FAKTORËT HISTORIKO-POLITIK QË ÇUAN NË LINDJEN DHE ZHVILLIMIN E UÇK-së

01 prill 2023 | 15:38

Shkruan: Bedri HALIMI

Si çdo fenomen shoqëror, historik dhe politik, që nuk qëndron asnjëherë i vetmuar, as i lindur papritmas, ashtu edhe lindja dhe zhvillimi i UÇK-së nuk mund të shikohet si fenomen në vete, si diçka që lindi papritur dhe po ashtu papritur kreu misionin e saj gjatë viteve 1993/99.

Realisht në themele të secilit fenomen madhor, qëndrojnë qindra ose edhe mijëra ngjarje e dukuri pararendëse, e të cilat duke u akumuluar brenda rrethanave të caktuara kulmojnë me shpërthimin në një moment të caktuar historik. Së këndejmi, edhe në themele të lindjes së UÇK-së, qëndrojnë mbi 250 vite ngjarje e fenomene historiko-politike në rrjedhë të integrimit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare brenda kombit shqiptar, të cilat në saje të shtresimit dhe të akumulimit të tyre si ndërgjegje kombëtare e sollën lindjen dhe zhvillimin e UÇK-së. Këtu do parë edhe kultin ilir, kultin e Skënderbeut, kultin e Principatës së Arbrit të ngritur gjatë Rilindjes Kombëtare.
Me fjalë të tjera, gjatë periudhave të ndryshme historike, ndonëse nën perandori të shumta, shqiptarët dhanë shenjat vazhdimisht pa ekuivoke, se ata janë gjallë.

Gjatë këtyre periudhave pati kulmime historike madhore që u përcollën përmes qindra kryengritjeve krahinore e regjionale.

Natyrisht këto ngjarje të hershme nuk lidhën drejtpërdrejtë me lindjen e UÇK-së, por si kujtesë historike janë të pashkëputshme. Shumëçka ka ndryshuar në terren. As shtrirja etnike e shqiptarëve nuk është më ajo që ka qenë në periudhën e integrimit të kombit shqiptar. Kanë pësuar njësitë etnokulturore e gjeopolitike në Ballkan e veçanërisht ato shqiptare e të Shqipërisë.

Andaj, në këtë drejtim lufta e UÇK-së, shikuar edhe në rrafshin etnopsikologjik dhe historik, vie si frymëzim liridashës që nga lashtësitë historike. Këtë e ilustrojnë edhe këngët e kënduara në linja të para të luftës së UÇK-së për komandantët apo dëshmorët e rënë, së bashku me këngët tjera, si: „Jem Ilira jem Teuta“, për Skënderbeun, për Ali Pash Tepelenën, për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit („Të gjithë shqiptarët janë Mic Soloka“), për Pavarësinë e Shqipërisë, për Lëvizjen Kaçake, për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare etj.

Edhe më vonë ndjenja e lirisë do të frymëzohej nga ngjarjet tjera historike dhe padrejtësitë e mëdha që iu bëheshin shqiptarëve në to, si:

Kongresi i Berlinit 1878, ku për shkak të këtyre padrejtësive u organizua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pastaj konteksti historiko-politik i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 si dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913. Më tej Konferenca e Versajës dhe krijimi i Jugosllavisë së parë, ku shqiptarëve përsëri iu bë padrejtësi e deri te Lufta e Dytë Botërore; portokoli i Firencës dhe konferenca e Jaltës më 1943, ku u vendos që të gjitha shteteve pjesëmarrëse në luftë kundër nazifashizmit, pas mbarimit të luftës, t’u njihen kufijtë e mëparshëm dhe jo kufijtë e vënë nga fashizmi. Kjo do të thoshte se Shqipërisë, edhe pse e renditur në koalicionin antifashist, do t’i njiheshin kufijtë e mëparshëm, ata të Londrës të vitit 1913.

