Faleminderit Gjeneral!
FUQIA E WESLEY CLARK – DËSHMIA QË VURI VULËN E HISTORISË SË UÇK-së – “Millosheviqi më tha: me shqiptarët çështja zgjidhet duke i vrarë të gjithë…!”
Nga Ragip Gjoshi
Ka ditë kur drejtësia nuk flet vetëm me prova, por me peshën e ndërgjegjes njerëzore. Ka momente kur një njeri i vetëm – me autoritet moral, me kujtesë strategjike dhe me integritet të çeliktë – e ndryshon rrjedhën e perceptimeve globale për lirinë e një kombi të tërë. Dëshmia e gjeneralit Wesley Clark në Hagë ishte pikërisht ky moment.
Një gjeneral që e ka parë luftën nga ajri, nga terreni dhe nga tavolina ku hartohen historitë; një komandant i një aleance prej 19 shtetesh; një dëshmitar i drejtpërdrejtë i dhunës së makinerisë serbe dhe i qëndresës shqiptare – bëri më shumë se të rrëfejë. Ai i vuri vulën ndërkombëtare të vërtetës për luftën e UÇK-së.
Një nga të paktët dëshmitarë që gjykatësit nuk guxuan ta pyesin
Sjellja e trupit gjykues dhe heshtja e tyre ndaj Clarkut ishte dëshmi e qartë e një të vërtete të pathënë: përballë autoritetit të tij profesional, përballë dijes së tij të pakontestueshme dhe rolit të tij historik, nuk pati asnjë pyetje që do të mund të rrëzonte fjalën e tij. Clark nuk ishte dëshmitar i radhës. Ishte gjenerali suprem i NATO-s. Ishte njeriu që dinte gjithçka: planifikimin, interceptimet, takimet sekrete, negociatat me Millosheviqin, strukturat e UÇK-së, lëvizjet serbe dhe, më së shumti, moralin e luftës për liri.
Kur ai foli, salla e gjyqit u kthye në sallë të historisë.
Gjenerali Clark: “Ata nuk janë terroristë. Ata ishin njerëz që luftuan për lirinë e tyre.”
Ky është citimi që do të mbetet i gdhendur në vetë themelet e rrëfimeve ndërkombëtare. Gjenerali Clark nuk e tha si analist. Nuk e tha si politikan. E tha si njeriu që ka takuar gjeneralët serbë, udhëheqësit shqiptarë, komandantët e UÇK-së, diplomatët amerikanë, udhëheqësit e NATO-s. Ai ishte aty kur Serbia provonte të fshinte një popull nga faqja e dheut. Ai ishte aty kur UÇK-ja rezistonte me armë të pakta, por me ndarje të qartë mes lirisë dhe shfarosjes.
Kjo fjali është më shumë se mbështetje. Është rehabilitim historik, jurisprudencial, moral dhe politik.
Clark: “Hashim Thaçi nuk është përgjegjës për atë që ka ndodhur në Kosovë.”
Në një sallë ku akuzat kërkojnë ngjyrë politike, ku prokuroria shpesh e ka ngatërruar regresin politik me drejtësinë, Clark ua hoqi njëherë e përgjithmonë mbulesën se:
– Nuk kishte varg komandues formal të UÇK-së;
– Nuk kishte kontroll civil mbi UÇK-në;
– Nuk kishte mekanizëm që urdhërat të zbatoheshin;
– Nuk ekziston asnjë dokument, asnjë provë që Thaçi ka dhënë urdhër;
– Nuk ka bazë faktike për akuzat.
Kur një gjeneral i NATO-s thotë “NATO nuk ka parë asnjë provë”, çdo tribunal duhet të ndalojë së gjykuari fantazma…!
Rrëfimi i gjeneralit Clark për Millosheviqin – çasti që zbardh gjithçka
Clark dëshmoi për takimet e tij me Millosheviqin – takime që bota i ka parë vetëm përmes raporteve të klasifikuara. Dhe ai tha fjalinë më të rëndë të gjithë procesit:
“Millosheviqi më tha: me shqiptarët çështja zgjidhet duke i vrarë të gjithë.”
Pikërisht për këtë u ngrit UÇK-ja. Pikërisht për këtë NATO ndërhyri. Pikërisht për këtë lufta e Kosovës është luftë për liri, jo konflikt civil.
Akuzat për organe – “Dezinformim rus. Qesharake.”
Në një nga momentet më të forta, Clark zhbëri një nga fabrikimet më çnjerëzore të propagandës anti-shqiptare. Ai e quajti “absurde”, “dezinformim”, “të pamundur në kushtet e luftës”. Dhe, kur këtë e thotë njeriu që udhëhiqte bombardimet, propaganda bie si gjethi i vjeshtës para erës.
Dëshmia e Clarkut – korniza e një narrative për luftën e UÇK-së që po ndryshon botërisht
Këto ditë, të gjitha raportimet e mediave botërore – nga CNN te BBC, nga Der Spiegel te The Guardian – e përshkruajnë Clarkun si dëshmitarin më të besueshëm, më të kompetent dhe më të qartë për strukturën e UÇK-së dhe për natyrën e luftës në Kosovë.
Ai foli si historian, si strateg, si gjeneral dhe si njeri.
Dhe kjo është arsyeja pse gjykata nuk guxoi ta ndërpresë, pse nuk pati pyetje, pse iu lejua fjala e fundit që s’i është lejuar askujt tjetër.
Fjalimi i fundit – Manifesti i lirisë së Kosovës
Gjenerali Wesley Clark e mbylli dëshminë jo me dëshmi juridike, por me filozofi politike:“Ligjet dhe procedurat duhet t’i kuptojnë nevojat e njerëzve që luftojnë për lirinë dhe dinjitetin e tyre. Kështu filloi Revolucioni Amerikan.”
Kjo nuk ishte krahasim i thjeshtë.
Ishte deklaratë universale e drejtësisë: UÇK-ja nuk ishte terrorizëm; ishte revolucion i lirisë.
Faleminderit, Gjeneral!
Ky shkrim nuk është vetëm falënderim personal. Është falënderim i një kombi që ende sheh njerëzit e tij të burgosur padrejtësisht. Është falënderim i brezit që e di se rezistenca dhe liria nuk kriminalizohen. Është falënderim për njeriun që, edhe në sallën e gjyqit, mbrojti të vërtetën e popullit tonë me integritet e guxim.
Wesley Clark u ngrit në Hagë jo vetëm si dëshmitar, por si zë i ndërgjegjes globale. Dhe në fund, ajo që tha me qetësi, me autoritet dhe me bindje, duhet të jehon:
“Akuzat nuk qëndrojnë…!!!”
Historia e UÇK-së sërish u shkrua – këtë herë nga njeriu që e pa nga afër, e njohu deri në detaj dhe që sot e mbrojti hapur e fuqishëm.
Faleminderit, Gjeneral!
Kjo është vula juaj për historinë tonë!



