku Vataj’. Kishim përshtypje se kishte ndikim te ky grup i të burgosurve. Në fillim ka hezituar të na jepte intervistë, megjithatë ka pranuar”, pati shkruar “Borba”.

Me rastin e 33-vjetorit të vdekjes së heroit Vata në vazhdim e risjellim të plotë intervistën e tij dhënë “Borba”-s, e cila është botuar më datë 5 qershor 1987.

“Borba”: Çka po lini në burg?
Fadil Vata: Vitet më të mira të rinisë sime.

“Borba”: Nga pikëpamja e risocializimit, a ka pasur efekt dënimi?
Fadil Vata: Jo.

 “Borba”: Për kohën që keni kaluar në burg, a keni kërkuar ndonjë dëmshpërblim?
Fadil Vata: Jo.

“Borba”: Pse?
Fadil Vata: Sepse jam i pafajshëm, nuk jam gjykuar drejt, prandaj nuk kam arsye t’i lutem ndokujt. 

“Borba”: A jeni ankuar ndonjëherë?
Fadil Vata: Kurrë. Dhe as që do ta bëja një gjë të tillë. Sjelljet e drejtorisë më kanë rezultuar se ata nuk na besojnë neve, kështu që, as unë nuk besoj se ata do t’u përgjigjeshin ankesave ose kërkesave të mia.

“Borba”: Në kë mendoni kur thoni “na”…”ne”…?
Fadil Vata: Mendoj në të burgosurit politikë.

“Borba”: Si ju kanë trajtuar këtu?
Fadil Vata: Jemi të diskriminuar këtu.

“Borba”: Në çfarë kuptimi?
Fadil Vata: Ja, që, në mbikëqyrjen e rreptë në mënyrë të kundërligjshme. Kjo nuk është vetëm kundër rregullave shtëpiake të burgut, por është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare. Kjo ndërtesë, në radhë parë, është projektuar për recidivistë të veprave penale dhe për ata që kryejnë krime në burg.

“Borba”: Për çka jeni ju këtu?
Fadil Vata: Nuk e di. Që nga dita e parë jam këtu. Sikurse edhe shokët e mi, të cilët pa arsye janë këtu.

“Borba”: Për një kohë nuk keni qenë në pavijonet me të burgosurit e tjerë?
Fadil Vata: Kam qenë, por më kanë kthyer këtu. Këtu edhe jam sëmurë, për këtë arsye kam qëndruar një vit në Beograd, në spitalin e burgut.

“Borba”: A është e vërtetë se një nga bashkëpunëtorët e juaj është ankuar se ju nuk i përmbaheni rregullit shtëpiak të burgut dhe për këtë arsye ju kanë dërguar në mbikëqyrje të rreptë?
Fadil Vata: Mendoj se drejtoria e burgut e ka keqpërdorur atë rast. Ai vendasi im është vrasës dhe hajn, kështu që, e kanë shfrytëzuar kundër nesh. Doli se, kinse, unë dhe një shok imi kemi tentuar ta rekrutojmë atë në grupin tonë, për idetë tona.

 “Borba”: A shoqëroheni me shqiptarë të tjerë?
Fadil Vata: Këtu është e pamundur. Ka ndodhur që për shkak të një përshëndetje na kanë ndëshkuar me dajak.

“Borba”: Çfarë përshëndetje?
Fadil Vata: Për një “mirëdita” apo “mirëmëngjesi”, kur shëtisnim.

“Borba”: Vallë edhe për këtë ju kanë rrahur? A ju kanë rrahur juve?
Fadil Vata: Jo, por shpesh mi kanë ndërprerë shëtitjet, më kanë ndëshkuar duke me kthyer para kohe në dhomë, për shkak se kam kthyer kokën dhe kam shikuar dike tjetër apo vetëm për shkak se e kam përshëndetur.

“Borba”: Në çfarë qelie jetoni?
Fadil Vata: Jetojmë në një qeli të vogël, në një dhomë jemi katër veta. Nga ne kërkohet aty të punojmë, të hamë, të kryejmë nevojat fiziologjike, të pastrohemi… Mund të paramendoni se çfarë jete është kjo. Disa nga ne në kushte të tilla kemi kaluar një vit të tërë.

“Borba”: Disa vendës tuaj mendojnë se të burgosurit politikë duhet ndarë nga të burgosurit e tjerë? Cili është mendimi juaj?
Fadil Vata: Edhe unë mendoj njëjtë si ata. Ka pasur raste që kriminelët na kanë qenë shumë të vrazhdë me ne. Na kanë provokuar kanë provokuar saqë kanë tentuar që edhe fizikisht t’i qëronin hesapet me ne.

“Borba”: Vazhdimisht flisni në veten e parë të numrit shumës? Si i formoni dhe i koordinoni këto qëndrime të përbashkëta, nëse nuk kontaktoni me të burgosurit e tjerë politikë?

