Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve: Sanksionet ndaj medieve janë censurë (video)

22 qershor 2026 | 15:35

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) ka shprehur mbështetje për gazetarët dhe mediet në Kosovë, të cilat së fundmi janë përballur me gjoba nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), duke paralajmëruar se masat ndëshkuese ndaj mediave kritike mund të cenojnë lirinë e shtypit dhe standardet demokratike.

Përmes një mesazhi të publikuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), presidentja e IFJ-së, Zuliana Lainez, ka theksuar se çdo formë rregullimi të mediave duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe nuk duhet të përdoret për kufizimin e zërave kritikë.

“Dua të konfirmoj mbështetjen e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve për gazetarët në Kosovë dhe për organizatën tonë anëtare. Për ne, asnjë lloj rregullimi nuk duhet të cenojë rendin juridik ndërkombëtar dhe respektimin e lirisë së shtypit”, ka deklaruar Lainez.

Ajo ka kritikuar vendosjen e sanksioneve financiare ndaj medieve që mbajnë qëndrime kritike, duke e cilësuar një praktikë të tillë si formë të censurës.

“Vendosja e sanksioneve ekonomike ndaj mediave që janë kritike është një formë censure. Demokracia ka nevojë për gazetari të lirë. Solidaritet me kolegët tanë”, është shprehur presidentja e IFJ-së.

Reagimi vjen në një kohë kur debatet për lirinë e medies dhe pavarësinë editoriale në Kosovë kanë nxitur shqetësime brenda dhe jashtë vendit.

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve është organizata më e madhe globale e gazetarëve, e cila përfaqëson rreth 600 mijë profesionistë të medias përmes 187 sindikatave dhe asociacioneve në më shumë se 140 vende të botës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës, ashtu siç ka njoftuar edhe më parë…