Edhe Konferenca tjetër e paqes – ajo e Parisit më 1946, i përkrahu vendimet e mëparshme që Viset shqiptare të mbeten nën ish Jugosllavi. Kështu kjo çështje do të vazhdonte kësi soji, duke mos u trajtuar si duhet problemi i Kosovës edhe në Helsinki II (12.XI.1991); Konferencën e paqes për Ballkanin të mbajtur në Londër më 1992, në Konferencën e Hagës më 1993 dhe në Konferencën e Dejtonit më 1995.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB), populli shqiptarë i Kosovës dhe Viseve të Saj, ju qas luftës antifashiste duke marrë pjesë brenda Koalicionit Antifashist Botërorë të kohës. Këtë e bëri duke shpresuar se pas mundjes së fashizmit, si të gjitha kombet tjera, edhe ai do të gëzoj të drejtën e tij të ligjshme për vetëvendosje dhe Bashkim Kombëtar me vendin amë-Shqipërinë. Për këtë bashkim, më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944, u mbajt konferenca themeluese e Këshillit Antifashist të Kosovës, organizuar në veri të Shqipërisë në fshatin Bujan, konferencë tashmë e njohur si “Konferenca e Bujanit”, në të cilën u vendos që pas luftës antifashiste-nacionalçlirimtare, treva e Kosovës dhe Viseve tjera të banuara me shqiptarë të ndara padrejtësisht në kuadër të Jugosllavisë së Vjetër, të kenë të drejtë vetëvendosje deri në bashkëngjitje me shtetin amë – Shqipërinë.

Me këtë vendim të këtij Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar të Kosovës ishin pajtuar jo vetëm përfaqësuesit shqiptarë, por edhe ata serbë e jugosllavë duke e firmosur bashkërisht dokumentin.
Mirëpo, përkundër pjesëmarrjes masive të shqiptarëve në luftë, pas përfundimit të luftës, Kosova dhe Viset tjera të banuara me shqiptarë (në Maqedoni e Mal të Zi), në saje të fuqive të mëdha të kohës dhe të intrigave të Titos, ato serish mbeten po aty ku i kish lënë Kongresi i Berlinit i 1978-ës, Konferenca e Ambasadorëve te Londrës e 1913-ës, dhe e Jaltës, pra në kuadër të Serbisë e Jugosllavisë.

KQ i PKJ-së me Josip Broz Titon në krye, kur dëgjoi për dokumentin dhe Vendimin që ishte ndërmarrë në Bujan, në mënyrën e tij mashtruese, krerëve të Këshillit Antifashist të LNÇ-së i dërgoi një letër, duke u shprehur se “në Bujan është marrë një hap i ngutshëm, se s`është koha për të marrë vendime të tilla për kufijtë etj. …”

Asokohe ndonëse nuk e tha troç se Kosova duhet t’i mbetët Serbisë, kurse për viset tjera shqiptare në Maqedonisë e Mal të Zi, e la shtegun hapur për një gjë të tillë, duke mos dashur t’i zbuloj deri në fund qëllimet e tij ogurzeza që kishte ndaj të gjithë shqiptarëve, pa përjashtuar edhe Shqipërinë.

Menjëherë pas luftës, Tito për ta zhbërë Vendimin e drejtë historik të Konferencës së Bujanit, e vuri në shtetrrethim Kosovën dhe e realizoi dhunshëm një Konferencë tjetër, e cila do ta mohonte atë të Bujanit. Kuvendi i tillë që tashmë njihet si “Kuvend i Prizrenit”, u mbajt më 10 korrik 1945 në Prizren. Siç dihet, në këtë Kuvend, delegatët shqiptarë, dhe delegatët serbë e malazez të cilët tani ishin shumë më shumë se përqindja reale e popullatës serbe e malazeze në Kosovë, aprovuan rezolutën, sipas të cilës Kosova “me dëshirën” e saj po deklarohej të mbetej një „Obllast“ në kuadër të Serbisë federale. Delegatët që e kundërshtuan këtë rezolutë të dhunshme më vonë u eliminuan politikisht.

Realisht Ushtria çetnike e Titos, tashti me yllin partizan në ballë, më 1 prill 1945, gjatë rrugës për Tivar të Malit të Zi, vrau e masakroi mbi 2000 shqiptarë të Kosovës të cilët ushtritë jugosllave i kishin mobilizuar në kuadër të luftës antifashiste.
Më 1944, akademiku serbomalazez, Vaso Çubrilloviq, i dorëzoi Titos dhe Shtabit që ai kryesonte, elaboratin e tij të dytë mbi metodat e shfarosjes së shqiptarëve të Kosovës e me porosi që klasa e re politike serbo-jugosllave “të mos të merrej me gllabërimin e Shqipërisë, sepse ajo tanimë është kafshatë e madhe, por ta kryejnë punën me Kosovën derisa nuk është bërë vonë”. Mirëpo, Tito këtë dokument ndonëse e ruajti në fshehtësi për të mos u kompromentuar para botës, ai prapëseprapë deshi t’ia tejkaloj në praktikë edhe Çubrilloviqit duke tentuar ta gëlltisë edhe Shqipërinë për ta bërë Republikë të shtatë.

