Faktor kyç për fillim te implementimit të sigurimit shëndetësor është kosto e shërbimeve shëndetësore

16 dhjetor 2019 | 16:14

Shkruan: Dr. Ilir Rrecaj

Tanimë me decenie flitet për sigurimin shëndetësor, që mungon, si një nga faktorët më të rëndësishëm të sistemit shëndetësor dhe mirëqenies së popullatës në Kosovë.

Temë kyçe pastaj, e stërpërsëritur, Sistemi i Informimit Shëndetësor (SISh elektronik), si komponentë e tij. Por a është SISh hallka më vendimtare në kuadër të sigurimit shëndetësor?! A kishte sigurim shëndetësor edhe atëherë kur nuk kishte SISh (Elektronik)?

Po kishte. A funksiononte? Po funksiononte, duke mbledhur të dhënat në mënyrë manuale nga Sistemi Shëndetësor, me gjithë të metat e tij. Pastaj këto të dhëna përpunoheshin, analizoheshin për nevojat e planifikimit të shërbimeve, buxhetit dhe natyrisht kompensimin e shërbimeve të ofruara nga institucionet shëndetësore.

Pse është pra SISh tani më i rëndësishëm se më parë? SISh është sot i rëndësishëm për shkak se të dhënat, në kushte të implementimit optimal, janë më gjithëpërfshirëse, elektronike, mund të mblidhen në kohë reale dhe mund me lehtësi të përpunohen.

Kështu mund të identifikohen të gjithë indikatorët shëndetësor, përfshi resurset humane, materiale(pajisjeve), financiare dhe të rezultateve të arritura intermediare e përfundimtare nga angazhimi i resurseve. Indikatorët mund të nxirren për individin, grupe të rrezikuara, grupe të veçanta të popullatës, etj. me një fjalë, krijon të gjitha përparësitë që i ofron epoka e digjitalizimit dhe globalizimit. Kaq.

Pse është bërë tani dy dekada temë çështja e SISh? Fillimisht për shkak të kostos shumë të lartë të pajisjeve, programeve dhe rrjetëzimit. Pastaj për vështirësitë e mungesës së kapaciteteve (shkathtësive) njerëzore për shfrytëzim të sistemit, por edhe menaxheriale për implementim në të gjitha nivelet.

Këtu rol luajti (luan dhe sot, por më pak) nevoja e ndryshimit i qasjes për përdorim të metodës së “re“ të grumbullimit të të dhënave në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor, kjo d.th kalimi i marrjes së të dhënave të pacientëve dhe procedurave të kryera nga metodat më shkrim dore, në atë elektronike.

Ndryshimi i kësaj qasje të re, për shumë shkaqe objektive e subjektive në të cilat funksionon Sistemi Shëndetësor, na ka marrë njëzet vjet dhe mund të na merr edhe disa të tjera nëse nuk plotësohen disa parakushte.

Besoj tani janë parakushtet më të favorshme për të bërë implementim të suksesshëm, sepse kosto e pajisjeve elektronike, e programeve, rrjetëzimit, është me e ulët dhe më e rëndësishmja edhe punëtorët shëndetësor dhe ndihmës, që duhet ta përdorin atë, kanë kompetenca më të mëdha. Shenjat janë pozitive.
Për implementim të sigurimeve shëndetësore duhen dhe dy faktorë tjerë: 1) definimi ose më mirë të thuhet përkthimi adekuat i procedurave mjekësore dhe të diagnozave në të gjitha nivelet, sepse ato janë të definuara me Kodin Ndërkombëtar të Diagnozave dhe Procedurave (ICD) dhe futja e tyre në SISh dhe 2) përcaktimi i kostos së shërbimeve shëndetësore.

Faktori i parë është teknik dhe ai bëhet shpejt. Bile disa përkthime janë bërë dhe para 15 vjetësh.
Përcaktimi i kostos (çmimeve) të shërbimeve për këto procedura është vendimtar për implementim të sigurimeve shëndetësore.

Pa përcaktim të kostos së shërbimit, nuk na hyn në punë funksionimi i SISh dhe as Kodi i Procedurave. Këtu ngec procesi i shitblerjeve të Shërbimeve mes Blerësit që është Fondi i sigurimit shëndetësor dhe ofruesit, që janë institucionet shëndetësore.

Kostot e shërbimeve shëndetësore janë(duhet të jenë) specifike për secilin vend. Ato nuk mund të i huazojmë as blejmë! Ato duhet t’i llogarisim vetë, me formulë. Një nga një, për çdo procedurë shëndetësore.

Këtu nuk lejohet gabim sepse nuk na del hesapi në fund. Në bazë të përvojës sime nga sistemi shëndetësor gjerman dhe britanik dhe literatura, kur kanë ndryshuar vetëm mënyrën e pagesave për shërbime(ashtuquajtura DRG në mes viteve 90-ta), ata kanë bërë 4 deri 6 vjet llogaritje paralele të shpenzimeve.

Me metodën e vjetër kanë bërë qarkullimin real të shpenzimeve dhe më metodën e re llogaritjen fiktive (sikur).

Pastaj për çdo vit kanë kalibruar koston e shërbimeve, për të u përafruar me kosto sa më reale, në bazë të të hyrave të përgjithshme bruto e neto shoqërore dhe indikatorëve tjerë ekonomik e social.

Në fund kanë kaluar më llogaritje reale me kosto të reja. Përndryshe shkurt e qartë e thënë, falimenton Fondi i sigurimit! Ka ndodhë jo rrallë në shtete të ndryshme. Prandaj duhet të llogaritet si rrezik i sistemit dhe të propozohen paraprakisht masat e minimizimit të tij (dhe rreziqeve tjera të mundshme padyshim).

Një grup ekspertësh duhet zgjedhur(nëse nuk i kanë bërë deri tani, nëse po kërkoj falje!) përfshi ekonomistë kompetent (propozimi imi i para 15 vjetëve), të punoj në këtë drejtim me përkushtim.

Duke pas parasysh GDP, koston e punës për profesionist dhe joprofesionist shëndetësor, kohëzgjatjen e procedurave dhe koston e tyre, koston e amortizimit, shpenzimet e mirëmbajtjes, shpenzimet komunale, shpenzimet e medikamenteve, pajisjeve mjekësore e shumë indikatorëve tjerë specifik përcaktues për koston definitive të shërbimeve shëndetësore.

Llogaritur me kohën për implementim real të këtyre aktiviteteve, që si u tha më lartë nga përvoja ndërkombëtare, unë i kam lakmi për optimizëm, të gjithë ata që thonë, gati një dekadë, se implementimi do filloj “vitin tjetër” e kështu me radhë, se është aprovua ligji, buxheti, etj.

Optimist duhet të jemi gjithnjë, po nëse e planifikojmë më gjatë strategjinë me indikatorë real e të matshëm të Planit të veprimit, koha e implementimit do të jetë më e shkurtër dhe pritjet optimiste dukshëm më reale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të zhvilloi një vizitë…