Fazliu për tri vjet fitoi tre trofe: Synojmë suksese në Ligën e Kampionëve

24 korrik 2020 | 11:06

Astrit Fazliu ka fituar tre tituj të kampionit për tri vjet rresht, kurse tash me skuadrën e Dritës synon suksese të reja në garat e Ligës së Kampionëve.

Sulmuesi Astrit Fazliu është një nga futbollistët më të suksesshëm në futbollin e Kosovës, pasi vetëm në tre vjetët e fundit ka fituar tre tituj të kampionit, kurse ai ka fituar edhe trofe të tjerë gjatë karrierës futbollistike. I kontaktuar të enjten nga redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re”, Astrit Fazliu ka thënë se ndihet krenar me sukseset e arritura, sidomos në vitet e fundit, për faktin se jo shumë futbollistë arrijnë suksese të tilla. “Tre tituj kampionë tre vjet rresht, normalisht se përbëjnë sukses për t’u krenuar sepse jo shumë futbollistë e kanë fatin e tillë. Këto suksese nuk janë të rastësishme. Po arrihen me punë dhe sakrificë dhe normalisht se po ndihem shumë i lumtur për faktin se është një sukses që nuk arrihet lehtë”, ka thënë Fazliu, i cili më pas ka treguar për sukseset e tjera që ka arritur.

Sulmuesi me përvojë të madhe ka luajtur edhe për Prishtinën, Ferizajn, Feronikelin dhe ka bërë karrierë edhe në futbollin e Shqipërisë dhe atë të Maqedonisë. “Deri tash kam fituar pesë tituj të kampionit, dy Kupa dhe tri Superkupa”, ka shtuar ai.

Fazliu në janar i është bashkuar Dritës me kontratë njëvjeçare, derisa synim ka që me këtë skuadër t’i vazhdojë sukseset në arenën vendore, por edhe në garat ndërkombëtare. Fazliu ka thënë se qëllimi i skuadrës nga Gjilani është të shkojë sa më lart në garat e Ligës së Kampionëve.

“Në sezonin tjetër do të hyjmë me qëllim të njëjtë, që ta fitojmë titullin, pse jo edhe Kupën. Besoj se do të arrijmë suksese edhe në të ardhmen, kurse sa i përket pjesëmarrjes në garat e Ligës së Kampionëve, tash kemi përvojë më të madhe dhe shpresojmë të shkojmë sa më lart që është e mundur”, ka thënë Fazliu.

Fotografia e Astrit Fazliu

Astrit Fazliu së bashku me Kastriot Rexhën ishin lojtarë kyçë në sukseset e Feronikelit në kampionatin e kaluar, por në afatin kalimtar të janarit ata u lanë të lirë me arsyen se klubi i shihte të panevojshëm. Që të dy këta futbollistë u rikthyen në skuadrën e Dritës dhe arritën të shpallen kampionë, kurse tash Fazliu ka një porosi për trajnerët që e larguan nga “Nikli”. “Feronikelin nuk kam çka e komentoj, pasi aty kemi pasur gjithë respektin dhe ka pasur shumë njerëz që kanë qarë kur ne jemi larguar. Trajnerët Albert Bunjaki me Agim Sopin kur erdhën na thanë se për tri vjet do të futen në grupet e Ligës së Kampionëve, por mirë që i larguan më herët se me ata Feronikeli do të rrezikohej të binte nga Superliga, ndërsa ne u bëmë kampionë me Dritën”, ka deklaruar Fazliu.

Drita ndeshjen e fundit të kampionatit do ta zhvillojë ndaj skuadrës së Ballkanit në Suharekë.

(Veton ZYMBERI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas takimit që pati me…