Një skenarë tjetër antishqiptarë, të cilin e realizi OZNA qysh gjatë LDB-së ishte eliminimi fizik i antifashistëve shqiptarë si Emin Duraku, Hajdar Dushi, Xhevdet Doda e të tjerë. Eliminimi i tyre ndodhi gjatë luftës, sepse jugosllavët, duke pasur parasysh patriotizmin si dhe ngritjen politike të tyre, të cilët ishin pjesë përbërëse e udhëheqjes së LNÇ-së në Kosovë, i konsideruan të rrezikshëm për realizimin e skenarëve të tyre ndaj Kosovës.

Në anën tjëtër, as krahu tjetër i patriotëve nacionalist të Kosovës, të cilët shikuar objektivisht e historikisht kishin plot argumente që midis dy fashizmave ta luftonin atë më të keqin, në rastin konkret fashizmin serb, nuk kaloi më lehtë. Këta, jo rastësisht, jugosllavët i quanin ballistë, dhe kjo do të thoshte përkrahës të fashizmit.

Brigadat jugosllave në Kosovë nuk luftuan gjithaq fashizmin italian e gjerman, por në emër të armiqve të LNÇ–së, i grinë mijëra nacionalistë shqiptarë. Natyrisht, këtë e bënin pos për t’i sakatuar shqiptarët si popull, njëkohësisht edhe për t’ua lënë atyre namin e keq para aleatëve të mëdhenj të Koalicionit Antifashist Botërorë, të cilët pas përfundimit të luftës do të përcaktonin edhe kufijtë e vendeve të ndryshme, se shqiptarët nuk ishin përkrahës të koalicionit antifashist.

Për ta bërë sa më të besueshme këtë përshtypje para botës, shtypi jugosllav dhe radiot e luftës asokohe propagandonin me të madhe „reaksionin ballist të shqiptarëve“, por jo edhe rezistencën e organizuar të tyre në radhët e LNÇ-së.

Kësisoji armata Jugosllave dhe shërbimi sekret me emrin OZNA gjatë vitit 1945, në emër të pastrimit të terrenit nga mbeturinat fashiste në Kosovë, bënte eliminimin e të gjithë atyre patriotëve shqiptarë të cilët nuk u pajtuan me konferencën famëkeqe të 10 korrikut 1945, të mbajtur në Prizren.

Në këtë mënyrë u vranë e u masakruan me mijëra shqiptarë “armiq“ siç ishin antifashistët Shaban Palluzha, NDSH-ja, e pastaj edhe Xheladin Hana e Rifat Berisha me shokë.

Vërtetë biografi i Titos, Vladimir Dedijeri, shkruan se: ”brenga më e madhe e Titos menjëherë pas luftës ishte Kosova !… „

Pas luftës, në emër të çlirimit, Kosova u rrethua nga veprimtaria banditeske e njërit nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Titos, Aleksandar Rankoviqit, ministër i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë. Ai jo vetëm i ndërsyer dhe i bekuar nga Titoja, menjëherë pas luftës, deri në vitet e gjashtëdhjeta, organizoi aksionin famëkeq “aksioni për mbledhjen e armëve” në Kosovë. Gjatë kësaj kohe, në emër të këtij aksioni, bëri kërdi mbi popullatën e pambrojtur shqiptare në përgjithësi dhe sidomos ndaj atyre individëve e familjeve me vetëdije më të zgjuar kombëtare e që kishin autoritet në popull.

Jugosllavët e dinin se përderisa po bënin padrejtësi ndaj shqiptarëve, një ditë ata mund të çoheshin në kryengritje. Prandaj për ta pamundësuar këtë dëshironin edhe çarmatosjen e tyre, edhe detyrimin për shpëngulje, edhe futjen e përçarjes përmes përfitimit të elementëve të luhatshme si dhe futjen e frikës në popull. Por qëllimi nuk mbaronte vetëm me kaq. Në pyetje ishte detyrimi i shqiptarëve që ta lëshonin Kosovën dhe viset tjera të banuara me shqiptarë, sepse jugosllavët e dinin, se ky popull një ditë do të vetëdijesohet dhe do të kërkoj llogari.

