FALJET ÇLIRIMTARE

16 shkurt 2020 | 19:29

30 vjet nga nisma e pajtimeve në Malishevë (16.02.1990)

Ragip Shala

Thirrjes së LPK-së në janar 1990 për pajtime, pa hezituar i janë përgjigjur veprimtarë klandestinë, të burgosurit politikë të cilët më 2.02.1990 ndërmorën iniciativën për Lëvizjen e pajtimeve, për faljen e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave të ndryshme.
Pikërisht me “Thirrje” nga Prishtina do të udhëtonim për Malishevë Asllan Kastrati dhe Ragip Shala, që do të rezultoi me themelimin e Këshillit të Pajtimit më 16.02.1990, me përbërje: nxënës, studentë, profesorë, arsimtarë, punëtorë etj.
Fillimi i vitit 1990 shënon zanafillën e shpërbërjes së Jugosllavisë, një shpërbërje e përgjakshme shkaku i ambicieve hegjemoniste serbomadhe të Serbisë në njërën anë dhe kundërvënia e Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë Hercegovinës dhe Kosovës në anën tjetër.
Pavarësisht rrethanave të jashtëzakonshme, nën regjimin e pushtetit ushtarako -policor, Kosova përmes demonstratave dhe grevave përbënte një zë të fuqishëm kundërvënieje nacionalizmit dhe shovinizmit serb. Përmasat e kundërvënies buronin nga shtypja politike, ekonomike, arsimore, kulturore e popullit shqiptar në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti. Përkundër posedimit të pasurive natyrore për zhvillim ekonomik, Kosova ishte vendi më i pazhvilluar, më i varfëri në RSFJ?! Papunësia e lartë në mungesë të kapaciteteve ekonomike, diskriminimi kombëtar ndaj shqiptarëve ka ndikuar që popullata të mbijetonte kryesisht nga bujqësia me mjete më primitive të punës. Përkundër rregullimit socio-politik socialist të R.S.F. Jugosllavisë, në Kosovë ka dominuar errësira feudaliste me tërë karakteristikat e saj, sidomos në raportet familjare të mbërthyer në tradita patriarkale, me zakone të prapambetura tipike të feudalizmit?! Tërë kontestet pronësoro-juridike dhe familjare janë rregulluar me norma të Kanunit të Lekë Dukagjinit që çuditërisht tolerohej nga regjimi socialist i Beogradit?!
Kjo “pavarësi” juridike, Kosovën e vari me “lak në fyt” gjatë tërë “vëllazërim -bashkimit” të kombeve dhe kombësive të RSFJ.
Rrethanat e tilla socio-ekonomike, të dominuar nga kanuni i Lekës gjeneruan konflikte të ndryshme për çështje prone, çështje familjare, që rezultonin me vrasje, plagosje dhe rrahje në mes familjeve shqiptare.
Përgjatë viteve ’70-ta dhe ’80-ta disa qindra familje kanë qenë të përfshira në hasmëri të ndërsjella me Besë e pa Besë, të ngujuara nga kodi i kanunit dhe frika e hakmarrjes. Në mungesë të masave preventive nga institucione të ndryshme, në fillim të viteve ’90-ta Kosova rëndohej nga 2 000 hasmëri, shkaku i vrasjeve, plagosjeve dhe konflikteve të ndryshme?!
2 000 familje të ngujuara në njërën anë, dhe 2 000 familje në anën tjetër nën presion të drejtës për hakmarrje. Varfëria e skajshme ka ndikuar që familjet shqiptare të bashkëjetonin në një familje me shumë anëtarë. Nëse veçojmë mesataren prej 15 anëtarë për familje të hasmuara, rezulton mëse 60 000 pjesëtarë në hasmëri të ndërsjella?! Askush nga strukturat e pushtetit të atëhershëm nuk ka ndërmarrë kurrfarë masash parandaluese, zgjidhjes së konflikteve dhe pajtimin e atyre familjeve të hasmuara.
Pajtimi ka qenë kryesisht objektiv i disa “pleqve me zë” të cilët i kanë “pleqnuar” hasmëritë me norma kanunore, dhe aty këtu kanë arritur të pajtonin ndonjë familje, por jo dhe ta shuanin dukurinë e hasmërive. Inferioriteti i strukturave të pushtetit deri në instancat më të larta – Komiteti Krahinorë i LKJ, përbën një bazë aktakuze karshi fenomenit të hasmërive në familjet shqiptare.
Për çdo kritikë janë edhe intelektualë të ndryshëm: poet, gazetarë, profesorë, arsimtarë si dhe klerikë të dy feve që kanë qëndruar “duarkryq” dhe larg asaj dukurie të shëmtuar në Kosovë.
Ngujimi i familjeve për shkak të hasmërive ishte fenomen që shtrihej në tërë Kosovën, edhe rajoni i Komunës së Malishevës nuk është kursyer aspak nga “pushteti” i Lekë Dukagjinit.


