Faji për mosliberalizim të vizave është i dyanshëm

05 dhjetor 2018 | 14:17

Njohësi i integrimeve evropiane, Vigan Qorrolli, për mosliberalizimin e vizave për Kosovën ka bërë përgjegjës të dyja palët, institucionet e Kosovës dhe Bashkimin Evropian (BE). Ai ka deklaruar se institucionet vendore janë fajtore sepse nuk kanë përmbushur kriterin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, kurse BE-ja është fajtore për shkak se Kosovës në këtë proces i ka vendosur kushte joracionale.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se pretendimet e Qeverisë, se i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara, janë populiste. “Të dyja palët kanë pjesë të fajit për mosliberalizimin e vizave. Pa faj nuk mund të jetë as BE-ja, sepse situata nuk mund të jetë bardh e zi, ngaqë BE-ja është treguar shumë rigide me Kosovën në këtë proces, duke i vendosur kushte të cilat nuk i janë vendosur asnjë shteti tjetër” ka thënë Qorrolli.

Ai ka treguar edhe për përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës në këtë proces. “Liberalizimi nuk u realizua për shkak të një kushti ende të paplotësuar nga Kosova. Ky është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Me këtë BE-ja tregoi edhe një herë se është shumë e kujdesshme dhe se qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë pa viza për shkak të elitave të tyre politike dhe për shkak të mosfunksionimit të rendit dhe ligjit në Kosovë”, është shprehur Qorrolli.

Ai ka shprehur skepticizëm se do të mund të bëhet diçka në këtë drejtim gjatë vitit 2019.
Sipas Qorrollit, deri në vitin 2020 është shumë vështirë të ketë liberalizim të vizave për Kosovën. “Deklarimi i komisionarit Hahn ka qenë i qartë se para vitit 2020 nuk do të ketë liberalizim të vizave. Bile ai ka qenë i pasigurt nëse edhe në vitin 2020 do të mund të ndodhë kjo. Mendoj se para vitit 2020 nuk ka mundësi që asnjë presje t’i ndërrohet deklaratës së tij. Ai ka treguar se viti i ardhshëm në BE është vit zgjedhor, pastaj konsolidimi i institucioneve të reja të BE-së do të marrë disa muaj kohë”, është shprehur Qorrolli.

“Epoka e re”: Z. Qorrolli, komisionari Johannes Hahn tashmë ka konfirmuar në Prishtinë se nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën as këtë vit. Ju, në fakt, edhe më herët keni qenë pesimist se kjo do të mund të ndodhte këtë vit. Pse ndodhi kështu?
Qorrolli: Besoj se kam qenë skeptik i arsyeshëm në këtë drejtim. Teoria e mosliberalizimit të vizave për këtë vit dhe për vitin 2019 po del e saktë, sepse kushtet të cilat i janë vendosur Kosovës qysh në fillim kanë qenë kushte joracionale dhe BE-ja është treguar më rigide karshi Kosovës. Kosova ka arritur t’i plotësojë kushtet në kohë rekorde, madje i është kërkuar edhe ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, duke u bërë edhe disa pretime. Por, liberalizimi nuk u realizua për shkak të një kushti ende të paplotësuar nga Kosova. Ky është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Me këtë BE-ja tregoi edhe një herë se është shumë e kujdesshme dhe se qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë pa viza për shkak të elitave të tyre politike dhe për shkak të mosfunksionimit të rendit dhe ligjit në Kosovë. Në këtë fushë duhen fakte konkrete dhe nuk mjafton vetëm ngritja e aktakuzave nga ana e Prokurorisë së Kosovës, të cilat në shumicën e rasteve nuk i kanë fituar lëndët e tyre në gjykata. Në këtë proces kanë ndikuar edhe çështje të tjera, si dinamikat e brendshme të BE-së. Së pari ka qenë rreziku i refugjatëve nga Lindja e Mesme në BE, ku shtetet kryesore të BE-së janë të mbushura me refugjatë. Në këtë aspekt BE-ja është fokusuar se do të ketë fluks të madh të kosovarëve në BE me liberalizim të vizave. Së dyti, ka ndikuar çështja e Brexitit dhe, së treti, që është më rënda, disa shtete që e kanë njohur Kosovën, si Franca, Gjermania dhe Holanda, janë skeptike për Kosovën dhe po presin që çfarë do të ndodhë me fatin e saj. Në këtë kohë është hapur çdo detaj i sovranitetit të Kosovës të cilin ato e kanë njohur. Tani po flitet për ndryshim kufijsh, kurse ato janë në dyshim në raport me Kosovën, duke ngritur dilemat e tyre në këtë aspekt.

“Epoka e re”: Pas konfirmimit se nuk do të ketë liberalizim të vizave, Qeveria ka hequr çdo përgjegjësi nga vetja, duke thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe se tani fajet për zvarritje të këtij procesi janë te Këshilli i BE-së?
Qorrolli: Këto janë deklarime populiste të zyrtarëve tanë shtetërorë, sepse BE-ja nuk funksionon me inercione të tilla, duke ofruar shkopin dhe karotën. BE-ja kërkon standarde. Standard që është plotësuar nga ana e Kosovës ka qenë vetëm demarkacioni. Kushti që lidhet me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe me aktgjykimet dënuese, ku gjykatat tona duhet t’i shpallin fajtorë njerëzit që janë të përfshirë në krim dhe korrupsion, nuk është plotësuar. Zyrtarët e BE-së e dinë se në Kosovë ka krim dhe korrupsion ngaqë në çdo Raport të Progresit në pesë vjetët e fundit thuhet se gjykatat tona janë të ndikuara nga politika. Kjo tregon se BE-ja është e kujdesshme dhe nuk do t’i liberalizojë vizat vetëm për shkak të kritereve teknike qysh kanë qenë dikur pasaportat biometrike, pastaj edhe demarkacioni me Malin e Zi. Tash kërkon që Kosova të ketë edhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, që nuk është kusht për viza, por që ekzistencën e Kosovës po e sheh shpeshherë me pikëpyetje për shkak të diskutimeve për kufij. Sovraniteti i Kosovës po cenohet dita-ditës sepse mosanëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, si Interpoli, mosliberalizimi i vizave dhe tërheqja e disa njohjeve për Kosovën, tregon se Kosovës po i rrezikohet ekzistenca e saj juridike.