Fadil Vata: Që kur më kanë sjellë këtu nuk kam qenë vazhdimisht në të njëjtën dhomë. Krejt çka flas më inkurajojnë njerëzit që hamë dhe pimë së bashku. Ne nuk merremi me thashetheme, të cilat i dëgjojmë nga të tjerët. Këto janë parimet e mia dhe të shokëve të mi.

 “Borba”: Për çfarë arsye disa nga vendësit tuaj ju thërrasin “shoku Vata”?
Fadil Vata: Duhet t’i pyesni ata. Sa më përket mua, unë kam qenë korrekt me të gjithë. Me siguri kjo është arsyeja.

“Borba”: U ankuat për kushtet e jetës këtu? A është e vërtetë se ju keni refuzuar të shkoni në trajtim mjekësor?
Fadil Vata: E vërtetë është. Kam vepruar ashtu sepse pa kurrfarë arsye nga pavijoni më kanë dërguar në mbikëqyrje të rreptë. Pikërisht për shkak të këtyre kushteve jam sëmurë.

Përfundimi i “Borba”-s

Në fund të kësaj interviste dhe intervistave të tjera “Borba” kishte nxjerrë këtë përfundim: Bazuar në intervistat e të burgosurve politikë të kombësisë shqiptare, fitohet përshtypja se shoqëria, veçanërisht prokuroria dhe gjyqësori, veçanërisht Kosova, duhet, ndoshta, edhe një herë t’i rishikojë efektet e politikave penale ndaj këtij grupi të të dënuarve politikë. Përveç kësaj, ndoshta duhen shqyrtuar dhe vlerësuar efektet me dënim afatgjatë, të cilat po ua dhënë këtyre të burgosurve. Sepse kemi intervistuar dhjetëra të burgosur politikë shqiptarë, megjithatë burgu, kemi përshtypjen se, nuk ka pasur efekt në risocializimin e tyre. Siç shihet edhe në intervistën e botuar. Këta të rinj, kur po lëshohen nga burgu në liri, po dalin shumë më të fuqishëm dhe me energji të akumuluara sesa kur kanë filluar burgun. Çka është edhe më e rëndësishme, po dalin më të “konsoliduar” me orientim antijugosllav.

*Kjo intervistë është botuar në gazetën “Epoka e re” në vitin 2015. Intervista ishte përkthyer dhe përshtatur nga Lulëzim Krasniqi – Arbanasi, i cili ka ndërruar jetë më 1 prill të vitit 2021. 

No description available.

 

Kush është Fadil Vata?

 

Heroi i Kosovës, Fadil Vata, u lind më 10 janar 1962 në fshatin Sallagrazhdë të Therandës. Qysh nga bankat e shkollës së mesme është futur në veprimtarinë atdhetare. Fadili në vitin 1978 u angazhua në grupet ilegale që vepronin atëherë në komunën e Therandës. Në nëntor të vitit 1979 aktiviteti i tij politik u bie në sy organeve policore dhe për këtë arsye disa herë është marrë në pyetje dhe është keqtrajtuar, por asnjëherë nuk është frikësuar. Në vitin 1980 Fadilin me dhunë e dërgojnë në shërbimin ushtarak. Edhe atje nuk e ndalon aktivitetin e tij. Ai bie në sy të eprorëve ushtarakë serbo-sllavë dhe më 2 maj 1981, pas ngjarjeve të marsit, të cilat i kishte përkrahur, arrestohet së bashku me Murat Bytyçin nga ana e organeve ushtarake dhe mbahet në paraburgim rreth 14 muaj dhe mbi 17 muaj i izoluar. Më 1 mars të vitit 1982 nga Gjykata Ushtarake e Beogradit, Fadili dënohet me 6 vjet burgim vetëm për aktivitetin dhe bindjet politike. Për shkak të torturave të ushtruara ndaj tij, ai në burg fiton një sëmundje të rëndë në mushkëri, e cila më vonë ishte fatale për jetën e tij të re. Heroi Vata pas vuajtjes së dënimit aspak nuk e ndali veprimtarinë e tij patriotike në shërbim të atdheut. Së bashku me Afrim Zhitinë dhe veprimtarë të tjerë, u bënë krahë i fort të grevës së minatorëve të vitit 1989 dhe ngjarjeve tjera. Për shkak të sëmundjes Vata u detyrua të kërkojë shërim jashtë Kosovës dhe shkoi në Bazel të Zvicrës. Vrasja e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut ishte goditje e rëndë për Fadilin, sepse ata ishin shokët dhe veprimtarët e idealit të tij, të cilët i vrau dora e pushtetit serb më 2 nëntor 1989. Ky lajm për Fadilin ishte tepër i rendë, por edhe sëmundja e pashërueshme e keqësuan gjendjen e tij shëndetësore. Më 25 prill të vitit 1990 mbylli sytë përgjithmonë duke na lënë amanetin që rrugën e lirisë mos ta lëshojmë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është hedhur shorti për rrethin e tretë parakualifikues për FIBA…