Disa qindra familje kanë qenë të hasmuara dhe si të tillë të ngujuar në burg shtëpiak për vite të tëra.
Në prag të shpërbërjes të Jugosllavisë në fillim të viteve ’90-të, Kosova ishte nën rrethim ushtarako-policor, por që nuk dorëzohej përballë persekutimit të Beogradit. Gjatë tërë vitit 1989 është demonstruar fshat për fshat dhe qytet për qytet kundër okupimit serb, që rezultoi me disa dhjetëra të rinj të vrarë nga makineria vrastare serbe, dhe disa qindra të arrestuar dhe dënuar me burg.
Janari i 1990 e zuri Kosovën të ngujuar në dy dimensione: ngujim nga “pushteti” i Lekë Dukagjinit, dhe ngujim nga pushteti i shovinizmit dhe hegjemonizmit serb?! Kosova po vuante okupimin e dyfishtë sa nga vetvetja sa nga hegjemonizmi serb?! Derisa struktura të LKJ-së në Kosovë akoma vazhdonin të besonin verbërisht në “vëllazërim-bashkimin” e kombeve dhe kombësive, Lëvizja Klandestine – LPK-ja qëndronte në ballë të kërkesës popullore për Kosovën Republikë.
Në janarin e acartë 1990 në çdo strukturë klandestine parashtrohej pyetja: A mund të çlirohemi dhe si nga okupimi serb?! Kosova po vuante okupimin me 800 000 persona të persekutuar nëpër “stanica” të milicisë, me 10 000 të dënuar me burgim të rëndë me disa qindra të vrarë dhe plagosur nga makineria terroriste serbe?! Për t’u çliruar nga okupimi serb së pari lypsej çlirimi nga vetvetja?! S’mund të vinte liria kombëtare në Kosovë pa lirinë familjare, pa çlirimin e mëse 60 000familjarëve nga “okupimi” i Lekë Dukagjinit?!
Më 29.01.1990 LPK-ja ka lëshuar këtë Thirrje:… “Duke pas parasysh objektiven e përhershme të armikut që sa më shumë të përçajë popullin tonë, (sepse kështu e ka më lehtë për të na mbajtur të nënshtruar) LPRK, fton të gjitha familjet e armiqësuara në mes veti që në vend të ngritjes së gishtit të krimit të shtrijnë dorën e pajtimit …”.
Pas kësaj “Thirrje” filloi Lëvizja e pajtimeve nga veprimtarët klandestinë anë e mbanë Kosovës. Lëvizja për pajtime brenda një kohe të shkurtër arriti t’i pajtoi mëse 1 500 gjaqe, plagë dhe ngatërresa. Falja e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave nuk ishte vetëm një falje e thjesht që çliroi familjet e hasmuara, por çliroi një popull të tërë nga kthetrat e errësirës mesjetare. Pajtimi përmes faljes, pastaj i hapi shtigje luftës çlirimtare të UÇK-së kundër okupimit serb që ka rezultuar me pavarësinë e Republikës së Kosovës nga okupimi qindvjeçar serb.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, së bashku me kryetarin e…