“Epoka e re”:  Në bazë të kësaj, po i bie se për mosliberalizim të vizave faj kanë të dyja palët, institucionet tona për shkak të mosplotësimit të kushtit të fundit dhe BE-ja për shkak të dinamikës së saj të brendshme.
Qorrolli: Është e vërtetë se të dyja palët kanë pjesë të fajit për mosliberalizimin e vizave. Sigurisht se pa faj nuk mund të jetë as BE-ja, sepse situata nuk mund të jetë bardh e zi, ngaqë BE-ja është treguar shumë rigide me Kosovën në këtë proces, duke i vendosur kushte të cilat nuk i janë vendosur asnjë shteti tjetër. Natyrisht se dinamikat e brendshme të BE-së, mosnjohja e Kosovës nga pesë anëtaret e saj dhe skepticizmi i disa shteteve anëtare që e kanë njohur Kosovën, kanë ndikuar në këtë proces, mirëpo politikanët tanë nuk është dashur të bëjnë pazare me këtë premtim. Politikanët tanë prej vitit 2011 çdo gjashtë muaj kanë premtuar liberalizim të vizave. Kjo është një shuplakë e rëndë për politikanët tanë, duke u treguar atyre se liberalizimi i vizave nuk varet nga ta. Ata kanë folur për liberalizim të viza po sikur ë ishin duke folur për rregullimin e ndonjë kanalizimi në ndonjë fshat të Kosovës. Kështu që, kjo ka qenë e pafalshme dhe BE-ja i përcjell këto. Duket se kushtet kanë qenë të ndryshme, politikanët tanë kanë folur ndryshe në Bruksel e ndryshe në Prishtinë. Ata kanë qenë skajshmërisht të pasinqertë me popullin. Mendoj se deklarimi i komisionarit Hahn nuk ka qenë befasi sepse për mosliberalizimin e vizave ka treguar para disa muajve edhe kancelari austriak në Prishtinë, Sebastian Kurz, i cili ka theksuar se BE-ja është e ndarë për Kosovën. Fatkeqësisht, këtë ndasi nuk do ta vuajnë politikanët e Kosovës sepse ata dhe familjet e tyre do të vazhdojnë të udhëtojnë drejt BE-së. Mosliberalizimin e vizave do ta vuajnë qytetarët e Kosovës të cilët, në mungesë të një perspektive më të mirë ekonomike në vend, do të vazhdojnë të mbesin më të izoluarit në Evropë edhe zyrtarisht.

“Epoka e re”: Opozita ka reaguar fuqishëm ndaj mosliberalizimit të vizave, duke e bërë përgjegjëse Qeverinë. Madje ka thirrur seancë të jashtëzakonshme parlamentare. Si e keni parë këtë reagim?
Qorrolli: Faji nuk është vetëm i njërës palë. Faji është i shumanshëm për shkak se të gjithë kanë dështuar të ndihmojnë në krijimin e një ambienti të mirë politik dhe juridik në Kosovë. Si pozita ashtu edhe opozita i kanë fajet e veta në këtë proces sepse kanë dështuar të ndërtojnë një ambient në Republikën e Kosovës, ku së pari qytetarët të jenë të barabartë para ligjit. Këtu politikanët çdo ditë tregojnë se nuk janë të barabartë para ligjit, kurse qytetarët mbesin në hendeqe të thella të pabarazisë së tyre pranë organeve shtetërore. Pastaj të drejtat e qytetarëve shkelen çdo ditë nga institucionet e Kosovës dhe këto flasin për fajin e të dyja palëve. Tendencat e palëve për t’i marrë meritat nuk dua t’i komentoj, sepse nuk prodhojnë asnjë rezultat në raport me BE-në. Kjo e fundit ka treguar se është shumë e kujdesshme për vlerësimin e meritave të politikanëve tanë, sepse  populizmi nuk është ndonjë vlerë shumë civilizuese. Populizmi është vetëm demagogji, dhe demagogjia zakonisht prodhon vetëm injorancë.

 “Epoka e re”: Duke pasur parasysh dinamikën e brendshme në BE, skepticizmi është gjithnjë në rritje, kur kihet parasysh se zgjedhjet do të mbahen atje vitin e ardhshëm. Sa janë gjasat që të kemi liberalizim të vizave para vitit 2020?
Qorrolli: Deklarimi i komisionarit Hahn ka qenë i qartë, se para vitit 2020 nuk do të ketë liberalizim të vizave. Bile ai ka qenë i pasigurt nëse edhe në vitin 2020 do të mund të ndodhë kjo. Mendoj se para vitit 2020 nuk ka mundësi që asnjë presje t’i ndërrohet deklaratës së tij. Ai ka treguar se viti i ardhshëm në BE është vit zgjedhor, pastaj konsolidimi i institucioneve të reja të BE-së do të marrë disa muaj kohë.  Kurse viti 2020 mund të prodhojë ndonjë mrekulli për këtë proces nëse deri atëherë mbetet ky entiteti i quajtur Republika e Kosovës.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të mërkurën para objektit të Prokurorit të Shtetit, në Prishtinë,…