FBI-ja nis të hetojë sulmin e hakerëve në ‘Twitter’

17 korrik 2020 | 12:26

Kandidati për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, miliarderët Elon Musk, Jeff Bezos dhe Bill Gates janë në mesin e shumë figurave të shquara amerikane, që hakerët ua kanë sulmuar llogaritë në “Twitter”, këtë javë.

Duket se sulmi ka pasur të bëjë me një skemë të monedhës digjitale “Bitcoin”.

“Llogaritë duket se janë komprometuar për të bërë një mashtrim me monedha digjitale”, ka thënë FBI-ja përmes një deklarate, duke i bërë thirrje publikut që të jetë vigjilent.

Mesazhet e hakerëve u bënin thirrje përdoruesve të tjerë në rrjetin social që të dërgojnë monedha “Bitcoin”, duke përdorur një vegëz.

“Twitter” ka hequr shpejt mesazhet e tilla dhe ka thënë se sulmi ka qenë “i koordinuar”.

Megjithatë, kuletat e “Bitcoinit”, të lidhura me postimet mashtruese, është thënë se kanë marrë më shumë se 100 mijë dollarë të monedhës digjitale, mbrëmjen e 15 korrikut.

Komiteti i Tregtisë i Senatit të Shteteve të Bashkuara ka kërkuar që “Twitter”-i të raportojë për incidentin e së mërkurës më 23 korrik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë pandemisë 154 zyrtarë…