Fazliu: Na preku humbja, rikthehemi ndaj Prishtinës

28 gusht 2019 | 20:26

Astrit Fazliu për “Epokën e re” e ka pranuar se humbja nga Ballkani e ka prekur mjaft skuadrën kampione të Kosovës, por beson se Feronikeli do t’u rikthehet fitoreve në derbin ndaj Prishtinës.

Kampioni në fuqi i Kosovës në futboll, Feronikeli, në fundjavën që shkoi pësoi disfatë nga Ballkani (3-1). Sulmuesi Astrit Fazliu në një bisedë për “Epokën e re” e pranoi se kjo humbje i ka prekur kampionët nga Drenas. “Atmosfera në klub është e mirë, por normalisht se humbja nga Ballkani na ka prekur. Jemi profesionistë dhe duhet ta kalojmë sa më shpejt edhe këtë”, ka thënë Fazliu.

Pas humbjes në Suharekë, skuadrën e “Niklit” e pret edhe një tjetër ndeshje e vështirë, por kësaj radhe do të luajë si vendës në “Rexhep Rexhepi” ndaj Prishtinës. Fazliu e ka lavdëruar skuadrën kundërshtare, por pret që skuadra të reagojë në këtë përballje dhe t’u rikthehet fitoreve. “Në fundjavë na pret një ndeshje e vështirë ndaj Prishtinës dhe normalisht se përgjigjja më e mirë për humbjen në ndeshjen e fundit është fitorja në këtë derbi. Tri pikët nuk do të jenë të lehta për faktin se Prishtina ka skuadër të mirë, por angazhimi nuk do të mungojë për fitore”, ka deklaruar ai.

Pas dy ndeshjeve të zhvilluara, skuadra e Feronikelit është e katërta në tabelë me një fitore dhe një humbje, kurse ka shënuar pesë gola dhe ka pranuar katër. Ish-sulmuesi i shumë skuadrave në Kosovë, Astrit Fazliu, mungoi në ndeshjen e fundit, por është optimist se në ndeshjen e radhës do të jetë i gatshëm për t’i ndihmuar Feronikelit që të arrijë fitore. “Kam munguar në ndeshjen e fundit për shkak të një lëndimi, por tash jam duke u përgatitur me skuadrën dhe besoj se do të jam i gatshëm për ndeshjen ndaj Prishtinës. Dëshira ime është që jam krah bashkëlojtarëve në këtë ndeshje shumë të rëndësishme”, ka shtuar Fazliu.

Si fitues i Kupës dhe i titullit të kampionit, Feronikeli është paraqitur në garat e Ligës së Kampionëve e më pas edhe në Ligën e Evropës, por pa mundur të arrijë rezultate që ende nuk i kanë arritur skuadrat e tjera të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kjo skuadër para fillimit të këtij edicioni bëri edhe ndryshime në shtabin teknik, duke e zëvendësuar trajnerin Zekrija Ramadani me trajnerin nga Mali i Zi, Dejan Vukiqeviq.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës, dega në Gjakovë ka shkarkuar nga…