Fajoni për vizat: Tani është në pyetje kredibiliteti i institucioneve të BE-së

04 dhjetor 2018 | 14:58

Raportuesja për liberalizmin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka deklaruar në Bruksel se qytetarët e Kosovës e meritojnë lëvizjen pa viza, pasi sipas saj Prishtina i ka përmbushur kushtet e vendosura për këtë proces.

Fajoni është shprehur e zhgënjyer nga mungesa e vullnetit për liberalizmin e vizave për kosovarët. Ajo ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që kërkesat e tyre t’ua drejtojnë më drejtpërdrejt vendeve anëtare, e jo thjesht institucioneve të BE-së.

Këto komente, ajo i ka bërë në një panel të konferencës “BE-ja dhe Ballkani Perëndimor”, të organizuar nga “think tank”-u “Friends of Europe”.

“Unë jam e hidhëruar dhe e zhgënjyer, pasi Kosova i ka përmbushur kushtet… qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizmin e vizave, sepse ata e kanë bërë punën e tyre”.

“Ne si institucione të BE-së kemi bërë shumë presion te kosovarët që ata të përmbushin kërkesat, ato janë përmbushur dhe komisioni e ka pranuar këtë. Sa i përket institucioneve të BE-së Kosova e ka dritën e gjelbër tash kjo është në dorën e qeverive të BE-së”, ka thënë Fajoni.

Ajo ka specifikuar Gjermaninë dhe Francën si dy vende kyçe, ku procesi i liberalizimit është bllokuar.

Ajo ka thënë se në emër të Parlamentit Evropian së bashku me eurodeputetin Kukan do të shkruajnë një letër, përmes së cilës do të kërkohet nga vendet anëtare që të kalojnë liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Tani në pyetje është kredibiliteti i institucioneve evropiane. Vendet anëtare duhet ta kuptojnë këtë”, ka thënë ajo.

Fajoni ka thënë se presidenca austriake e BE-së nuk do ta ketë në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave, përderisa këtë nuk pritet ta bëjë as presidenca rumune 2019-20.

“Do të thotë jemi duke humbur shumë kohë”.

“Unë do ta ngre këtë çështje në Komisionin Evropian dhe tek qeveritë e vendeve anëtare. Ata nuk kanë mundur ta realizojnë premtimin dhe do të bëjmë presion të vazhdueshëm”, është shprehur Fajoni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës me qëllim të…