Kështu Rankoviqi dhe Tito, përmes pastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës dhe Viseve tjera të banuara me shqiptarë në ish-Jugosllavi, synonin prishjen e raporteve ndëretnike në dobi të popullatës serbe në Kosovë, në mënyrë që duke mbetur shqiptarët minoritet, Kosova edhe de facto të mbetej provincë serbe. Kështu qindra mijë shqiptarë u detyruan të vendosën në Republikën e Turqisë, të Shqipërisë e gjetkë ku gjenden edhe sot e kësaj dite. Në këtë drejtim është e njohur edhe shpërngulja e familjeve shqiptare me vetëdije të lartë kombëtare nga Kosova në Vojvodinë, duke i vendosur ato familje në ato vise të Vojvodinës prej nga ndiqej dhunshëm popullata gjermane atje.

Nga ana tjetër, në bazë të seleksionimit titisto-rankoviqist, zgjedheshin ca shqiptarë të cilët ishin të gatshëm për kompromise dhe lojalitet ndaj pushtetit serbo-jugosllav. Detyra kryesore e njerëzve të tillë që ishin nëpër institucione shtetërore e joshtetërore të kohës, qe ruajtja e „Vllazërim- Bashkimit“ që për shqiptarët u dëshmua se ishte ruajtje e robërisë në emër të lirisë e barazisë.

Serbia dhe Jugosllavia vazhdimisht dhe pandërprerë kanë rekrutuar një rrjet shqiptarësh në kuadër të shërbimeve të tyre të fshehta shtetërore e ushtarake, duke filluar nga OZNA, Sigurimi i Shtetit jugosllav i njohur si UDB, e deri te shërbimi i fshehtë kundërinformativ ushtarak jugosllav i njohur si KOS.

Qëllimi i këtyre shërbimeve ka qenë dhe është, që të luftohen shqiptarët nëpërmjet shqiptarëve, që ata të përçaheshin e të viheshin në dyshim të njëri-tjetrit dhe eventualisht të luftonin midis tyre. Duke i vënë shqiptarët në luftë të brendshme, të mos munden asnjëherë t`ia kthejnë pushkën Serbisë e Jugosllavisë për çlirim kombëtar shqiptar.

Gjatë 50 viteve të administrimit jugosllav në trojet shqiptare, si rrjedhojë e trysnive, shqiptarët, pos shtypjes etnike, u përballën edhe me varfërinë sociale si dhe me pengesat e vazhdueshme për arsimimin.

Megjithatë nuk ndejtën duarkryq, dhe me rrugë fshehtë, gjysmë të fshehtë e legale, rezistuan. Që nga 1945 burgjet serbo-jugosllave qëndrojnë gjithnjë të mbushura me ajkën e djalërisë e të burrërisë shqiptare.

Fillimisht në burgjet serbo-jugosllave u dergjën veprimtarët e Partisë Nacional Demokratike dhe „informbyroistët“ shqiptarë të cilët s`ishin pajtuar me fatin e Kosovës dhe Viseve të saj. Pastaj, poashtu u dergjën burgjeve që nga vitet e 50 e deri më 1990, kur u lirua Adem Demaçi me veprimtarët e Organizatës për Bashkim Kombëtar, që e kishte themeluar ai.

Fryt i punës së fshehtë dhe gjysmë të fshehtë ishin Demonstratat e vitit 1968, në të cilat u kërkua përdorimi i lirshëm i flamurit kombëtar, të drejtat e shqiptarëve për arsimim në gjuhën amtare në shkallën universitare, dhe statusi i Kosovës Republikë. Pushtuesi jugosllav, demonstratën e 68-ës e shtypi me reprezalje. Shumë njerëz u plagosën, madje një u vra. Për shkak të këtyre ngjarjeve qindra të rinjë pjesëmarrës të demonstratave u dënuan me dënime kapitale deri në pesëmbëdhjetë vjet burg.

Serbia dhe Jugosllavia e atëhershme, të vetëdijshme se vetëm me forma unitariste e fashisoide të veprimit nuk do të mund t’ia dalin me shqiptarët, pas përdorimit të kërbaqit u detyruan të bëjnë edhe lëshime: kësi soji e lejuan përdorimin e flamurit kombëtar për shqiptarët, lejuan shkollimin e lartë në gjuhën shqipe, si dhe lejuan që në amandamentet e Kushtetutës së vitit 1974, e cila ishte në shqyrtim e sipër, pozicioni i Kosovës të avancohej juridikisht duke u konsideruar edhe pjesë e Serbisë e edhe njësi konstituive e federatës jugosllave, gjë që vlente edhe për Vojvodinën.

Faktorët e vërtetë që kryetarin e atëhershëm jugosllav Titon dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë Kardelin, Bakariqin e të tjerë, i detyruan që në kuadër të kushtetutës së 1974-tës, Kosovës t’i japin karakter politiko-juridik më të avancuar ishin të shumtë:
E para, Titoja kishte zbuluar komplotin serb të ministrit të tij të brendshëm Aleksander Rankoviq, i cili duke u lidhur me Rusinë kishte mundësi t’ia hajë kokën atij. Për këtë arsye, në mbledhjen e mbajtur në ishujt Brione me 1966, nën kërcënim e rrethim të ushtrisë dhe sigurimit të fshehtë personal që kishte, e eliminoi Rankoviqin. Këtë gjë nuk e bëri për t’i shpëtuar shqiptarët por për ta shpëtuar kokën e tij;
Me largimin e Rankoviqit u fuqizua klani Kroato-Slloven brenda federatës. Kështu, ai po stabilizonte krijesën e tij jugosllave, me qëllimin e vetëm për t’ia zgjatur jetën federatës.

Me largimin e Rakoviqit Titoja e goditi klanin Serbo-Rus, me qëllim të përfitimit dhe afrimit ndaj Perëndimit, nga do të merrte miliarda dollarë hua.
Duke e goditur Rankoviqin edhe në emër të padrejtësive që ai i kishte bërë ndaj shqiptarëve, ai dëshironte ndër të tjera që edhe t’i „shplajë“ duart e veta, të futura në krim ndaj shqiptarëve para botës, si dhe për t’i përvetësuar shqiptarët, e për të dalë si „shpëtimtar“ i tyre. Kësi soji të gjitha fajet mbi krimet në Kosovë ia hodhi Rankoviqit, edhe pse dihej botërisht, se po ky Titë (pa Rankoviqin) më 1953 në kuadër të marrëveshjes “gjëntelmene” me ministrin e jashtëm turk, kishte hartuar planin lidhur me shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, kreator i së cilës ishte vet.

Pason periudha e jugosllavizimit të shqiptarëve në Kosovë dhe vise të saj. Kjo synohej të arrihej përmes kulturës jugosllave, që për shqiptarët ishte një frymë kozmopolite që kishte për qëllim zhveshjen e identitetit kombëtar të individit. Duhet përmendur në këtë rast edhe lirinë e kufizuar të krijimtarisë në çdo sferë të artit, shkencës e kulturës shqiptare.

Nga mesi i viteve 70-ta, ideja serbomadhe përmbysi idenë e jugosllavizimit. Më 1976 doli “Libri i Bardhë” me të cilin sanksionohej e ardhmja e Kosovës në përbërje e shkrirje të Serbisë së Madhe.

Si rrjedhojë, kemi ringjalljen e aktivitetit të fshehtë të rinisë shqiptare. Organizatat LPRK, OMLK, PKMSHLJ, LNQKVSHJ, …rezultuan me ngjarjet madhështore të vitit 1981, të cilat ishin artikulim më i qartë i zërit shqiptar për liri, vetëvendosje e barazi. Këto ngjarje përfundimisht e ndërprenë procesin e jugosllavizimit të popullit shqiptar.

Gjatë kohës që po zhvilloheshin luftime të ashpra në Slloveni, Kroaci e Bosnje, në Kosovë ndodhnin vazhdimisht: thirrjet në biseda informative, ndjekjet e të rinjve gjoja për shërbim ushtarak, thirrjet që u bëheshin të rinjve për rekrutim ushtarak në kohën që zhvilloheshin luftime në Bosnje e Koraci, rrënimi i bazës ekonomike të shqiptarëve, largimi nga puna i punëtorëve shqiptarë, shkatërrimi i atij sistemi politik, kulturor, arsimor, shkencor e ekonomik që ekzistonte, marrja e Kushtetutës së vitit 1974 me dhunë më 1989, burgosjet dhe ndjekjet masive të veprimtarëve shqiptarë etj.

Me rastin e shpërthimit të luftës në Kosovë, kemi përsëritjen e Bosnjës, vrasjet masive, dhunimet masive, likuidimet, rrëmbimet, burgosjet, djegiet, shkatërrimet, minimet e terrenit, shpërnguljet masive…

Meqenëse dhuna e egër serbe vazhdimisht vinte duke u shtuar, kjo pashmangshëm ngjalli reaksion te shqiptarët, prej nga do të integrohet rezistenca e armatosur.

Së këndejmi, UÇK lindi për shkak të dhunës sistematike që ka përdorur Serbia ndaj shqiptarëve, por edhe shterpësia e politikës pacifiste të bërë me vite në Kosovë, si dhe indolenca e opinionit politikë ndërkombëtar. Të gjithë këta faktorë, detyruan lindjen e UÇK-së si ndërgjegje ekzistenciale dhe çlirimtare shqiptare.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli nga gjiri i këtij populli, për ta mbrojtur në radhë të parë substancën biologjike shqiptare të Kosovës, të cilës i kanosej rreziku i shfarosjes fizike dhe për t’i mbrojtur trojet shqiptare, të cilat ishin vënë nën kthetrat e shovinizmit serb. Realisht, pas veprimeve të para publike të UÇK-së më 1993 përgjigja serbe ndaj veprimeve çlirimtare kombëtare, u shoqërua me arrestime dhe burgosje nën akuzën e terrorizmit shqiptar. Kështu u burgosën sërish anëtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, të Frontit për Çlirim Kombëtar, të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës etj. Mbushja e burgjeve serbe, me të rinjë veprimtarë shqiptarë, vrasjet, përzënia nga puna dhe mohimi i të drejtave në të gjitha sferat e jetës, ndikoi që ideja për çlirimin e vendit me luftë të armatosur të bëhet jo vetëm arsyeshmëri, por edhe domosdoshmëri shqiptare.

Partitë politike për tetë vite kishin arritur që ta drogonin opinionin me opium politik, se lirinë do të na e sillte falas dikush pa derdhur madje as një pikë djerse, pa lëre pastaj ndonjë pikë gjaku.

Realisht, djemtë dhe vajzat më të mira të popullit tonë, duke e kuptuar faktin historik, se asnjë populli në botë nuk i është dhuruar liria nga askush, duke mos u besuar partive politike se liria mund të vie nga qielli, iu rrekën punës për krijimin e forcës së armatosur. Me fjalë tjera, ata i thanë popullit se nga qielli mund të pritet shi, breshër e dëborë, por assesi kokrra gruri e, rrjedhimisht as liria.

Vendimin për formimin e UÇK-së e mori LPK-ja, por radhëve të UÇK-së do t’i rrekeshin vazhdimisht edhe personalitete të tjera, të cilët me kalimin e kohës e kishin kuptuar se pacifizmi ishte hargjuar, dhe vazhdimi i kësaj rruge, se mund të ndryshonte gjendja e shqiptarëve dhe as qëndrimi i faktorëve ndëkombëtar ndaj Kosovës, ishte ekstreme, ishte politikë jo vetëm e pafrytshme e nënshtrim, por edhe vetshkatërrim.

Ndaj të kota ishin insinuatat se „mbrapa UÇK-së qëndron shërbimi sekret serb“, etj, Këtë gjellë e gatuan që ta hante opinioni shqiptar, për të hequr dorë nga rruga e armatosur për liri, e cila rrugë u bë domosdoshmëri.

Lufta e UÇK-së ishte faktori sublim i cili çështjen e Kosovës e çoi në Rambuje. Pra ishte gryka e pushkës dhe gjaku i derdhur në altarin e lirisë.
UÇK-ja e solli NATO-n në Kosovë, dhe UÇK-ja ishte këmbësoria e saj, aleate në luftën kundër Sadamit të Ballkanit e Evropës – Millosheviqit.
Si rrjedhim, NATO-ja, padyshim se e ka ndihmuar çështjen e Kosovës, madje shumë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë…